Pamjet e trishta që mbërritën nga Nju Jurku, për Parashqevi Simakun, këngëtaren tonë ikonë të muzikës së lehtë së fundviteve ‘80 (mund të jenë edhe shumë më tepër) por të paktën i dhanë shoqërisë sonë ndihmë për të njohur vetveten, përmes disa mësimeve të vlefshme pesë prej të cilave janë përzgjedhur si më poshtë.
1. - Si është e mundur që Parashqevi Simaku, nëse është ajo në atë video, shfaqet e braktisur dhe e lënë totalisht në harresë. Për shumë vite është lënë në harresë më e paharrueshmja, e talentuara, e bukura dhe e famshmja, idhulli i rinisë së 30-40 viteve më parë? Parashqevia na mësoi të gjithëve se ku mund të përfundojmë në çdo vend dhe në çdo kohë ne të tjerët; dhe se sa lehtë mund të harrohet njeriu në jetë!
2- Si është e mundur që, nga një këngëtare ikonë për publikun tonë e cila mund të fitonte shumë më tepër dhe të jetonte shumë më mirë në Shqipëri, gjithnjë nëse është Parashqevia në atë video, shfaqet në prag pensioni duke jetuar falë ndihmave në SHBA! Parashqevia u mësoi të gjithë atyre që nuk e kanë përjetuar ende ose i harrojnë shpejt vuajtjet e emigracionit se sa i vështirë është kurbeti. Edhe ëndrra Amerikane është thjesht e tillë! Jo një fushë me lule!
3- Si është e mundur që, shteti ka lënë totalisht në harresë një ndër emrat më të mëdhenj të muzikës sonë të lehtë, duke mos ditur për vite dhe dekada asgjë. Akoma më keq, duke mos shfaqur asnjë interes për të. Parashqevia na mësoi se cili është në të vërtetë interesi që shfaq shteti shqiptar për shtetasit e tij, me ose pa halle, kudo qofshin ata, në ShBA, Australi, Kanada, Angli, Greqi etj.
4 - Si është e mundur që, nëse është vërtet ajo që u shfaq në videon e trishtë, brenda pak orësh u derdh si një lum e tërë hipokrizia dhe gjoja dëshira për të ndihmuar Parashqevinë, kur ajo nuk kërkoi kurrë dhe në asnjë kohë, asnjë ndihmë. A vërtet mendojnë ata se Parashqevia pret sot ndihmë veçanërisht prej atyre të cilët i kanë pasur mundësitë por nuk kanë dhanë kurrë ndonjë provë se duan të ndihmojnë njerëzit në nevojë, të famshëm apo jo qofshin ata. Të gjithë, veçanërisht ata të cilët duan ta ndihmojnë patjetër sot, Parashqevia i mësoi se duhet të kuptojnë që nuk janë asgjë më shumë se sa të vonuar. Dhe të njëjtët pa u vonuar për të kryer “misionin e tyre fisnik” duhet të dinë që kanë të tjerë sa të duan, për të ndihmuar në vend të saj, në emigracion apo edhe në mbarë Shqipërinë.
5- Si përfundim, nëse është e vërtetë që nëna e saj ndërroi jetë një vit më parë në Durrës pa ditur gjë për fatin e vajzës së saj, siç raportohet nga disa dëshmi të të afërmve të tyre ende të paverifikuara për saktësinë por të publikuara me shpejtësi, dhe nëse Parashqevi Simaku ka vendosur me dëshirën e saj të braktiset, këngëtarja i bëri një nder të madh elitës sonë: i dha jo vetëm provën e hipokrizisë por edhe të dështimit të saj ‘spektakolar’. Nëse nuk do të kishte qenë Parashqevia në atë video, me siguri ajo do të kishte reaguar. E lënë në harresë dhe nga fatkeqësia që ndoshta e ka shoqëruar në jetë, heshtja e saj sot, i dha një mësim të çmuar shoqërisë sonë, mësim të cilin as pesë universitetet më të mira në botë nuk do të mund t’ia jepnin dot.