Pianoja, ADN-ja e Etrita Ibrahimit

Pianoja, ADN-ja e Etrita Ibrahimit
Në fakt  Etrita Ibrahimi e  ka të vështirë të thotë sot se cili ka qenë profesioni që ëndërronte në fëmijëri, pasi ajo këmbëngulë të tregojë se ajo ka lindur me pianon dhe se ka nisur ta studiojë atë kur ishte 4 vjeç. I duket se në subkoshiencën e saj  ka qenë gjithmonë e sigurtë që pianoja  do të ishte rruga  e saj  dhe  kjo është arsyeja  që nuk ka shprehur ndonjëherë dëshirën për t’u bërë diçka tjetër në jetë. Pianoja, e ka shoqëruar që ditën e pare që ka ardhur në këtë botë për të pohuar qetazi sot, se po, pianoja është ADN-ja  e saj.

Babai i saj artisti i mirënjohur Feim Ibrahimi ka qënë e vazhdon të jetë udhëheqësi i jetës së saj private dhe profesionale. Ai ka qenë mësuesi i saj parë i pianos, por edhe më pas, ai vazhdonte ti jepte këshilla të cilat akoma i zbaton kur studioj. Në vitin 1989, pas dy viteve të para të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në klasën e Prof. Nora Çashku,  Etrita fitoi një bursë studimi në Itali për të vazhduar studimet në Konservatorin “G. Verdi” të Torinos, studime të cilat I konsideron si pjesa më e rëndësishme e jetës së  sajprofesionale, por edhe personale. Gjatë viteve të shkollës pati fatin të studionte  me Prof. Remo Remoli, një nga nxënësit më të dashur të pianistit të famshëm, Arturo Benedetti Michelangeli, i cili i mësoi si duhet “përkëdhelur” tingulli në piano; po ashtu ishte shumë aktive në muzikën e dhomës, duke bashkëpunuar me profesorin e saj të muzikës së dhomës, Prof. Franco Ruffa, dhe me shumë profesorë të instrumentave të ndryshëm (violinë, violonçel, flaut, klarinetë, oboe, fagot, korno), prej të cilëve mësoi ç’do të thotë të luash në ensemble. Mësoi si duhet luajtur muzika baroke, duke studiuar klaviçembalo  me Prof. Giorgio Tabacco, klaviçembalist me shumë emër në Itali.

erieta

E  konsideron  veten me fat,  kur Shoqata Brahms e Baden-Badenit e ftoi para disa vitesh. Ka qenë një ndër  eksperiencat e saj më të bukura, pasi ka jetuar në shtëpinë e Brahmsit në Baden-Baden, një pjesë e së cilës është muze, ndërsa pjesa tjetër është një apartament ku artistë nga bota shkojnë për të kaluar disa javë me Brahmsin dhe veprat e tij. Pas një karrierë plot sukses në Itali, Etri vendosi të kthehej në Shqipëri. “ Qëllimi kryesor i kthimit tim në Shqipëri, ishin veprat e babait tim… “,  thotë Etri në këtë intervistë, ndërsa sot është pianiste në Teatrin e Operës dhe Baletit, skena ku ndihet   komode dhe që sot i duket sikur nuk ishte  larguar ndonjëherë nga Shqipëria! Ajo është Drejtoreshë Artistike e Festivalit Ndërkombëtar “PIANODROM”, festivali më I rëndësishëm sot për sot.

erieta

Thotë se është e lumtur që Prof. Aleksandër Peçi, i ka besuar drejtimin artistik. Është festival që në dy vite ka sjellë 500 vepra, 45 koncerte me pianistë të standarteve botërore, të ardhur nga Gjermania, Franca, Italia, Austria, Hollanda, Anglia, Çekia, Kroacia, si dhe pianistë nga më të mirët nga Shqipëri dhe Kosova, që kanë sjellë shumëllojshmëri veprash dhe stilesh të muzikës botërore, por edhe të muzikës shqiptare.  Por Etrita është edhe pjesë integrale e Fondacioni Kulturor “Feim Ibrahimi”,  i cili ka nisur  shumë herët aktivitetin e tij dhe ka organizuar mjaft aktivitete, si Festivali Ballkanik për fëmijë, Festivali Europian për fëmijë, Festivali i Orkestrave të Harqeve të Ballkanit, java me koncerte të ndryshme me veprat e babait të saj të paharruar nga Etri dhe nëna e saj, Vera Ibrahimi,  e përkushtuar në çdo gjë me vlerë që ka familja e saj.

erieta

F.N : Etrita, ju keni lindur në një familje të njohur artistësh; ishte kjo që ndikoi në përcaktimin e zgjedhjes së jetës suaj profesionale?


