Pesë kontradiktat që na përkeqësojnë jetën

Pesë kontradiktat që na përkeqësojnë jetën

Foto ilustruese

Që Shqipëria është një vend i bukur, ky tashmë është një fakt i pranuar nga të gjithë. E konfirmojnë këtë turistët e huaj, të cilët largohen me përshtypjet më të mira për bukuritë natyrore të vendit. E thonë gazetarë të ndryshëm të huaj, të cilët, në reportazhet e tyre, thonë vetëm fjalë positive; e thonë agjencitë e huaja turistike, të cilat e promovojnë vendin tonë si një destinacion atraktiv turistik. Por tashmë koshientë për bukuritë e vendit janë edhe shqiptarët, realistë apo nihilistë qofshin, që, pasi kanë nxjerrë "nepsin e pamjes së botës", janë bindur se edhe vendi i tyre është i bukur. Ndërkohë, bukuria e Shqipërisë bie në kontrast me cilësinë e jetës që ajo ofron. Ritmet e shfrenuara të emigrimit tregojnë që toka shqiptare po braktiset me shpejtësi. Dhe nuk është vetëm gjendja ekonomike shkaku i emigrimit, por edhe dëshira për një jetë më cilësore, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe të komponentëve të tjerë. Sepse jeta e shqiptarëve në tokën e tyre nuk është e keqe vetëm prej financave të dobëta. Janë disa kontradikta, që e bëjnë jetën këtu tepër të vështirë, deri në kufijtë e të padurueshmes. Le t’i shikojmë me radhë ato.

1. Kontradikta mes politikës dhe elektoratit

Presupozohej që marrëdhënia mes tyre të ishte në simbiozë, por, në fakt, është marrëdhënie kontradiktore. Klasa politike shqiptare, me pak përjashtime, është e pabesueshme profesionalisht, e diskredituar, e kalbëzuar moralisht, e korruptuar, pa kredenciale. Vetë fakti që më shumë se gjysma e atyre që kanë të drejtën të votojnë nuk voton, flet shumë në këtë drejtim. Skakiera politike shqiptare është uzurpuar nga fytyra që kanë 30 vite që i kërkojnë votën elektoratit, por edhe prurjet e reja kanë skarcitete që nuk ngrohin askënd. Kjo fizionomi e politikës shqiptare, mbushur me persona të tillë, aspak inspirues e shpresëdhënës, e bën perspektivën pesimiste, për pasojë edhe ndikon ndjeshëm në psikologjinë dhe cilësinë e jetës së njerëzve të thjeshtë.

2. Kontradikta e opozitës me mazhorancën

Që opozita është një lakmuese e ardhjes në pushtet, kjo është mëse normale në demokraci. Por mënyra si e kërkon ardhjen në pushtet ka shumë rëndësi e ndikim për cilësinë e jetës së qytetarëve, që ajo synon t’i qeverisë. Sfida e një opozite është fitimi i simpatisë së elektoratit, por arsenali i deklarimeve dhe veprimeve të saj, vetëm këtë përfitim duket se nuk i sjellin. Përkundrazi, shoqërohen me irritim prej ndotjejeve psiqike që ato krijojnë. Psh, fillimisht u quajt si një devijim kur, për herë të parë, u përmend fjala rrëzim i qeverisë, ndërkohë që tani kjo është fjala më e përdorur prej shumë eksponentëve të opozitës zyrtare. Ose të sjellim ndërmend çadrën e famshme të ngritur në bulevard dhe ligjërimin tensionsjellës që mbizotëroi aty sa kohë që çadra ekzistoi. E gjitha rezultoi në një tension artificial, se zhvillimet e mëpasme treguan që opozita u perball me një katastrofë elektorale. Në demokraci leksioni bazë, që tashmë e ka mësuar çdo shqiptar, i madh e i vogël, është se në pushtet vihet vetëm me votë, ose qeveria rrëzohet gjithashtu me votë në Parlament nëpërmjet mocionit të mosbesimit. Çdo devijim prej kësaj rruge klasike shoqërohet me kosto, që rëndojnë jetën e çdo qytetari. Kjo mënyrë të foluri e opozitës përqafohet nga militantët e saj, ndërkohë që mazhoranca mbrohet nëpërmjet arsyetimeve të veta, që gjithashtu përthithen e përhapen nga militantët e saj dhe grupe të tjera dhe ja ku u krijua një klimë konfliktuale. Pavarësisht nëse është i mundur rrëzimi apo jo, vetëm pretendimet e vazhdueshme për këtë qëllim krijojnë perceptimin e një gjendjeje të paqendrueshme tek investitorët e huaj, çka ndikon në situatën ekonomike të vendit, por edhe tek qytetarët shqiptarë, të cilët ndjehen të lodhur nga kjo "lojë" shumëvjeçare me jetën e tyre.

