“...na okupojnë shumë elementat e Ballit si Isa Manastirliu, Hamid Matjani, Halim Begeja, Xhep Picalliu dhe Alush Leshianaku federal në Elbasan, njashtu në Kavajë Qamil Xhani miku e shok i Mustafa Krujës dhe i fashizmit, nënprefekt në Kavajë dhe bashkëpunëtori i tij, Hamid Laçini. Këta tregohen ballista dhe bashkëpunojnë me fashizmin për prishjen e partis etj. Shëtisin në Kavajë të armatosun, por megjithatë do bajmë dhe neve aksione...” i shkruan Themelko Gogo Nushit, ndërsa pak rreshta më poshtë i tregon për një përpjekje me Xhafer Balin.
“Me Ballin e kemi punën në çark dhe me Xhaf Balin ka plas luftë. Ai ka sulmue partizanët; shkaqet akoma në detaje s’i dimë por ai lufton neve, çetat tona e Darsis e Lushnjes, dhe batalioni i Lushnjes e kanë shpartallue, e kanë vu në ikje mbas 6 orë lufte..”. Këto detaje të përshkruara nga Themelko në këtë letër, i japin një tjetër impuls tezës se në Shqipëri, në këtë periudhë (fundvera e ’43-it dhe fillim i vjeshtës ’43) pati luftë civile, tezë e artikuluar sidomos vitet e fundit nga një pjesë e historianëve. Kjo pasi në këtë periudhë nuk përmendet thuajse në asnjë prej letrave mes udhëheqësve komunistë të luftës, ndonnë përpjekje me armikun, por vetëm mes forcave kundështare brenda vendit.
Dokumenti i plotë
I dashur shok Hysen
Mora letrën dhe mësova për çka më shkruaje, mora dhe 100 napolonat. Keni marrë vesh për nevojat tona sidomos për opingat, kush e di sa partizanë kanë mbet zbath e nuk munt të lëvizin.
Raportin për shtabin dhe qendrorin po e pregatis dhe me ardhjen e parë që do vinë korrierët do jua e dërgoj – kanë të drejtë ata që kërkojnë por puna e madhe që kam më pengon, i ngarkoj gjithve punë e prap ka punë të madhe e sidomos që kur kanë arth këta miqt na sjellin pengesa se duhet të preokupohesh me ta.
Kam marrë nji letër nga Tarasi për ardhjen e tyne.
Këta kanë fjalë shumë, dhe premtime, por s’duhet ne të mvarim shpresën te këta, qëndrimi i jonë duhet të jetë elastik, pse dimë mirë qëllimin e tyre kryesor.
Pak fjalë që kam ba me ta thonë që neve do ndihmojmë gjithë ata që lëftojnë, dhe se në gjith vendet e Ballkanit kanë zbrit kësij miqsh dhe ndihmojnë luftën e popullit të robëruar, dhe forcat ushtarake të këtyne vendeve të Ballkanit janë vu në dispozicion të këtyne. Këjo fjalë anasjelltas vehuni ju nën udhëheqjen tonë.
Unë ju përgjigja që lufta e popujve të robëruar që filloi dhe po vazhdon e që do vazhdojë, ka nxjerrë luftëtarë të çelnikosur, dhe drejtuesa të përsosur, njashtu kanë lind dhe komandat drejtuese të ushtrive N.Çl. të popujve dhe aleatët munt të na ndihmojnë me ndonji material dhe po të duam mbasi neve luftojmë të njëjtin armik.
Më von po ju shkruajmë më gjat mbi këta, veçse kërkesat e tyne janë të mëdha, ushqime kërkojnë, plaçka për të ba gjellë, e tjera gjana, ju i bleni dhe bani dhe listën sa kushtojnë, kërkojnë që të blenë dhe mushka. Pysni ju andej a munt të gjinden. M’i dërgoni ato çadrat që t’i japim dhe nji atyne se kërkojnë të bajnë baraka.
Për ndihmat që do na vinë nga fondi N.Çl. e rregullojmë neve këtej dhe ju andej me korrierët. Do caktojmë ekomatin e shtabit – dhe ai t’i rregullojë të gjitha gjanat që i takojnë ekonomis.