E.I: Të qenit fëmijë artisti, bëri sigurisht, që unë tënisja herët studimet e muzikës, duke u përqendruar më shumë tek instrumenti i pianos, pasi ideja fillestare e babait tim, ishte që nëpërmjet pianos, të merrja disa njohuri mbi muzikën. Por nuk ishte kjo arsyeja e zgjedhjes së jetës sime profesionale. Ajo erdhi si rrjedhojë e rezultateve që unë kisha në shkollë, të cilat tregonin se kisha aftësitë e duhura për të ndërmarrë rrugën e bukur dhe të mundimshme të artit muzikor. Natyrshëm pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare,  vazhdova Liceun Artistik “Jordan Misja” e më pas studimet e larta.
F.N Në përgjithësi fëmijët e zgjedhin një profesion në vegjëlinë e tyre… cili ka qenë profesioni juaj?


E.I Në fakt e kam të vështirë të them cili ka qenë profesioni që ëndërroja në fëmijëri, pasi unë kam lindur me pianon dhe kam filluar ta studioj atë në moshën 4-vjeçare, kështu  që më duket se në subkoshiencën time kam qenë gjithmonë e sigurtë që kjo do të ishte rruga ime. Kjo ndoshta është  arsyeja që nuk kam shprehur ndonjëherë dëshirën për t’u bërë diçka tjetër në jetë.

F.N Sa e vështirë dhe sa e bukur është të jesh pianiste?

E.I Të jesh pianiste është diçka shumë e bukur, por jashtëzakonisht e vështirë. Kërkon studim të perhershëm, impenjim kostant fizik dhe mendor, pasi instrumenti nuk mund të lihet qoftë edhe për një ditë (babai im pak me të qeshur më thonte gjithmonë: “Pianon po e le, të la…!”), kërkon sakrifica të shumta dhe sidomos per një grua (pa dashur të dukem feministe), është e vështirë të menaxhosh në mënyrë perfekte familjen, e cila kërkon shumë energji dhe kohë në dispozicion .

F.N Çfarë është pianoja për ju sot?

E.I Edhe dikur, në një intervistë tjetër, më kanë bërë të njëjtën pyetje dhe unë mbaj mend që jam përgjigjur: “Gjithçka”…! Sot mund të them që pianoja është ajo që më ka shoqëruar që ditën që kam ardhur në këtë botë; ajo tashmë është ADN-ja ime, por në këtë pikë të jetës sime, mendoj se pianoja është hija ime që më shoqëron çdo ditë, por familja është ajo që për mua  është gjithçka…!

F.N Cilat kanë qenë marrëdhëniet me babain tuaj, kompozitorin e njohur Feim Ibrahimi, flas për pjesën profesionale, për muzikën dhe punën që ai ka bërë më ju në këtë drejtim.

E.I Babi ka qenë dhe vazhdon të jetë në fakt, udhëheqësi i jetës sime private dhe profesionale. Ai ka qenë mësuesi im i parë i pianos, por dhe më pas, ai vazhdonte të më jepte këshilla të cilat unë akoma sot i zbatoj shpeshherë kur studioj. Babi nuk ishte pianist, por ishte muzikant shumë i kulturuar mbi të gjitha, me një njohuri të thellë të teknikës kompozicionale dhe  interpretative të veprave muzikore dhe kjo për mua ishte ndihma më e madhe, pasi më zgjeronte gjithmonë horizontin dhe më mësoi që një vepër ta studioj në brendësi të saj dhe jo vetëm të luaj notat që lexoj mbi partiturë.

F.N Në 1989, pas dy viteve të para të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në klasën e Prof. Nora Çashku, ju fituat një bursë studimi në Itali për të vazhduar studimet në Konservatorin “G. Verdi” të Torinos. Çfarë do të kujtoni ju në këtë intervistë nga kjo periudhë e rëndësishme e formimit tuaj artistik …?

