/ATSH-Harilla Koçi/.-Edmond Gjikopulli, piktor, pedagog në Unversitetin e Arteve në Tiranë, çeli këto ditë ekspozitën e tij të tretë personale, e cila shënon një moment të rëndësishëm në jetën e tij artistike.

Ajo është konceptuar në dy pjesë, njëra prej të cilave e vendosur në një prej sallave të Universitetit të Arteve dhe tjetra në "Zeta Gallery".
Sigurisht që ka një simbolikë, ky konceptim. Sepse, në një moment, pas një periudhë të gjatë krijimtarie, njeriu kthen kokën prapa, në atë që ka bërë apo ka përjetuar. Për një piktor kjo merr një tjetër vlerë.

"Duke iu rikthyer asaj që kam bërë, pashë se kam një periudhë timen, që mendoj se është shumë interesante edhe për publikun, që është e veçantë për mua, por që besoj se përfaqëson edhe një pjesë të mirë të piktorëve shqiptarë", shprehet Gjikopulli. Kjo, sepse pas viteve '90-të, për piktorët u hapën disa dritare dhe rrugë të reja të eksplorimit dhe në mënyrë të natyrshme, të gjithë rendën të imitojnë mjeshtrat, të provonin atë që nuk ishte provuar deri dje.

"Unë kam bërë shkollën realiste deri në vitin 1990-të dhe pas këtij viti, ishte e lirë të bëheshe abstrakt, të bëheshe kubist, apo surrealist. Pra, si shumë piktorë të tjerë shqiptarë, bëra një shkollë të dytë moderne", argumenton Gjikopulli.

Nga kjo lartësivitesh dhe përvoje, ai ktheu kokën pas dhe pa se mund të krijonte një grup të mirë punësh të kësaj periudhe. Prandaj dhe një pjesë të kësaj periudhe e titulloi "Kthim në muzeun e idhujve". Se ishin idhuj të paprovuar deri atëhere. Pra, kjo pjesë e ekspozitës përfaqëson ato punë, ose bashkimin e atyre që janë realizuar me këtë frymë, me frymën për të ngjasuar, për t'u afruar me korifejtë, me idhujt e modernizmit.Kjo shoqërohet edhe me një libër ku përshkruhet rritja profesionale e autorit nga galeria e vjetër e arteve, ku ai ka banuar, ku është rritur për shkak të trashëgimisë familjare (i ati, Jorgji Gjikopulli, është një nga piktorët e shquar shqiptarë të dekadave të fundit).
Dhe idhujt e parë të tij si fëmijë ishin piktorët e luftës, e tërhiqnin mitrolozët, e tërhiqnin kuajt. Fatmir Haxhiu ishte idhulli i parë i tij i pikturës. "Ndonëse e kisha babanë tim piktor, nuk e vlerësoja atë sa vlerësoja Fatmir Haxhiun dikur", shprehet Gjikopulli, duke na sjellë kështu një perceptim fëminor, të një periudhe kur ai ëndërronte të ecte në këtë fushë dhe ku do ta orientonte e udhëhiqte i ati, një nga emrat më të spikatur në pikturë në Shqipëri.

Dhe me rritjen, ai nisi të ndiqte impresionistët, piktorët shqiptarë si Vangjush Mio. Në këtë proces të natyrshëm, në arkivën e tij të idhujve u përfshinë piktorë të tjerë. "Rruga e rritjes profesionale, kalon përmes idhujve", citon Gjikopulli. Dhe kjo, deri sa vjen një moment që njeriu, artisti, piktori i lë pas ata, por duke marrë diçka prej tyre, të cilën e mban dhe e ruan në ndjesinë dhe staturën e vetë krijuese.

Për të ardhur tek pjesa e dytë e ekspozitës, e emërtuar "Juxtaposition" (pranëvendosje, ballafaqim), që do të thotë ballafaqim pozicionesh. Në fakt, më saktësisht në të përfaqësohen punime që përfaqësojnë ballafaqimin e teknikave, ballafaqimin e fotografisë me pikturën, ku fotografia bëhet pikturë dhe anasjelltas, duke tentuar e konverguar drejt njëra-tjetrës.