3. Kontradikta mes medias dhe publikut

Ashtu sikurse politika, edhe një pjesë e medias është në konflikt me qytetarin, me atë që presupozohej të ishte qëllimi i ekzistencës së saj. Mirëpo ajo ka ndërruar kah dhe vetëm interesave të publikut nuk iu shërben. Duke u vendosur në funksion të politikës, një pjesë e mirë e mediave është transformuar në instrument të shpëlarjes së truve të qytetarëve, por në një shoqëri të hapur kjo është disi e vështirë. Ndaj mënyra si vepron, në kundërsens me interesat e audiencës potenciale të saj, duke i servirur publikut figura që ai nuk dëshiron më t’i shohë në skenë - këtë e ka treguar në votim - apo persona pa asnjë vlerë, krijon klimë irrituese, herë të shprehur e herë të pashprehur. Por që gjithsesi është e mjaftueshme për të patur ndikimin negativ në cilësinë e jetës së shqiptarëve.

4. Kontradikta mes punëdhënësit dhe punëmarrësit

Normalisht, punëdhënësi dhe punëmarrësi duhet të kishin një marrëdhenie mirëkuptuese, që duhet të buronte nga plotësimi i detyrimeve reciproke. Të dy palët duhet të ishin faktorë të suksesit të përbashkët. A ndodh rëndom në realitetin shqiptar kjo? Sigurisht që jo. Përgjithësisht, punonjësit janë të pakënaqur nga trajtimi i punëdhënësve, në aspektin financiar dhe më gjerë, e po kështu, punëdhënësit kanë ankesa të vazhdueshme karshi punëmarrësve. Mjafton të sjellim ndërmend punën e zezë të perhapur e aplikuar ndër vite, një proces ky, që ka krijuar viktima të shumta sociale apo tregues të tjerë, si niveli i pagës mininale dhe mesatare dhe permasat dramatike e kësaj marrëdhënieje dalin në pah. Mirëpo jeta cilësore ka nevoje për financa, por edhe për siguri e qendrueshmëri, çka duket se marrëdhënia ekzistuese punëdhënës - punëmarres shqiptar nuk i garanton.

5. Kontradikta mes njeri-tjetrit

Atmosferën e jetës shqiptare e rëndojnë dhe acarojnë së tepërmi mungesa e harmonisë dhe e mirëkuptimit mes njeri-tjetrit, kur bëhet fjalë për çështje të përbashkëta. Mjafton të sjellim ndërmend paaftësinë për të menaxhuar ambientet e përbashkëta të banimit; mjafton të kujtojmë vuajtjet e administratorëve të pallateve për të siguruar financat mujore, të nevojshme për mirëmbajtje dhe nuk ka nevojë të zgjatemi në drejtime të tjera, të cilat gjithsesi ekzistojnë me shumicë. A nuk është edhe kjo një mënyrë të jetuari që e lodh personin korrekt, i cili kërkon të jetojë i qetë në shtëpine e e tij, në vendin e tij?!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Deutschland: 29/12/2018 17:16

    Jan dhe 100 arsye të tjera, po hajde se dhe këto që thoni hyjn

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite