Naveed Akram, i dyshuari i mbijetuar nga sulmi masiv me armë zjarri të dielën në Bondi Beach, në Sydney, është akuzuar për 59 vepra penale, përfshirë 15 akuza për vrasje dhe një akuzë për kryerje të një akti terrorist, bëri të ditur Policia e New South Wales.

Autori tjetër i dyshuar, babai i tij Sajid Akram, 50 vjeç, u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në vendngjarje. Si pasojë e sulmit, 15 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Sulmi kishte në shënjestër komunitetin hebre të Australisë, gjatë një aktiviteti që shënonte natën e parë të Hanukës. Ky është sulmi më vdekjeprurës me armë zjarri në Australi që nga viti 1996.

Përveç akuzave për vrasje, Akram përballet edhe me 40 akuza për shkaktim të dëmtimeve të rënda trupore me qëllim vrasjeje, si dhe me një akuzë për shfaqje publike të simbolit të një organizate terroriste të ndaluar. Ai u plagos rëndë gjatë incidentit të së dielës dhe seanca e parë gjyqësore u zhvillua nga shtrati i spitalit, njoftoi gjykata e New South Wales. Çështja është shtyrë për në prill 2026.

Më herët, Komisioneri i Policisë së New South Wales, Mal Lanyon, deklaroi se autoritetet po prisnin që efekti i medikamenteve të binte përpara se ta merrnin në pyetje zyrtarisht Akramin.

“Për hir të drejtësisë, duhet të sigurohemi që ai e kupton saktësisht se çfarë po ndodh”, u shpreh Lanyon.

Aktualisht, 20 persona të plagosur vijojnë të trajtohen në spitalet e Sydneyt, ndërsa një person mbetet në gjendje kritike. Policia e ka cilësuar sulmin si incident terrorist. Kryeministri australian Anthony Albanese tha se ngjarja duket se ka qenë e motivuar nga ideologjia e grupit Shteti Islamik (ISIS). Sipas policisë, në automjetin e përdorur nga autorët janë gjetur flamuj “të improvizuar” të ISIS-it si dhe mjete shpërthyese artizanale (IED).

Australia ka ligje shumë të rrepta për armët e zjarrit që nga viti 1996, pas masakrës së Port Arthur, çka e ka bërë vendin relativisht të sigurt nga sulme të tilla. Sulmi në Bondi Beach ka tronditur opinionin publik australian dhe ka rihapur debatin mbi ekstremizmin e dhunshëm, sigurinë publike dhe mbrojtjen e komuniteteve fetare. /BBC