Dhe vjen një moment që ato shkrihen në një pikë të përbashkët, të shoqëruara edhe me objekte reale. Kështu edhe ballafaqimi bëhet më i plotë. Pikërisht këtu, merr një vlerë tjetër ekspozita e Edmond Gjikopullit, ndoshta e pangjashme me asnjë tjetër në këto vite në Shqipëri."Ajo çka spikat dukshëm në këtë cikël të pikturave të Edmond Gjikopullit, janë dy elementë: të gjitha pikturat janë besnikërisht, ose në të njëjtin format drejtkëndësh, ose në të njëjtin format katror dhe, pavarësisht nga ndryshueshmëria e ndodhisë, apo subjektit, të gjitha ato kanë të njëjtin meta-subjekt, konsumin", shprehet specialisti Edi Muka.

Sipas tij, në këtë këndvështrim, këto punime përpara se të kërkojnë një përkufizim terminologjik, funksionojnë si një paradigmë tjetër, më filozofike, në atë të marrëdhënies, të raportit, mes "përsëritjes" dhe "ngjarjes", si një metodë për të vlerësuar e konfirmuar njëkohësisht, një të vërtetë, një realitet.
Në një prej cikleve të kësaj ekspozite, ku spikat identiteti, në kuptimin më të përgjithshëm, shfaqet mënyra me të cilën individi e ndërton veten e tij, si pjesë të një grupi të caktuar, kombëtar, klasor, kulturor, etnik, gjinor, profesional etj, por nga ana tjetër edhe me faktin sesi rregullat e këtyre grupimeve ndikojnë në logjikën e sjelljes dhe marrëdhënieve që krijojnë me të tjerët, brenda dhe jashtë grupit.

"Unë përpiqem të bëj një pikturë jo thjesht dhe vetëm dekorative, të bukur e të arrirë teknikisht e të denjë për t'u varur në mure. Ajo që më shqetëson më shumë është një marrëdhënie tjetër, e padukshme dhe e zgjatur në kohë, është marrëdhënia që ajo duhet të krijojë me shikuesin", shprehet Gjikopulli.

Ai nuk arrin dhe nuk mund të veçojë dot, asnjë prej punimeve të ekspozuara. Çdo njëra prej tyre përfaqëson momente të rritjes së tij profesionale, përfaqëson emocione të ndryshme nga të tjerat. Pavarësisht se ai thotë se, e shijon edhe vetë pjesën e rikthimit, sepse kështu të ekspozuara bashkë nuk i kishte parë asnjë herë këto punime, ndërkohë që ka ndjerë dhe provuar edhe gjatë ditëve të ekspozitës, se kjo pjesë ka patur jehonë tek vizitorët, apo kolegët, tek profesionistët. "Ky grup punësh përfaqëson çiltërsinë dhe prek shumë edhe shikuesit, prandaj jam edhe i kënaqur", thotë Gjikopulli. Madje, në vorbullën e përgatitjes së ekspozitës, ai nuk ka arritur të përcaktopjë edhe numrin e punimeve të paraqitura, ndërkohë që përkundër kësaj shprehet se, nuk ka rëndësi numri i punimeve, por cilësia e tyre, ato çfarë ato transmetojnë, mesazhet që përcjellin tek artdashësit.
Ai ndihet mirë teksa i sheh në grup këto punë, që përfaqësojnë jetën e tij më shumë se 20 vjeçare artistike, ndihet mirë kur i ka të gjitha bashkë. Madje, thotë se e ka të vështirë të shkëputet prej tyre, pavarësisht se, kjo është objektive. Sepse vlera e një krijuesi qëndron pikërisht këtu, tek fakti se, ato çka ai realizon, bëhen vlera dhe prona e të gjithëve. Dhe ky fakt, sa e hidhëron, po aq e bën të ndihet edhe mirë. Shumë punime janë tërhequr dhe të tjera do të vazhdojnë të tërhiqen. Në këtë proces të natyrshëm ai do të ndjejë se pjesë nga jeta e tij krijuese, do të përcillen dhe do të qëndrojnë gjithkund, aty ku sigurisht do të jetë edhe mendja e tij.

Gjikopulli ka marrë pjesë dhe është përfaqësuar në dhjetra ekspozita kombëtare e ndërkombëtare mes të cilave në Stokholm (Suedi), Firence (Itali), Prishtinë, Athinë (Greqi), apo në Tiranë. Por për të, kjo ekspozitë personale, ka të tjera emocione.