TIRANE - Rreth 500 firma janë mbledhur këtë të Premte nga nismëtarët e protestës për shkarkimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani.

Revolta e shoqërisë civile për shkarkimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, lidhur me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve, u zhvendos këtë paradite para Parlamentit, pas 3 ditëve protesta e thirrje për dorëheqjen e Fullanit, para Bankës së Shqipërisë.

Organizatorët e protestave, të cilët të enjten qëndruan 6 orë në para zyrave të selisë qendrore të BSH në Tiranë, pritën qytetarë për të nënshkruuar një peticion për shkarkimin e Fullanit.
 
Vetë organizatori i këtyre protestave, Zirkon Disha, tha për A1 Report se pas mbledhjes së 20 mijë firmave të qytetarëve, peticioni do t’i kalojë presidentit Nishani, kryetarit të Kuvendit Meta dhe një kopje opozitës.

protesta

Disha gjithashtu ftoi edhe deputetët e të gjitha forcave politike që t'i bashkohen kësaj nisme. 

“Pasi kërkuam dorëheqjen prej tre ditësh tek selia e guvernatorit dhe ai nuk e dha, tashmë e vetmja mënyrë për ta shkarkuar është mbledhja e parlamentit. Do të mbledhim firmat e qytetarëve i cili mund dhe duhet të kërkojë mbledhjen e Parlamentit për shkarkimin e Fullanit. Gjithashtu fotjmë edhe deputetët t’i bëhen pjesë e kësaj nisme dhe të pushojnë pushimet ngado që janë.” tha Disha

Vetë protestuesit, theksuan se peticioni shpreh vullnetin e sovranit dhe për t’i kërkuar kështu Kuvendit mbledhjen e një seance të jashtëzakonshme për shkakrimin e Fullanit.

Në këtë mënyrë protestuesit kanë vendosur që të ushtrojnë më shumë presion ndaj politikës, për dorëheqjen e Fullanit, dhe arritjen e synimit, për një seancë të jashtëzakonshme.

Firmosja e peticionit në ditët në vazhdim pritet të shtrihet edhe në disa zona të tjera të Tiranës dhe qytetet kryesore të vendit.

Ja çfarë përmban peticioni drejtuar deputetëve për shkarkimin e Fullanit
Peticioni që po firmoset nga qytetarët drejtuar deputetëve kërkohet që Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani të shkarkohet pasi është përgjegjës në vjedhjen e thesarit të shtetit.

Në peticion u bëhet apel deputetëve që nëse nuk marrin përgjegjësi atëherë tregojnë se mbrojnë politikisht Ardian Fullanin.

peticioni(Peticioni i qytetarëve për shkarkimin e Ardian Fullanit)


Redaksia Online
(e.c/a.h/shqiptarja.com)