Pavarësisht vendimit të 8 gjyqtarëve të Kushtetueses, të cilët me barazi votash lanë në fuqi vendimin e GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv/kryeministren Belinda Balluku, duke rrëzuar kështu qeverinë, kryeministri Edi Rama thotë se nuk do të heqim dorë.
“Ne do ta vazhdojmë këtë betejë” tha Rama, ndërsa shtoi se Gjykata Kushtetuese me një vendim të të një prokurori dhe gjykatësi, lejoji të rimarrë peng qeverinë e Shqipërisë. Që prej nëntorit kur GJKKO lëshoi vendimin për pezullimin e Ballukut nga funksionet shtetërore, Rama e ka cilësuar si një ndërhyrje brutale në pushtetin e ekzekutivit.
“Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, - është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, - por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë”, tha Rama.
Në fund Rama i drejtohet të gjithë kundërshtarëve politike, duke theksuar dhe njëherë pozitën e tij. Kryeministri thotë se as kjo ndodhi nuk do të dobësojë pozitat e qeverisë apo t’i japë një dorë opozitës, përkundrazi Partia Socialiste thotë ai, është i vetmi garant për Shqipërinë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Dy ditë më parë, Gjykata Kushtetuese riktheu në fuqi vendimin e 19 nëntorit të GJKKO-së, Belinda Balluku tashmë nuk është më zv/kryeministre e Shqipërisë. 8 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk arritën dot një shumicë, duke u ndarë 4-4 referuar kërkesës së qeverisë me në krye Edi Ramën, për rrëzimin e vendimit të GJKKO-së. Kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, kërkesa quhet e rrëzuar. Belinda Balluku është marrë e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë, si dhe është në hetim për të 7 lotet e Unazës së Madhe, si dhe për të paktën 3 procedura të tjera tenderuese.
Reagimi i plotë i Edi Ramës:
Shënimi i fundit i ditës, por jo për nga rëndësia, është ai që lidhet me Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë me një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike, siç është pezullimi i një anëtari qeverie nga një prokuror dhe një gjykatës në një seancë paraprake, pra pa filluar akoma gjyqi. Kështu, Shqipëria bëhet për herë të dytë, në dy muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror sepse Gjykata Kushtetuese u mbyt me lugën e ujit të turbullt të tyre që Servantes në librin e tij të famshëm Don Kishoti i Mançës i quan arsyet e Mosarsyes.
Por fakti është që mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministers, e cila, që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks dhe një luks i rrallë që mund ta kërkosh, por vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve politike e mediatike, nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e anëtarit të qeverisë me vendim të një seance të mbyllur të përgatitjes së një gjyqi. Sidoqoftë, zhbërja e kësaj shpikjeje 100% “Made in Albania” e drejtësisë së re dhe e drejtësisë ende të papjekur shqiptare, e cila nuk ka lidhje me rastin dhe çështjen konkrete po me një parim të panegociueshëm të demokracisë mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive të parlamentit nga pushteti gjyqësor.
Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, - është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, - por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë.
Në ndërkohë, kam dhe diçka tjetër.
Kujtdo që ka vënë buzën në gaz apo ka nxjerrë gjuhën jashtë pas mosvendimit të Kushtetueses dhe e bën hosana dhe fërkon duart me kuturisjet e modës së re të arresteve pa gjyq, të cilat arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, - se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, - i futi në një thes, - u them një gjë, - kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, me të gjitha të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re, do të prodhojë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisëse, të cilat do ta kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë dhe natë sepse nuk kupton atë që e kupton shumë qartë populli shqiptar, njeriu i zakonshëm i Shqipërisë. Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse. Kaq e thjeshtë është!.
Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme për urdhër-arrestet që Prokuroria e Durrësit nxori pak ditë më parë, për përgjegjësit për mbetjet e rrezikshme të Kurum, të cilat pasi u kthyen nga Tajlanda, vijojnë të qëndrojnë në Porto Romano.
