Lideri i opozitës ruse dhe kritiku i Kremlinit, Alexey Navalny, i cili vdiq dy vjet më parë, u helmua ndërsa ishte në burg nga një toksinë vdekjeprurëse e gjetur në bretkosat helmuese në Amerikën e Jugut, sipas një deklarate nga pesë vende evropiane.
Analizat e mostrave të marra nga trupi i Navalny-t kanë “konfirmuar përfundimisht praninë e epibatidinës”, thuhet në deklaratë, shkruan CNN.
"Epibatidina është një toksinë që gjendet te bretkosat helmuese në Amerikën e Jugut. Nuk gjendet natyrshëm në Rusi", theksohet në deklaratë.
Pesë vendet, Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Franca, Gjermania dhe Holanda, thanë se Moska kishte mjetet, motivin dhe mundësinë për ta helmuar Navalny ndërsa ai ndodhej në një burg në Rrethin Arktik.
“Vetëm shteti rus kishte mjetet, motivin dhe shpërfilljen e ligjit ndërkombëtar” për të kontribuar në vdekjen e Navalny”, thuhet në deklaratë.
Zyrtarët rusë e kanë mohuar vazhdimisht përgjegjësinë për vdekjen e Navalny.
Navalny, një aktivist kundër korrupsionit dhe figura më e zëshme e opozitës në Rusi, ndërroi jetë më 16 shkurt 2024 në moshën 47-vjeçare.
Në vitin 2020 ai ishte helmuar me agjentin nervor Novichok, u trajtua në Gjermani dhe u arrestua menjëherë pas kthimit në Rusi.
Aleatët e Navalny akuzuan disa herë Kremlinin për vrasjen e tij, akuza që Moska i ka hedhur poshtë si të pabaza.
Zyrtarët rusë insistuan se ai vdiq nga një kombinim sëmundjesh, duke përfshirë aritmi të zemrës që u shkaktua nga hipertensioni.
Komente