E.I Periudha e studimeve në Torino ka qenë më e rëndësishmja e jetës sime, përsa i përket formimit tim profesional, por edhe personal. Jam përballur me vështirësi të panumërta, pasi me rënien e regjimit komunist, në vitin 1991, studentëve që ishin me studime jashtë shtetit, iu prenë bursat e studimit dhe të gjithë ne u gjendëm në mes të rrugës pa asnjë ndihmë ekonomike. Falë shpirtmadhësisë së familjes së një shoqes sime torineze, që për mua është familja ime e dytë, arrita të mbaroja studimet që i kisha filluar prej dy vitesh në Konservatorin Shtetëror “G. Verdi” të Torinos, pasi ata më mikpritën në shtëpinë e tyre për thuajse katër vjet, periudhë kur vazhdova dhe mbarova studimet e pianos dhe fillova të punoja (krahas studimeve që vazhdova më pas në klaviçembalo), duke bërë koncerte të shumta në të gjithë krahinën e Piemontes.
Gjatë viteve të shkollës pata fatin të studioja me Prof. Remo Remoli, një nga nxënësit më të dashur të pianistit të famshëm Arturo Benedetti Michelangeli, i cili më mësoi si duhet “përkëdhelur” tingulli në piano; po ashtu isha shumë aktive në muzikën e dhomës, duke bashkëpunuar me profesorin tim të muzikës së dhomës, Prof. Franco Ruffa,  si edhe shumë profesorë të instrumentave të ndryshëm (violinë, violonçel, flaut, klarinetë, oboe, fagot, korno), prej të cilëve mësova ç’do të thotë të luash në ensemble, që është një mënyrë krejt e ndryshme e të luajturit në piano, në krahasim me lojën e një solisteje. Po ashtu mësova si duhet luajtur muzika baroke, duke studiuar klaviçembalo – siç e thashë më lart – me Prof. Giorgio Tabacco, klaviçembalist me shumë emër në Itali. Pra, mund të them që në 7 vitet e studimeve në konservator, unë arrita të njoh shumë vepra, shumë stile, shumë epoka…të gjitha këto të shoqëruara nga profesorët e mi, por edhe nga muzikantë të mrekullueshëm që vinin në Torino për koncerte të ndryshme dhe që fatmirësisht unë arrija t’i dëgjoja shumë shpesh. Të gjitha këto, duke përfshirë këtu edhe eksperiencat e tjera të viteve që vazhduan më pas, përbëjnë atë që unë jam sot: një njeri që punon dhe studion shumë, që përpiqet në çdo moment të bëjë diçka të vlefshme, si dhe një pianiste që kërkon shumë nga vetja, që e konsideron pianon një instrument që e shoqëron në çdo çast të jetës dhe mundohet që ta bëjë atë të “flasë butësisht” në çdo tingull që nxjerr kur luan në të…

F.N Gjithsesi si do ta përcaktoni ju shkollën shqiptare të muzikës, e them këtë pas përballjes që ju patët me shkollën italianë…

E.I Shkolla shqiptare kur unë isha studente, ishte shumë e vlefshme…dhe kjo është pasqyruar qartë në botë në këto vite.  Nuk e di nëse mund të them të njejtën gjë sot, pasi kur kam ardhur fillimisht në Shqipëri, kam mbetur e surprizuar negativisht me nivelin që gjeta këtu…! Kisha ikur në një periudhë, kur shkolla jonë bënte bujë jashtë shtetit, ne të gjithë studionim me orë të stërzgjatura dhe niveli ishte shumë i lartë në të gjitha instrumentat, sidomos në piano dhe instrumentat me hark, pasi ato të frymës ishin më pak të përparuar. Sot, mendoj se problemi nuk është mësimdhënia, por dëshira e studentëve për të studiuar, ndoshta nuk kanë as stimuj për të sakrifikuar rininë e tyre, pasi mundësitë që ofron Shqipëria për ata që studiojnë muzikë, janë tepër të kufizuara dhe ndoshta janë të vetëdijshëm për këtë, por unë do të thoja, që vetëm studimi është ai që hap dyert e botës…sot mundësitë janë të shumta, nuk ka kufizime si dikur, edhe pse për qytetarët extra-UE, ka akoma disa probleme të tilla. Në Europë bëhen vazhdimisht konkurse dhe audicione, ku çdokush mund të marrë pjesë, prandaj duhet punuar shumë për të arritur diçka në jetë; pa punë dhe studim, asgjë nuk është e mundur.