Gjatë fjalës në podkastin e tij ‘Flasim’, Rama u shpreh se vendimi i prokurorit që preu këto urdhër-arreste ishte i padrejtë, pasi sipas tij, çështja në fjalë nuk përmbush asnjë kusht të drejtësisë demokratike për masën ‘arrest me burg’ ndaj 33 personave.
Rama ‘u preu shpresat’ atyre që sipas tij pretendojnë se ‘lajthitjet’ e drejtësisë së re do të ndihmojnë opozitën për të ardhur në pushtet. Kjo pasi sipas kryeministrit, ai që vendos është vetëm populli shqiptar përmes votës.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Në ndërkohë, kam dhe diçka tjetër. Kujtdo që ka vënë buzën në gaz apo ka nxjerrë gjuhën jashtë pas mosvendimit të Kushtetueses dhe e bën hosana dhe fërkon duart me kuturisjet e modës së re të arresteve pa gjyq, të cilat arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, - se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, - i futi në një thes, - u them një gjë, - kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, me të gjitha të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re, do të prodhojë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisëse, të cilat do ta kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë dhe natë sepse nuk kupton atë që e kupton shumë qartë populli shqiptar, njeriu i zakonshëm i Shqipërisë. Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse. Kaq e thjeshtë është!
Kryeministri Edi Rama është shprehur se paraburgimi pa kriter në Shqipëri është një plagë që duhet të marrë fund.
Komentet Rama i bëri në podkastin e tij ‘Flasim’, ku tha se qeveria është e vendosur të ndërhyjë për ta ndryshuar këtë situatë dhe për këtë sipas tij, po punohet edhe me partnerët europianë.
Po ashtu Rama foli edhe për amnistinë penale, teksa tha se do të lirohen menjëherë 447 persona nga burgjet dhe do të ketë ulje dënimi për qindra të tjerë.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Një tjetër vendim që besoj ia vlen të nënvizohet është miratimi i projektligjit për amnistinë penale. Një akt me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e sistemit tonë të drejtësisë penale, por dhe në frymën e kësaj drejtësie.
Dhe ky projekt përfshin lirimin e menjëhershëm të 447 personave nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ulje dënimi për qindra persona të tjerë, aministimin nga masat alternative të shërbimit të proves, si dhe pushimin e ndjekjes penale për vepra penale të lehta.
Është një vendim që përfaqëson përsëri e përsëri një zgjedhje të qartë politike. Ta orientojmë drejtësinë drejt veprave që paraqesin rrezik real për shoqërinë dhe të shmangim përdorimin disproporcional të forcës represive të shtetit, përmes ndëshkimit penal për raste që nuk e justifikojnë përdorimin e forcës.
Kjo natyrisht do të sjellë pastaj efekt të vetin anësor, por shumë të rëndësishëm edhe uljen e mbipopullimit në burgje, uljen e kostove, por edhe rritjen e investimeve për të rritur cilësinë e jetës në institucionet tona penitenciare.
Ligji është i qartë. Ka kufij të mirëpërcaktuar. Nuk përfshin asnjë vepër të rëndë penale, krime kundër jetës, dhunës, korrupsioni, krimi i organizuar janë të përjashtuara nga amnistia.
Dhe në ndërkohë është një hap konkret që do të pasohet nga të tjerë në raport me idenë totalisht të keqshfrytëzuar dhe të keqpërdorur të paraburgimit
Paraburgimi është një plagë në Shqipëri. Një plagë e evidentuar më së miri dhe më së qarti nga Komiteti për parandalimin e torturës i Këshillit të Europës. Një plagë me të cilën përballet çdo ditë shoqëria dhe ne jemi të vendosur që do të ndërhyjmë për ta shëruar këtë plagë me masa të tjera me atë që e kam quajtur reflektim i madh dhe për të cilin po punojmë me një sërë partneresh shumë të rëndësishëm europian për të bërë ndërhyrjet e duhura dhe pa humbur shumë kohë.