Për specialistat që të qepin këpucët e rrobat na mungojnë e na mungojnë dhe veglat e këpucëtarëve.
Për aksione, ne kena ndërmend me ba por na okupojnë shumë elementat e Ballit si Isa Manastirliu, Hamid Matjani, Halim Begeja, Xhep Picalliu dhe Alush Leshianaku federal në Elbasan, njashtu në Kavajë Qamil Xhani miku e shok i Mustafa Krujës dhe i fashizmit, nënprefekt në Kavajë dhe bashkëpunëtori i tij, Hamid Laçini. Këta tregohen ballista dhe bashkëpunojnë me fashizmin për prishjen e partis etj. Shëtisin në Kavajë të armatosun, por megjithatë do bajmë dhe neve aksione. Na dërgoni plaçkat që t’i kompletojmë.
E mora vesh për Moravinë mbi qëndrimin e tij në kampo, dhe unë mejtoj masi s’ka shok më të përshtatshëm për zv.komisar politik të shtabit të qarkut.
Çfar mejtoni ju. Ka ba njifar autokritike se e shof dhe unë qëndrimin jo të mirë këtu për sa i përket maredhanjeve me shoqen, por faji qëndron te shoqja se asht sentimentale dhe me mbeturina borgjeze, dhe propozon që ta ndajmë dhe ajo të dërgohet në nji vend që të punojë, por prap dhe ai ka punë të dobta. Mund të përmirësohet se e don partin dhe shokët.
Për Pandin, nuk ma ka tregue raportin, dhe ka ba gabim, dhe ja kam komunikue, por do bëjë autokritikë në celulë. Unë që propozova që të rrij afër shtabit. Jam bazue në këto gjana, 1) se ai njef vendin dhe do t’i ndihmojë ekonomit për depot e 2) se njef katundarët dhe merr informata prej tij dhe e 3) se duke qenë afër mua do përmirësohet dhe ma von do të na vlejë.
Për Xhemalin megjithse nuk e kam afër por shokët thonë se tregohet aktiv etj, të shohim edhe pak në ndonji aksion.
Përsa na shkrojshit për paret që ka marrë kapiteni s’i ka tregu as dorëzu, por do t’ja thomi këtë gja sa ta takojmë, se e kemi dërgue që të drejtojë veprimet në rast se pëlcet me katillat e Kavajës mbasi jemi fut me 100 vetë në katundet e tyne, tani më lajmëron nji katundar por akoma s’e kemi vërtetuar se çetat tona kanë çarmatos elementat e Qamil Xhanit e të Hamid Laçinit të shofim.
Zenel Hekalli na ka marrë pare tue thanë se më ka Kamber Qafmolla paret e mija. Ja ka marrë hua dhe ai t’ja marrë Kamberit nji xhandarit o kapitenit.
I shkruani për këtë gja organizatës së Vlonës, se ka vajtur në Mallakastër.
Teshat e babës janë vonue shumë që kur ka qenë Doktori këtu ia ka premtue, dhe nuk kemi se si i themi, megjithse i kemi thanë se kanë punë mjaft.
Për aksionin e Kavajës harruam dhe nga ana tjetër nuk kishim shifër të saktë mbi gjanat që janë marrë.
Janë marrë afër 200 dele, 5 viça e këto materiale tjera, ja listën, njashtu dhe 5 teneqe vaj guri që shokët pa pyt ja kanë shpërnda katundarëve.
Po e pyes çfar don të thuajsh s’e kuptoj, me fjalët, me organizue shtabin e batalionit.
Unë ju kam raportue në letrën e parë si do i organizojmë këto forca që kemi.
Me Ballin e kemi punën në çark dhe me Xhaf Balin ka plas luftë. Ai ka sulmue partizanët; shkaqet akoma në detaje s’i dimë por ai lufton neve, çetat tona e Darsis e Lushnjes, dhe batalioni i Lushnjes e kanë shpartallue, e kanë vu në ikje mbas 6 orë lufte. Nuk dimë humbjet dhe ai ka ik dhe nuk dimë drejtimin nga ka shku.
Megjithse akoma Këshilla e Përgjithshme s’ka vendos qëndrim karshi Ballit, neve i demaskojmë për kërcënimet që bajnë në popull dhe për parullat e ndryshme që lëshoi, që dëmton luftën dhe bashkimin e popullit, dhe kur harrin në kulm dhe që na venë në pozitë të keqe dhe i bimë.