F.N Ju keni realizuar një seri koncertesh në shumë vende; cili do të jetë komenti juaj për këto koncerte?

E.I Debutimi im ka qenë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë kur isha vetëm 10 vjeç, ku luajta si soliste në Koncertet e Majit me orkestrën e bashkuar të shkollave të muzikës së Tiranës, ku dhe u vlerësova me çmimin e parë dhe prej atij momenti fillova një jetë koncertale që me kalimin e viteve u pasurua mjaft me koncerte në shumë vende të Europës. Nuk di të them nëse kam ndonjerin më të dashur se tjetrin…! Seicili ka pasur emocionin e tij gjithmonë të veçantë, edhe në varësi të programit që kam luajtur. Ajo që më ka lënë më shumë mbresë gjithsesi, është fakti që sa  herë kam luajtur muzikë shqiptare jashtë Shqipërisë, është pritur shume mirë dhe kjo më ka bërë gjithmonë të lumtur.

F.N Ju jeni ftuar nga Brahmsgesellschaft në Baden-Baden ku keni qëndruar disa kohë në Brahmshaus, për të njohur më thellë jetën dhe veprën e Brahmsit. Cili është raporti që keni tashmë me këtë kompozitor të madh?

E.I Mund ta konsideroj veten me shumë fat për këtë ftesë që Shoqata Brahms e Baden-Badenit më bëri para disa vitesh. Ka qenë një ndër eksperiencat e mia më të bukura, pasi kam jetuar pikërisht në shtëpinë e Brahmsit në Baden-Baden, një pjesë e së cilës është muze, ndërsa pjesa tjetër është një apartament ku artistë të ndryshëm nga bota shkojnë për të kaluar disa javë me Brahmsin dhe veprat e tij. Aty gjenden partiturat dhe disqet me muzikën e tij, libra të shkruar mbi jetën dhe krijimtarinë e këtij kolosi të muzikës botërore, domethënë është një full immersion në botën brahmsiane prej së cilës kam mësuar si ta trajtoj muzikën e tij kur e luaj në piano dhe them të drejtën kur pohoj se ndjehem “në shtëpinë time” kur jam në mes të notave të tij.

Gjithsesi cili është kompozitori juaj i preferuar dhe pse?

E.I Me gjithë dashurinë që kam per Brahmsin, sidomos pasi njoha edhe jetën e tij private dhe veprat që më parë s’i kisha dëgjuar, kompozitori im i preferuar mbetet Beethoveni.Muzika e tij, që i përket periudhës së klasiçizmit,  është ajo ku unë gjej veten, pasi është brilante, delikate, e gjallë, energjike, e saktë, klasike, por edhe me nota romantike, asnjëherë e trishtuar, por mbart në vetvete një dramaticitet që dallohet lehtësisht nga një vesh ekspert. Të gjitha këto janë karakteristika që mund të përshkruajnë në mënyrë perfekte edhe karakterin tim, prandaj nëse Brahmsi është “shtëpia ime”, Beethoveni është ajo që unë jam, është un-i im…!

Ju keni interpretuar shumë krijime të babait tuaj, Prof. Feimit, cila është ndjesia juaj, kur interpretoni veprat e babait tuaj?

E.I Muzika e tim eti më ka shoqëruar që para se të lindja.Fëmijët kur janë ne barkun e nënës e ndjejnë muzikën; kjo është e vërtetuar shkencërisht, por e kam vërtetuar edhe vetë kur lindi djali im, Mattia ! Gjatë shtatzanisë, përveç të tjerave luaja shpesh kohën e dytë të një sonate të Mozartit, thjesht për eksperiment, pasi në kurset e perfeksionimit që kam bërë pasi u diplomova në konservator, kam studiuar që muzika e tij është ajo më këshillueshmja për një fëmijë gjatë shtatzanisë . Kur Mattia lindi, sapo erdhëm në shtëpi, ia lashë tim shoqi në krah dhe u ula në piano për t’i rënë të njëjtës muzikë: ishte 5 minuta e gjatë, dhe ai femijë që kishte vetëm 3 ditë jetë, nuk lëvizi fare dhe as nuk fjeti, por mbeti deri në fund me sytë (pavarësisht se fëmijët e sapolindur nuk shohin) të hapur dhe të ngulur tek pianoja ! Sapo mbarova filloi të lëvizte, por deri në atë moment muzika që ai njihte, e mbajti “të gozhduar” pas saj ! Pra, duke u kthyer tek pyetja, unë kam lindur me tingujt e babait tim dhe muzika e tij është ADN-ja ime.Sado e vështirë të jetë ajo, arrij ta mësoj shpejt, e luaj pa problem dhe nuk e harroj edhe sikur të kalojë shumë kohë pa e luajtur. Nuk e di, është njësoj sikur ta kem shkruar unë. Kur luaj veprat e babit më duket sikur më flet dhe më thotë atë që do të donte që unë të bëja, si t’i trajtoja ato nga pikëpamja interpretative dhe mundohem t’i afrohem asaj që ai mendonte dhe besoj që ai do të ishte i kënaqur me punën time, nëse do të ishte këtu sot…