Kryeministri Edi Rama është shprehur se e ka ftuar Papa Leone XIV për të vizituar Shqipërinë, për të qenë i pranishëm ‘në festën e madhe të komunitetit katolik, për 130 vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë nga Papa Leo XIII, mbrojtësja e Shqipërisë, Regina Di Albania’.
Komentet Rama i bëri në podkastin e tij 'Flasim', ku tha se Papa Leone XIV kishte shfaqur shumë interes për këtë ftesë, por nuk i kishte premtuar nëse do të ishte i pranishëm ose jo.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Momenti i veçantë i kësaj jave ishte vizita në Vatikan dhe ndryshe nga vizitat e mëparshme kjo vizitë kishte brenda saj edhe një veçori tjetër të paharrueshme, ndalesën në Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, Regina di Albania, aty ku ruhet shëmbëlltyra e Shën Mërisë, shkëputur nga muri i kishës së vjetër të Shkodrës në vitin 1467.
Asnjë kryetar shteti apo qeverie shqiptare nuk e kishte shkelur pragun e kësaj bazilike, kjo edhe për turpin tim, që këtë ndalesë e kuptova si shumë të rëndësishme vetëm së fundmi.
Bazilika ka dhe një specifikë tjetër.
Ajo është një destinacion i rëndësishëm nën kujdesjen e Urdhrit agustinian që është dhe Urdhri i Papa Luanit të XIV apo të Leonit të XIV.
Nëse të mëparshmit i thoshim Gjon Pali II, këtij do t’i themi Luani i XIV.
Papa Luani i XIV apo Leoni i XIV, ndalesën e parë apo gjënë e parë që bëri pasi u zgjodh dhe pasi doli tymi i bardhë mbi Selinë e Shenjtë ishte pikërisht vizita në bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë. Dhe lutja përpara pikërisht atij imazhi të ardhur nga Shkodra.
Një tjetër moment emocionues ishte edhe qëndrimi në sallën e pritjes përpara audiencës me Papa Luanin XIV ku u ktheva mbrapa në kohë.
Në po atë sallë, në pritje të takimit të paharrueshëm me Papa Françeskun, pasi ai ishte zgjedhur Papë dhe pasi unë isha zgjedhur kryeministër, dhe prej ku, u krijua baza e një miqësie të jashtëzakonshme, e një miqësie, e cila është një ndër gjërat më të bukura të jetës time. E për këtë arsye, edhe homazhi në varrin e thjeshtë, po shumë të bukur, të Papa Françeskut, i cili u bë dhe një mik i madh i Shqipërisë, i cili e mbajti gjithmonë vendin tonë në lutjet e tij, duke përcjellë mesazhe të vazhdueshme dashurie, afërsie, respekti, mirësie për popullin shqiptar, ishte absolutisht prekës.
Nga ana tjetër, patjetër që ishte me një peshë të veçantë, siç mund të kuptohet edhe prezantimi me Papa Luanin XIV. Një karakter, një natyrë krejt e ndryshme nga e Papa Françeskut, por një njeri me një dritë, me një mirësi të thellë, me të cilin sigurisht që folëm për Shqipërinë, folëm për rajonin, folëm për botën dhe të cilin e ftova që të jetë i pranishëm në festën e madhe të komunitetit katolik, pikërisht për 130 vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë nga Papa Luani XIII, mbrojtësja e Shqipërisë, Regina Di Albania. Nuk e di a do të jetë e mundur, por gjithsesi ftesa u bë dhe Papa u shpreh shumë i interesuar.
