Péter Magyar u betua si kryeministri i ri i Hungarisë, duke shënuar zyrtarisht fundin e 16 viteve në pushtet të Viktor Orban. Ceremonia e së shtunës u zhvillua vetëm një muaj pasi partia opozitare Tisza fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare, rezultat që solli festime në Budapest dhe më gjerë, pasi Orban dhe lëvizja e tij nacionaliste-populiste prej vitesh konsideroheshin model për të djathtën ekstreme globale.

Vetë Magyar i kishte ftuar qytetarët të mblidheshin përpara parlamentit për të “shkruar historinë hungareze” dhe për të “kaluar portën e ndryshimit të regjimit”. Mijëra mbështetës iu përgjigjën thirrjes së tij, duke mbushur sheshin jashtë parlamentit ku ceremonia transmetohej në ekranet gjigante. Në fjalimin e tij, lideri i ri e përshkroi rrugën drejt ndryshimit si të gjatë dhe shpeshherë të vështirë, por tha se hungarezët tashmë kishin arsye për të festuar.

“Sot çdo njeri që e do lirinë në botë do të donte të ishte pak hungarez”, deklaroi ai mes brohorimave të turmës.

Ai falënderoi mbështetësit për përmbysjen politike që sollën në vend.

“Ju i mësuat vendit dhe botës se njerëzit më të zakonshëm, prej mishi dhe gjaku, mund të mposhtin tiraninë më të egër”, tha Magyar, ndërsa turma shpërtheu në duartrokitje.

Më herët, gjatë fjalës në parlament, ai deklaroi se hungarezët i kishin dhënë partisë së tij mandat për të hapur “një kapitull të ri” në historinë e vendit.

“Jo vetëm për të ndryshuar qeverinë, por për të ndryshuar edhe sistemin. Për ta nisur nga e para”, u shpreh ai.

Magyar akuzoi qeverisjen e Orbán për korrupsion të thellë, duke deklaruar se Hungaria ishte kthyer në “vendin më të korruptuar të Bashkimit Europian”.

“Bashkëpunëtorët e Orban dhe elita kanë ende një rrugë të gjatë përpara derisa të përballen me atë që kanë bërë”, tha ai, duke premtuar drejtësi ndaj atyre që, sipas tij, edhe në orët e fundit të pushtetit po përpiqeshin “të vidhnin gjithçka”.

Ai përsëriti gjithashtu thirrjen që zyrtarët e emëruar gjatë epokës Orbán të japin dorëheqjen deri në fund të muajit. Mes emrave që përmendi ishte edhe presidenti Tamás Sulyok, i cili vetëm pak çaste më herët i kishte dhënë zyrtarisht mandatin për krijimin e qeverisë së re. Jashtë parlamentit, turma reagoi me ovacione. Kryeministri i ri premtoi ndërtimin e një Hungarie më gjithëpërfshirëse dhe më të lirë.

“Ajo që na bashkon do të jetë më e fortë se ajo që na ndan. Hungaria do të jetë shtëpi për çdo hungarez dhe të gjithë duhet të ndihen se kanë vend në kombin hungarez”, deklaroi ai.

Atmosfera festive kishte nisur që herët në mëngjes. Në sheshin jashtë parlamentit, njerëzit brohorisnin sa herë në ekran shfaqej Magyar, ndërsa disa fishkëllenin deputetët e partisë Fidesz dhe të ekstremit të djathtë.

Shumë qytetarë kishin udhëtuar me orë të tëra për të qenë të pranishëm në këtë moment historik. Një nga momentet më simbolike të ditës ishte rikthimi i flamurit të Bashkimit Europian në godinën e parlamentit, pasi ishte hequr nga qeveria Fidesz në vitin 2014.

Njoftimi u prit me brohorima të forta nga turma jashtë parlamentit madje dhe me kërcimin e ministrit të ri të shëndetësisë, që nuk e fshehu entuziazmin dhe kërceu sikur të mos ishe duke e parë askush. 

Fitorja e partisë Tisza konsiderohet një rezultat tronditës për politikën hungareze. Partia fitoi 141 vende në parlamentin me 199 deputetë, ndërsa vetë Magyar deri pak kohë më parë ishte një figurë pak e njohur dhe pjesë e elitës së Fidesz. Ai doli publikisht kundër sistemit në vitin 2024, duke akuzuar drejtuesit e partisë se kishin zgjeruar pushtetin dhe pasurinë e tyre në kurriz të qytetarëve.

Parlamenti i ri shënon gjithashtu herën e parë që nga demokratizimi i Hungarisë në vitin 1990 që Viktor Orbán nuk do të jetë deputet. Ish-kryeministri 62-vjeçar ka deklaruar se do të fokusohet në riorganizimin e lëvizjes së tij politike.

Magyar ka premtuar se do të përdorë shumicën e tij parlamentare për të zhbërë sistemin e ngritur nga Orban në gjyqësor, media dhe institucionet shtetërore, si dhe për të rindërtuar marrëdhëniet e Hungarisë me Bashkimin Europian dhe për të zhbllokuar fondet europiane të ngrira prej kohësh.