Presim nga K.N.Çl.P. e nga Partija udhëzim mbi qëndrimin karshi këtyne elementeve, ai bashkimi ishte bashkim jo i lindur nga puna e lufta e përbashkët, ishte bashkim formal, dhe pa baza, kurrgjë përfitim s’kemi vetëm humbje politike.
Teknikën na dërgoni dhe na dërgoni ndonji element të ri që ta punojë, s’kemi asnjë këtej, mund të dërgoni ndonji kandidat për parti, dhe ne fusim mbas pak këtu në parti.
Kemi dhe radjo po s’ka se kush mi merr lajmet. Kemi ba dhe nji furrë për bukë.
Po t’mi dërgoni çadrat do bani mirë, se na duhen për shtabin.
P.S. asnjë plaçkë pa listë mos e dërgoni, dhe pa e shoqnue korrierët deri te shtabi.
Kemi ba nji porosi të madhe materiali nga këta miqt, po t’mi dërgojnë të gjitha këto ju dërgojmë dhe ju mjaft pushkë të vogla automatike për njësit e qytetit, të shofim.
Na premtojnë dhe pare me na dhanë, por ne kur të vij Mislimi do i themi jepjani shtabit madhor.
Mislimi s’gjendet këtu, ka shku atje. Këta miqt kanë insistua që të takohen me Mislimin personalisht e atëhere do i porositim materialet, por dhe unë insistova që këtu ka shtab të qarkut dhe s’kemi punë individuale.
Na tha që janë dërgue me u takua me Mislimin nga shtabi i Kajros.
I thashë janë dërgue dhe prej Shtabit të Përgjithshëm të U.N.Çl. Shqiptare të këtij shtabit.
Atëhere pranoi që të bisedojë me mua, i fola mjaft mirë që mos thotë t’ja fusim këtyne dhe as me e prish me ta.
Këtë letër po e shkruaj natën e me shpejtësi se korrieri niset nesër e s’duam që të vonojë. Prandaj asht e ngatërruar pak dhe nuk di a do e kuptoni.
Dërgoni prap korrierat me plaçkat dhe të marrin raportin për K. Qendror.
Edhe ju kur bani letër e bani të ndarë punën e partis dhe të luftës N.Çl. se munt të ndodhi që letra të këndohet para shtabit.
Për atë aksionin e kombinuem me Dajtin e Çermenikën na dhatë përgjigje që me ba planet.
Tani të falë shoqnore
Shulja
28.8.43
Doktorin s’e kemi pa, po të vij s’e lëshojmë se kemi ma tepër se njizet të sëmurë nga ethet.
Lista e plaçkave të marra në shkollën e Kavajës për nevojat e luftës nacional çlirimtare.
Çarçafë 166 cop.
Kuverta 77 “
Batanije 122 “
Përkavë 13 “
Jastëk me lesh 57 “
Këllëf jastëku 30 “
Pjata 126 “
Lugë 103 “
Lugë të mëdhaja 18 “
Thika 93 “
Pirunj 114 “
Tasa kauçuku 28 “
Tasa alumini 29 “
Kusija alumini 15 “
Kusija bakri 3 “
Kazana 4 “
Kazana alumini 1 “
Tepsija bakri 2 “
Tepsija alumini 10 “
Tava 3 “
Ibrigë 2 “
Sahatë 2 “
Fterë 2 “
Makinë mishi 3 “
Zdrug 1 “
Tela në torkë 1 “
Kanila 2 “
Tasa të mëdhenj bronzi 2 “
Trumpet 1 “
Pinca të mëdhaja 1 “
Radio 1 “
Shalë për kuaj 1 “
Makinë shkrimi 1 “
Makinë qepëse 1 “
Mushama 1 “
Kamineto 2 “
Kjo asht lista përveç deleve, viçave dhe vajgurit.
Çeta e Erzenit ka shpërnda të dhjetën e vjetme 35 qase popullit në katundin Bërzhit Petrelës që ishte mbledhur nga dhjetari.
28.8.43 Shulja
Shkrimi u publikua sot (06.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)