Në ndërkohë që edhe takimi me Sekretarin e Shtetit kardinalin Parolin ishte pjesë e vizitës, kënaqësi e veçantë, një njeri i rrallë, një personalitet i madh, një njohës i jashtëzakonshëm i punëve të botës dhe po ashtu një dashamirës i jashtëzakonshëm i Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e Këshillit të Ministrave për hapjen e Tik Tok, duke theksuar se ky vendim erdhi pas vendosjes së filtrave dhe mekanizmave të reja mbrojtës.
Komentet Rama i bëri në podkastin e tij ‘Flasim’, ku tha se Shqipëria vendosi një komunikim konstruktiv me Tik-Tokun për rritjen e parametrave të sigurisë, teksa shtoi se vendi ynë nuk është në gjyq me këtë platformë.
“Këtë javë doli edhe vendimi i Këshillit të Ministrave për të hequr masën e bllokimit të Tik-Tokut, është një vendim që e pata lajmëruar kur pata shpjeguar në më shumë se një rast, që për befasinë tonë të këndshme, Tik Tok ishte shumë i hapur dhe shumë aktiv ndërtimin e një dialogu me ne, pasi ne bëmë bllokimin. Dhe nuk është Tik Tok që na ka çuar në gjyq, por dihet kush na ka çuar në gjyq edhe për Tik Tok. Me Tik Tok kemi vendosur jo vetëm një komunikim, por edhe një bazë të re. Kështu që vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është tëheqje, nuk është dorëzim, e aq më shumë mbyllje sysh. Por është rezultat i një procesi serioz rishikimi dhe një pune konkrete adresimi real të shqetësimeve për sigurinë dhe filtrat e nevojshëm, që të ketë shumë më tepër kontroll në kuptimin e mirë të fjalës. Jo censurë, por kontroll mbi gjithë aktivitetin, për mbrojtjen e fëmijëve dhe më të rinjve. Sot Tik Tok është i aksesueshëm sepse janë vendosur mekanizma të reja sigurie”, tha mes të tjerash Rama.
Kryeministri Edi Rama ka folur dhe njëherë për debatin me gjykatësit lidhur me kërkesën e këtyre të fundit për rritje të pagave. Rama tha se nuk do të ndodhë që gjyqtarët të marrin rritje të pagave mbi gjithë të tjerët duke përmbysur rendin.
Me një vendim të Këshillit të Ministrave, pagat për 144 mijë punonjës të administratës u indeksuan me 2.5% Paga referuese për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë shkon 156.825 lekë/ muaj.
Përsëri çështja e pagave të gjyqtarëve ka qëndruar në rendin e ditës.
Ka pasur shumë komente, ka pasur shumë çudira, ka pasur dhe shumë absurditete që e kanë shoqëruar këtë debat, ku për fat të keq përmes disa shoqatash, 2 shoqata gjyqtarësh dhe 1 shoqatë prokurorësh, që gjykatësit janë vetëvendosur në syrin e një cikloni popullor, në kuptimin e një pakënaqësie popullore, lidhur me kërkesën e tyre për të rritur pagat dhe këtë e tregojnë, jo vetëm të dhënat e anketimit tonë të brendshëm, që janë rreth 90% e shqiptarëve që e refuzojnë idenë që gjykatësve duhet t’u rriten pagat, madje ka një përqindje të tyre që thonë duhet të ulen pagat, gjë që është absolutisht e padrejtë, e pamundur dhe e pamenduar nga askush. Ndërkohë që vetë gjykatësit pretendojnë që ne duam t’i ulim pagat dhe më e bukura në një insistim të një arsyetimi absolutisht të pajustifikueshëm për nga shëndeti logjik, zërat që e përfaqësojnë atë kategori thonë se pagat e tyre po ulen për shkak se pagat e të tjerëve po rriten.
Domethënë, edhe një here, çfarë ne kemi bërë me reformën në drejtësi, ka qenë shprehja e një vullneti shumë të fortë edhe në drejtim të rritjes së pagave të gjyqtarëve.