Si do ta kujtoni çmimin ndërkombëtar për karrierën “Beato Angelico”, i akorduar nga Bashkia e Romës (Itali) në vitin 2005?

E.I Ka qenë një ditë shumë e veçantë për mua që akoma e kujtoj me endje…ishte 8 Marsi i 2005-ës dhe “Beato Angelico” ishte çmim që iu dha 14 grave të suksesshme, me origjinë të huaj, për kontributin artistik të tyre në Itali. Ndërmjet tyre ishin aktorja Florinda Bolkan (Brazil), këngëtaret lirike Cecilia Nunez Albanese (Venezuela), Nikolova Raina Infantino (Bullgari), piktoret Jessica Carrol (USA),  Nanna Susi (Finlandë), etj. Ishte vërtet një kënaqesi që isha pjesë e listës së këtyre emrave të njohur, por edhe që gjithçka kisha bërë deri atëherë, mori shpërblimin e duhur.

F.N Pse u kthyet në Shqipëri dhe si e shihni ju sot Shqipërinë?

E.I Qëllimi kryesor i kthimit tim në Shqipëri, janë veprat e babait tim…! Jam vajzë e vetme dhe s’kishte kush të merrej me to, pasi mamaja ime, Vera, vërtet është njeri shumë i kulturuar dhe për muzikën ka aq njohuri sa për të marrë një diplomë ad honorem në konservator, nëse kjo do të ishte e mundur, por nuk është muzikante dhe nuk njeh problemet teknike të muzikës.  Nga Roma nuk arrija të bëja asgjë (përveç se i luaja nëpër koncerte). Dhe atëherë im shoq, Alessandro, i cili është njeri që e sheh gotën gjithmonë gjysëm plot nga optimizmi dhe pozitiviteti që e karakterizon, më shtyu  të vinim këtu. Unë e pranova këtë, edhe pse me pak vështirësi të them të drejtën, pasi pas 22 vjetësh më dukej tepër e vështirë të kthehesha në një vend, që edhe pse ishte vendi im, nuk ishte më ai që unë kisha lënë kur isha larguar për studimet e mia në vitin 1989 dhe në të cilin unë kur vija për pushime, nuk njihja më thuajse asnjë. Sot mund të them që jam mjaft aktive në përhapjen e muzikës së tim eti, por edhe të muzikës shqiptare në përgjithësi, pasi kompozitorë si ata, janë Beethoveni dhe Brahmsi ynë, prandaj edhe duhen trajtuar siç e meritojnë. Nuk mund të ketë zhvillim të kulturës, pa mbështetur vlerat e kombit, prandaj është detyra jonë, e fëmijëve të kompozitorëve në radhë parë, por edhe e të gjithë artistëve, që të mbështesim fort dhe të përhapim më tej muzikën tonë.
Për më tepër jam shumë e lumtur që bëj pjesë në këshillin e ri të Albautor-it, dhe më në fund po arrij të shoh një dritë jeshile në fund të tunelit, edhe pse puna që na pret është kolosale, pasi pa hyrë në detaje, mund të them që më parë nuk është bërë asgjë për të drejtën e autorit, përkundrazi… dhe Albautor ishte një shoqëri-fantazëm! Tani, më në fund e pas shumë përpjekjesh,  jemi në rrugën e duhur dhe shpresoj që të gjithë kompozitorët të marrin atë që i takon me të drejtë: Pronësinë Intelektuale, per të cilën unë kam bërë edhe debate, duke folur edhe në median televizive dhe të shtypur.

