GJIROKASTER - Mbushen 20 vjet nga ngjarja e rëndë e Peshkëpisë në rrethin e Gjirokastrës ku u ekzekutuan nga ekstremistët grekë, dy efektiva të kufirit. Për këtë ngjarje të rëndë është zhvilluar një ceremoni përkujtimore nga familjarë të ushtarakëve, si dhe nga Forumi Patriotik “Djemtë e Gjirokastrës”. Ata kanë përkujtuar rënien në krye të detyrës të oficerit të Postës Kufitare të Peshkëpisë, Fatmir Shehu dhe ushtarit Arsen Gjini. Posta kufitare e Peshkpisë mban prej pesë vitesh, emrin e oficerit Fatmir Shehu.

Ceremonia, është organizuar, në godinën ku 20 vjet më parë, u bë arenë e vrasjes së dy ushtarakëve. Me këtë rast, me iniciativën e tyre, patriotët e rinj gjirokastritë, në mungesë të një pllakate egzistenciale, kanë vendosur një të tillë, të gdhendur me profilet e të vrarëve dhe emrat e tyre. Kreu i Forumit Patriotik “Djemtë e Gjirokastrës” Albi Koci, shprehet se kjo ngjarje është unikalja në historinë e demokracisë shqiptare kur u cënua rëndë integriteti dhe sovraniteti territorial shqiptar, nga një grup terroristësh grek.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 02:40 të datës 10 prill 1994, ku një komando greke, e përberë nga tetë veta midis të cilëve njeri fliste shqip me theks grek, të armatosur me armë zjarri, me uniformë ushtarake të ushtrisë greke, hynë në territorin shqiptar në afërsi të fshatit Peshkëpi të rrethit të Gjirokastrës. Duke u futur në thellësi të territorit shqiptar, rreth 4 km në një qendër stërvitore ushtarake të trupave shqiptare, vrasin në befasi me armë zjarri ushtarin Arsen Llazar Gjini 20 vjec nga fshati Seman i rrethit të Fierit. Pasi vranë ushtarin, hynë në fjetore në momentin kur ushtarët po flinin dhe hapën zjarr kundër tyre. Nga këto veprime kriminale mbeti i vrarë komandanti i stërvitjes, kapiteni i parë Fatmir Shehu, si dhe u plagosën tre ushtarë të tjerë. Një ditë më pas, gazeta greke ''Elefterotipia'' i kishte ardhur një faks, ku merrej përsipër autorësia e këtij krimi nga organizata ''MAVI'' që do të thotë ''Fronti për Clirimin e Epirit të Veriut''. Autorët e kësaj ngjarje, u kapën ne orët e para të 18 marsit 1995, në rrethinat e fshatit grek Kastani teksa kishin dështuar në një sulm tjetër ndaj Shqiperise. Gjykata e Athinës, liroi atentatorët në 21 mars 1996, për mungesë provash.
 
Te akuzuarit si autore te masakres kanë qenë
1- Jorgo Anastasulis, 34 vjec, oficer i ushtrisë greke
2-Apostolos Karvelas, 26 vjec, punonjës i policisë greke
3-Mario Kutullas, 25 vjec, qytetar shqiptar banues ne Athinë, puntor
4-Fredi Beleri, 23 vjec , qytetar shqiptar në Athinë, hidraulik
5-Jorgo Kristo, 26 vjec, qytetar shqiptar banues në Athinë
6-Harallamb Papa, 21vjec, qytetar shqiptar banues në Athine, punëtor
7-Jorgo Papa, 30 vjec, qytetar shqiptar, teknik frigoriferësh.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)