U kemi dhënë atyre mesazhin që taksapaguesit shqiptarë do bëjnë një sakrificë dhe do të paguajnë ekstra për të gjithë ata ndër ju, që pasi të kalojnë procesin e vettingut, do të përballen me sfidën e madhe të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe të ndërtimit të një ngrehine solide, bazuar mbi parimet dhe vlerat e Kushtetutës dhe të jetës demokratike, të atij pushteti në shërbim të qytetarëve dhe si garant i barazisë përpara ligjit dhe këtë bëmë, duke thyer praktikisht piramidën e pagave në çdo vend të botës. Ka një piramidë pagash, e cila fillon me Presidentin e Republikës dhe zbret. Ndërkohë që, në mënyrën më të vetëdijshme pagat e gjyqtarëve, ne i rritëm mbi të gjithë. I rritëm mbi të gjithë për ato arsye që thashë, por nuk i vendosëm mbi të gjithë me idenë që sa herë do rriten këto, do rriten dhe këto dhe që Shqipëria do t’u bëka vendi i vetëm në planet ku mbi të gjithë, dhe të gjitha është kasta e gjykatësve.
Kjo nuk mund të ndodhë dhe kjo nuk ka për të ndodhur. Të paktën jo me me mua dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë si shumicë qeverisëse dhe jo në asnjë mënyrë, si një sfidë ndaj pushtetit gjyqësor, por si një thirrje, si një domosdoshmëri e brendshme e shtetit që të gjitha kategoritë e shërbëtorëve të tij, përfshirë dhe gjykatësit të kenë sensin e së drejtës dhe sensin e shtetit, duke mos kërkuar “qiqra në hell’ as më tepër pastaj, duke përdorur dhe gurin dhe arrën që gjykatësit kanë në dorë vetë. Kjo është shumë e thjeshtë dhe kjo është dhe arsyeja pse unë nuk kam hyrë në asnjë polemikë, me asnjë person se nuk ka asgjë personale në këtë, ndërkohë që siç ndodhi, jam sulmuar personalisht dhe është sulmuar qeveria nga autorët e deklaratës së një shoqate të gjykatësve që jam i bindur që nuk janë konsultuar me të gjithë gjykatësit për tekstin se jam i sigurtë që do t’i thoshin “Ej, po çfarë po bëni, ne jemi këtu për të kërkuar diçka për veten tonë, por nuk jemi këtu për të bërë politikë dhe për të sulmuar qeverinë e kësaj republike si të ishim parti politike”, apo jo?
Gjithësesi, mendoj që pozitive është që nuk ka pasur reagim të reagimit tim. Nuk dua të bëj polemikë, dua vetëm të them që gjykatësit nuk mund të kenë një rritje pagash të përjetshme mbi të gjithë të tjerët, dhe gjykatësit nuk mund ta rrisin pagën e tyre me 2 mijë dhe 3 mijë euro në muaj, plus nga ajo që marrin, që është më e lartë sesa ç’marrin sot të gjithë të tjerët.
Kjo nuk ka për të ndodhur!
Nuk mund të ndodhi!
Nuk duhet të ndodhi dhe shpresoj që Gjykata Kushtetuese t’i vëri vulën një herë e mirë këtij debati absurd dhe këtij debati që e dëmton në sytë e opinionit publik besueshmërinë, padrejtësisht, besueshmërinë e gjykatësve, sepse në këtë rast kemi, thashë një përfaqësi, nuk janë të gjithë, nuk është i gjithë komuniteti që është vendosur në llogore.
Ka një përfaqësi që ka vajtur në Gjykatën Kushtetuese dhe ne jemi atje palë, dhe jemi kundër fuqimisht kundër, dhe jo kundër tyre, por kundër idesë se këtu mund të jetë edhe në këtë rast, ‘alla shqiptarshe’ që s’ndodh në asnjë vend të botës.
Kaq e thjeshtë është kjo!", tha Rama.
Komente











