60 vjet nga fjalimi i famshëm i Martin Luther King Jr: 'Unë kam një ëndërr'

60 vjet nga fjalimi i famshëm i Martin Luther King Jr: 'Unë kam një ëndërr'

Mijëra amerikanë përkujtuan të shtunën 60-vjetorin e Marshimit në Uashington, një prej ngjarjeve kryesore të lëvizjes për të drejtat civile të viteve '60 në Shtetet e Bashkuara, gjatë të cilit, pastori Martin Luther King Jr. mbajti fjalimin e tij frymëzues "I Have a Dream", "Unë kam një ëndërr".

Marshimi i vitit 1963 mblodhi bashkë më shumë se 250,000 vetë në kryeqytetin e vendit, të etur për t'i dhënë fund diskriminimit bazuar tek raca, feja, seksi apo origjina kombëtare. Shumë e vlerësojnë atë si një shfaqje të forcës që çoi me miratimin e Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1964.

Marshimi i këtij viti u zhvillua përpara sheshit ku ndodhet Memoriali i Presidentit Lincoln, tek i njëjti sfond që shfrytëzoi pastori për thirrjen e tij plot pasion për barazi. Shumë nga ata që morën fjalën sot (të shtunën) paralajmëruan se mbetet ende shumë punë për të bërë.

Margaret Huang, presidente dhe shefe ekzekutive e një grupi jofitimprurës që trajton çështje ligjore të komuniteteve të varfra në jug të vendit, tha përpara të pranishmëve, se marshimi 60 vjet më parë hapi dyert dhe nxiti mjete të reja për të luftuar diskriminimin.

Ajo shtoi se ligjet e reja anembanë vendit që “heqin të drejtën për të votuar” dhe godasin komunitetin LGBTQ, kërcënojnë të fshijnë disa nga këto arritje.

"Këto fushata kundër votës apo librave shkollorë, të gjitha janë të lidhura. Kur goditet e drejta jonë për të votuar, të gjitha të drejtat e tjera civile dhe të njeriut mund të rrëzohen gjithashtu. Por ne jemi sot këtu për të thënë se kjo nuk do të ndodhë për nën hundën tonë".

Folës të tjerë dënuan dhunën me armë kundër anëtarëve të komunitetit afrikano-amerikan.

Ashley Sharpton, një aktiviste e organizatës "Rrjeti Kombëtar për Veprim" tha se amerikanët nuk mund të lejojnë që të hidhen poshtë sakrificat e paraardhësve të tyre në betejën për barazi.

Kimberle Crenshaw, drejtore ekzekutive e Forumit të Politikave Afrikano-Amerikane, tha se ky përvjetor i Marshimit të Uashingtonit vjen në një moment shqetësues për vendin.

"Vetë historia që po përkujton marshimi jo vetëm që po sfidohet, por edhe po shtrembërohet," tha Crenshaw, duke iu referuar ndalimeve në disa shtete të librave dhe mësimeve në klasë bazuar në të ashtuquajturën teori kritike të racës, e cila e sheh një trashëgimi të racizmit si formësimin e historisë amerikave.

Ajo përmendi heqjen e një lënde të studimeve afrikano-amerikane nga shkollat publike në Florida dhe Arkansas, një "përpjekje për të heshtur debatet rreth kësaj faqeje të historisë".

Kundërshtarët e ofrimit të kësaj lënde në shkolla thonë se ajo shtrembëron historinë e në mënyrë të panevojshme krijon përçarje e kthehet në subjekt shqetësimi për studentët.

Mes folësve në marshimin e së shtunës ishin udhëheqës të të drejtave civile si djali i Martin Luther King Jr-it, Martin Luther King III, mbesa e tij Yolanda Renee King si dhe udhëheqësi demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve Hakeem Jeffries.

Presidenti Joe Biden dhe Nënresidentja Kamala Harris do të shënojnë përvjetorin e marshimit të hënën, që përkon me ditën e marshimit, duke u takuar me organizatorët e tubimit të vitit 1963. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë bënë të ditur se të gjithë fëmijët e familjes King janë ftuar të takohen me Presidentin Biden./ VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë