Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, masë për të cilën thotë se ka cenuar funksionimin e qeverisë. Kreu i qeverisë argumenton teknikisht se përse Gjykata Kushtetuese duhet të pranojë ankimimin e masës së caktuar nga GJKKO-ja, nga Këshilli i Ministrave.

Në një postim në rrjetin social "X", kryeministri shkruan se sot kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthimpërgjigja pozitive e palës kanadeze, i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve transoqeanike midis 2 vendeve. Por sipas kreut të qeverisë, kjo procedurë aktualisht nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit e të nëshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa, Kushtetuta ia jep Belinda Ballukut si ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe kjo e fundit nuk mund të ushtrojë detyrën e saj për shkak së është e pezulluar.

Rama shton kompetencat e vendimmarrëse të ministrit nuk mund të delegohen tek askush tjetër. Më tej, kreu i qeverisë shkruan se ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, prej të cilave 18 janë për rindërtimin, të cilat mbeten të pezulluara, pasi Balluku nuk ka mundësinë e firmës, për t'i çuar përpara.

"Ja konkretisht nga tryeza ime e punës sot, shembujt konkretë, krejt aktualë, pse unë i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit absurd të një anëtari të qeverisë dhe  pse të pezullosh një ministër (për herë të parë në botë) sjell pasoja që cënojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik:

Kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthimpërgjigja pozitive e palës kanadeze, i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e  fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve. Mirëpo kjo procedurë, aktualisht nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit e të nëshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa, Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat e vendimmarrëse të tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër. Kështu që pezullimi ne fjalë, vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, sipas parashikimit.

Por po kështu, aktualisht, ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku vetëm akte për rindërtimin janë 18, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin, ndërkohë që çdo ditë që pezullimi i ministrit zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara", shkruan Rama. 

Reagimi i kryeministrit erdhi teksa nesër pritej një vendim për çështjen e Ballukut nga Gjykata Kushtetuese, nëse do e kalonte ose jo për shqyrtim ankimin e qeverisë. Por, Kushtetuesja njoftoi se Mbledhja e Gjyqtarëve është shtyrë për më datë 12 dhjetor, për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës si dhe mbështetur në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj.

"Në vijim të njoftimeve të mëparshme për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata informon se shqyrtimi paraprak i çështjes nga Mbledhja e Gjyqtarëve do të bëhet në datën 12.12.2025 për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës si dhe mbështetur në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj", informoi Kushtetuesja. 

Më 20 nëntor, Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është marrë e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar. SPAK ka bërë të ditur se po heton dhe një sërë procedurash të tjera prokurimi.

Postimi i kryeministrit Rama

 

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese