TIRANË – Ndonëse vetë sulmon në çdo rast drejtësinë, kjo nuk e pengoi kryedemokratin Sali Berisha të dilte me kundër pretendimin për çdo arsye që Edi Rama renditi një ditë më parë, se përse sipas tij, pezullimi i Ministres Belinda Balluku është anti-kushtetues. Berisha insiston se Rama mashtron kur thotë se Komisioni i Venecias e quan ndërhyrje në qeveri të gjyqësorit kur pezullon një ministër.
"Komisioni i Venecias, meqenëse i referohet, nuk ka asnjë fjalë në asnjë rresht, në asnjë këshillë për ministrat. Por masën e pezullimit e parashikon së pari për të mbrojtur të dhënat e hetimit. Së dyti për të parandaluar përsëritjen e të njëjtit krim. Kurse për Edi Ramën, vetëm kur të dënohet.
Nëse gjykata, thotë (Rama), e pezullon, ajo praktikisht ndërhyn në punët e qeverisë. Po gjykata dhe prokuroria janë për të ndërhyrë në çështje ku ka krim. E ndërron përbërjen e ekzekutivit. E shpëton ekzekutivin nga kriminelë. Merr kompetenca që i takojnë kryeministrit dhe presidentit. Absolutisht jo. Po kur kryeministri dhe presidenti janë të zhytur gjer te veshët, atëherë del një njeri që në emër të shtetit bën ligjin.", tha Berisha.
Pikëpyetjes së Ramës për proporcionalitetin e masës ndaj Ballukut, i kujton rastin Veliaj.
"Po, është e vërtetë se proporcionaliteti i takon të ishte në burg Lubia. Të jemi të vërtetë këtu. Po pse Erion Veliaj u fut në burg me akuzën 1 milionë euro garderobën, kurse kjo me 50 milionë euro jo? A kemi një standard? A do flasim për një standard? Proporcionaliteti e kërkonte që të ishte në burg, jo pezullim. Në burg.", shtoi Berisha.
Për këtë arsye, thotë se PD do të bëjë padi ndaj kryeministrit.
"PD do të bëjë një padi për mashtrim publik ndaj Edi Ramës. Ai do të paditet që nesër për mashtrim publik para qytetarëve për këto. Nuk ka asnjë dokument të “Venecias” që të thotë se pezullimi i ministrit është shkelje e palejueshme e kufirit ndarës midis pushteteve”, theksoi ai.
Të gjitha këto, thotë Berisha, Rama i bën për të presionuar Gjykatën Kushtetuese, e cila nesër pritet të vendosë mbi kalimin ose jo për gjykim të kërkesës së qeverisë për pezullimin e Ballukut.
Në konferencën për mediat, Sali Berisha u pyet sërish për takimin e Ervin Salianjit, Ilir Alimehmetit me më të votuarit e Primareve, që është interpretuar si një lëvizje kundër tij brenda partisë. Ai tha se është takuar me disa prej tyre, duke shtuar se qëndrimet dhe kritikat duhet të shprehen brenda forumeve të partisë.
“Së pari, unë kam pritur dhe pres çdo ditë anëtarë, mbështetës dhe drejtues të PD, cilido që kërkon takim se persona që i thërras për arsye të miat. Së dyti, kjo parti ka forumet e veta dhe demokratike, në të cilat çdo anëtar, drejtues apo mbështetës është i ftuar të shprehë lirisht çdo mendim. Natyrisht, duke thënë këtë nuk kam ndërmend tu them asnjë njeriu që ato mendime mos i shpreh publikisht edhe në mediat e qeverisë apo ku të duash. Por normale në një parti kudo është që mendimet e propozimet, kritikat të shprehen brenda forumeve të partisë. A kam pritur po? Kanë ardhur prej tyre, kanë ardhur vetë, nuk i kam thirrur asnjërin. Po kanë ardhur, kam biseduar. Ato janë personalitete të çmuara të PD, natyrisht partia si çdo forcë tjetër politike, ka aktivitetin e saj brenda forumeve të saj.”, tha Berisha.
Komente












