Petra Conti dhe Eris Nezha
zjarr duartrokitjesh për “Zhizel”-in

Petra Conti dhe Eris Nezha<br />zjarr duartrokitjesh për “Zhizel”-in
TIRANE- Baleti “Zhizel” e ka nisur shfaqjen e tij mbrëmë në Tiranë duke nderuar me një minutë heshtjeje për largimin nga jeta ikonën e këngës shqiptare Vaçe Zela, e cila u përcoll dje në mesditë me homazhe madhështore e këngë për në banesën e fundit. Pas kësaj, ngjitja në skenë e artistëve Petra Conti dhe Eris Nezha, balerinë të parë të Teatrit në La Scala-s në Milano është pritur me duartrokitje. Ashtu siç pritej, duartrokitjet nuk kanë reshtur dhe janë përsëritur dhjetëra herë gjatë interpretimit të baletit “Zhizel” veprës së famshme të Adolf Adam. Solistët e La Scala-s kanë interpretuar së bashku me trupën e balerinëve të Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë.

Çifti i balerinëve Petra Conti dhe Eris Nezha kanë ekzaltuar publikun me lëvizjet e tyre të shkathëta, elegante dhe figurat shprehëse. Në harmoni me lojën e trupës së baletit shqiptar çifti Conti-Nezha i ka dhuruar publikut shqiptar një spektakël të veçantë. Eris Nezha balerini shqiptar ndihet i emocionuar që së bashku me bashkëshorten e tij kanë rrëmbyer duartrokitjet e sinqerta të publikut. Ata që nga viti 2013 janë balerinë të parë të Boston Balet. Balerina Petra Conti, me baba italian dhe nënë polake, u diplomua në vitin 2006 në Akademinë Kombëtare të Kërcimit në Romë me Maestro Zharko Prebil.

Pas një viti specializimi në Marijinsky të Shën Pjetërburgut, si dhe një sezoni në Bavarian State Ballet të Monaco-s, ajo dallohet veçanërisht për figurën elegante me debutimin e saj në vitin 2009 në Teatrin La Scala pikërisht me rolin e Zhizel. Eris Nezha u diplomua në Akademinë e Kërcimit në Tiranë në vitin 1997, më tej u zhvendos në Milano dhe, pas një viti formimi në Teatrin Carcano, u pranua në Shkollën e Baletit të La Scala-s, ku u diplomua në vitin 2002. Pjesëmarrja e çiftit të artistëve me famë ndërkombëtare në veprën e famshme të Adolf Adam -it u bë e mundur në saj të mbështetjes së Institutit Italian të Kulturës në Tiranë. Gjithashtu “Zhizel” do të jetë në TKOB edhe sot, mbrëmjen e së dielës.
 

Shkrimi u publikua sot (09.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane