I ftuar në emisionin “Kontrast” të Report TV, deputeti socialist Petro Koçi deklaroi se shpallja e Aqif Rakipit dhe Ylli Ndroqit non-grata tregon këmbënguljen e SHBA-ve për të luftuar personat me rrezikshmëri për ate vetë, por edhe aleatët e saj.

Koçi mori si shembull edhe rastin e Sali Berishës. Ai shtoi se pikërisht vendimi i sotëm kërkon t’i tregojë Berishës se lufta e SHBA kundër individëve të rrezikshëm nuk do të ndalet, pavarësisht cilit krah i përkasin ata.

Deputeti i PS shtoi se fakti që Berisha u shpalli luftë amerikanëve dhe tenton të kapë Partinë Demokratike tregon frikën e tij nga drejtësia.

“Emrat mund të jenë të papritur, por fakti që SHBA këmbëngul të evidentojë persona me sfond kriminal dhe të rrezikshëm për stabilitetin nuk është e papritur. Le të themi që kjo nuk do të jetë ngjarja e fundit. E gjitha ajo që ka bërë zoti Berisha pas shpalljes së tij non-grata, lufta kundër Sekretarit të Shtetit, kundër Ambasadës Amerikane dhe për të kapur PD-në, është një përpjekje për të shantazhuar drejtësinë. Por nuk besoj se ai ka një të ardhme politike. Ai i trembet drejtësisë. Vendimi i sotëm i SHBA është për t’i treguar njerëzve të kallëpit Berisha se ne do të vijojmë të evidentojmë persona që përbëjnë kërcënim për SHBA dhe partnerët e SHBA” – tha Petro Koçi për ‘Kontrast’ në Report TV.