Petrit Vargu: Pse nuk
funksionon urgjenca në QSUT

TIRANE- Shërbimi i urgjencave në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” aktualisht është në një situatë të vështirë, për shkak të një vendimi të marrë vite më parë ku shumë shërbime të jenë të grupuara, ndërkohë që numri i mjekëve dhe stafit mbështetës është tepër i vogël. Në këto kushte mjekët nuk mund të kenë kohë të mjaftueshme për të kryer ekzaminimet e pacientëve, ashtu siç edhe e parashikojnë standardet e vendosura nga OBSH. Mjekët e këtij shërbimi kërkojnë që të kryhet një reformë e thellë për këtë shërbim, duke nisur nga mjekët të cilët nuk kryejnë turnet e natës për shkak të dypunësimit por edhe mënyrën e funksionimit të saj. Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, mjeku kardiolog Petrit Vargu tregon se cilët janë problemet që hasen çdo ditë në këtë shërbim.

Shërbimi i urgjencës është një nga kryesorët ku edhe prezanton shërbimin që i ofrohet pacientit, si funksionon aktualisht ky shërbim?
Sistemi i urgjencës, si pjesë e reformës që është bërë nga joprofesionistë gjatë këtyre viteve në QSUT mendoj se ka shumë të meta, ku më kryesori është grupimi i shërbimeve. Kjo ka sjelle një rritje në mënyrë artificiale të shtretërve në urgjencë, në mënyrë që të rritet numri i mjekëve dhe pedagogëve, që të quhet një shërbim i veçantë dhe për të pasur njerëz të veçantë ofiqe të caktuara.

Kjo ka sjellë një konfuzion shumë të madh pasi në këtë urgjencë kanë ardhur shërbime si toksikologjia, urgjenca e neurologjisë si dhe sëmundjet e brendshme që kanë ekzistuar prej vitesh. Urgjenca jonë nuk është e përgatitur për të pritur këto urgjenca, duke krijuar procedura të çuditshme dhe joprofesionale. Kështu nëse vjen një pacient me probleme toksikologjike ne duhet të japim ndihmën e parë, me pas të njoftojmë shërbimin i cili është vetëm 40 metër larg për të dhënë ndihmën e specializuar.

E njëjta gjë është edhe për neurologjinë, kur me zhvendosjen e shërbimit pas rikonstruksionit të godinës, ne duhet të presim specialistin i cili është me një distancë të largët prej 200 të vijë të japë ndihmën mjekësore për një urgjencë. Ajo që dua të theksoj është se kjo urgjencë është krijuar për një popullsi prej 250 mijë banorësh, dhe jo mbi 800 mijë banorë që numërohen sot në Tiranë. Ajo çka nuk funksionon sot është se urgjenca e spitalit Sanatoriumit e cila është kthyer në Spital Rajonal nuk pret urgjencat që duhet të presë, dhe të gjitha urgjencat vijnë tek ne.

Sa është numri i urgjencave që përballoni gjatë 24 orëve, si është raporti mjek-pacient?
Gjatë kësaj periudhe ne kemi pritur 200 deri në 210 urgjenca në ditë, për 2 mjekë gjatë turnit të dytë dhe të tretë si dhe 6 mjekë për turnin e parë. Ky fluks dhe ky numër mjekësh tregon që nuk ka një korrelacion, pasi vetëm një vizitë duhet të jetë 20 minuta, por kjo nuk zbatohet asnjëherë për shkak të fluksit që duhet të përballojmë. Ne këtë situatë e kemi bërë të ditur në instancat më të larta, në mënyrë që të merren masa pasi prej vitesh po vuajmë këtë problem.

Një tjetër fenomen që ne vihet re është edhe mungesa e mjekëve kardiologë gjatë turneve të natës, dhe kjo ndodh për shkak se këta mjekë punojnë pasdite në studiot e tyre private. Ndërkohë që dihet se 60-70 % e rasteve të urgjencave janë probleme kardiake. Ndaj kërkojmë që Ministria e Shëndetësisë të marrë masa për të përmbysur këtë situatë e cila ka krijuar një problem prej disa vjetësh.

Çfarë masash duhet të merren në mënyrë që të funksionojë urgjenca e spitalit më të madh në vend?
Ky është një spital horizontal, që do të thotë shtrirje në një hapësirë të madhe, dhe në të gjithë botën spitalet horizontale kanë urgjenca të veçanta. Ky nuk është një spital vertikal që të gjitha shërbimet të jenë të grupuara, por këtu ka distanca të shërbimeve deri në 250 metër, siç është rasti i neurologjisë me onkologjikun. Ndaj është e udhës që çdo shërbim të ketë urgjencën e vet, pasi aty ndodhet edhe stafi mjekësor profesional.

Çfarë duhet të ndryshojë sistemi mjekësor në mënyrë që ai të jetë sa më mirë në shërbim të pacientit?
Unë me bindje politike jam i majtë dhe do të jem i majtë, por nuk shpresoja që stafet drejtuese do të binin në kthetrat e eminencave gri që kanë drejtuar gjithmonë shëndetësinë, pavarësisht nga ngjyra politike. Gjëja e parë është që sistemi të shpëtojë nga këta njerëz që vazhdojnë të shtrydhin shëndetësinë për interesat e tyre. Reformat më pas janë të shumëllojshme, ato nuk duhet të konsistojnë tek sigurimet por në vënien në qendër të vëmendjes të pacientit, dhe gjithçka që të rrotullohet të jetë tek pacienti.

E rëndësishme sot është marrja e masave për pajisjen e rretheve me mjekë specializantë, me mjekë anestezistë, kirurgë etj, në mënyrë që pacientët të mos kryejnë me kilometra rrugë për të marrë shërbimin. Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe zhdukja e korrupsionit në shëndetësi, duke kryer “operacione” të guximshme në mjekësi.

Si është situata me furnizimin me ilaçe?  
Si gjithmonë, ku përballemi edhe me mungesa. Aktualisht mungon propafenoli ampule, tromadoli ampule, lasiksi ampulë të cilat janë medikamente të zgjedhjes së parë për patologji të ndryshme të urgjencës që paraqiten këtu. Patëm një furnizim por që nuk ishte i mjaftueshëm për të përballuar të gjitha këto raste.

Është marrë nisma për depistimin e popullsisë nga mosha 40 -65, çfarë rezultatesh pritet të sjellë kjo dhe a do ndihmojë në uljen e urgjencave duke kanalizuar pacientin tek mjeku i familjes? 
Është e rëndësishme që depistimi të kryhet në ekzaminime të tilla si mamografi, pap-teste dhe analiza të tjera më të thella. Pasi dihet që këto patologji ecin përpara se problemet të shfaqen në gjak dhe në urinë, ndërkohë që edhe në këtë fazë ato qëndrojnë shumë pak dhe janë të vështira për tu kapur një herë në vit. Pra ne sot duhet të shohim se si është kosto dhe efikasiteti.


Shkrimi u publikua sot (21.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Aksident në Bulqizë, shoferi humb kontrollin e automjetit dhe përplaset me kollonën e mbikalimit

Aksident në Bulqizë, shoferi humb kontrollin e automjetit dhe përplaset me kollonën e mbikalimit