F.N Sot jeni pianiste në Teatrin e Operës dhe Baletit … si ndiheni në këtë rikthim në skenën më të madhe të muzikës në Shqipëri?

E.I Unë mund të them që në Opera kam lindur. Eshtë skena ku ndihem më komode. Besoj se e  vetmja diferencë kur erdha në fillim, ishte që shumë prej kolegëve të mi, nuk i njihja, sepse kishin kaluar 22 vjet qëkur isha larguar nga Shqipëria, por sot më duket sikur nuk kam ikur asnjëherë!

F.N Ju jeni Drejtoreshë Artistike e Festivalit Ndërkombëtar “PIANODROM”, ku konsiston ky festival dhe cila është platforma e tij?

E.I Festivali “Pianodrom”, është më i rëndësishmi në Shqipëri, sot për sot, dhe jam shumë e lumtur që Prof. Aleksandër Peçi ma ka besuar mua drejtimin artistik të tij. Është festival që në dy vite ka sjellë 500 vepra, 45 koncerte me pianistë të standarteve botërore, të ardhur nga Gjermania, Franca, Italia, Austria, Hollanda, Anglia, Çekia, Kroacia, si dhe pianistë nga më të mirët nga Shqipëri dhe Kosova, që kanë sjellë shumëllojshmëri veprash dhe stilesh të muzikës botërore, por edhe të muzikës shqiptare. Një nga synimet e festivalit tonë, përveç shpalosjes së talentit të instrumentistëve është zhvillimi i kompozicionit; ky është aspekti tjetër shumë i rëndësishëm i këtij festivali. Në këtë moment jemi në proces pune për edicionin e tretë, që shpresojmë që të jetë po aq cilësor, sa edicionet  e tjera.

F.N Fondacioni Kulturor “Feim Ibrahimi”, është krijuar në kujtim të veprës së babait tuaj… cili është aktiviteti i tij i deri më tanishëm dhe idetë që keni në vijim?

E.I Fondacioni ka filluar shumë herët aktivitetin e tij dhe ka organizuar mjaft aktivitete, siç ishte Festival Ballkanik për fëmijë, Festivali Europian për fëmijë, Festivali i Orkestrave të Harqeve të Ballkanit, java me koncerte të
ndryshme me veprat e babait tim, etj. Atë fillimisht e krijoi im atë dhe quhej Shoqëria “Pentaton”. Pas largimit të tij nga jeta, mamaja ime vendosi ta shndërronte në fondacionin “Feim Ibrahimi” dhe unë isha më se e lumtur për këtë zgjedhje të duhur të sajën.
Aktualisht aktiviteti i fondacionit është i përqendruar tek dixhitalizimi i veprave të babit, pasi shumë prej tyre janë dorëshkrime të shkruara me laps dhe që me kalimin e kohës prishen dhe nuk mund të rekuperohen më. Ky është një proces shumë i gjatë, që kërkon shumë kohë, por që shpresoj se do të japë rezultatin e duhur.

F.N Cilat janë disa nga planet tuaja më të afërta artistike?

Pas pak javësh do të kem një koncert me veprat e kompozitorit tonë të mirënjohur, Thoma Simaku, i cili vjen pas shumë kohësh në Tiranë, me këtë koncert që do të jetë pjesë e festivalit “Ditët e Muzikës së Re Shqiptare” dhe për mua, ky do të jetë koncerti i fundit i këtij viti shumë të frytshëm e të suksesshëm. Ndërsa sezoni i ardhshëm parashikon disa koncerte, që shpresoj të mund të realizohen në mënyrën më të mirë të mundshme. Koha do ta vërtetojë sigurisht dhe unë shpresoj që në takimin tonë të ardhshëm, të mund të tregoj me kënaqësi për to…!

Marrë nga ATSH


Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Barcelona fiton El Clasicon e parë të sezonit, Halaand i jep leksione Chelsea-s! Juve barazon, Motta: Chiesa duhet të gjejë një klub tjetër

Barcelona fiton El Clasicon e parë të sezonit, Halaand i jep leksione Chelsea-s! Juve barazon, Motta: Chiesa duhet të gjejë një klub tjetër