Kurbin- Një ditë pasi gazetari i Report Tv Julian Shota që kishte shkuar të filmonte pasojat e një shpërthimi me tritol në lokalin e të fortit të laçit Llesh Buraku, atje ku e kërcënuan me armë në fytyrë duke e ndaluar të kryente detyrën, vjen edhe reagimi i policisë së Kurbinit.

Ndonëse u shoqërua 'i forti' i Laçit është akuzuar vetëm për veprën penale "Kanosje për shkak të deyrës" dhe jo për armëmbajte pa leje. Madje që një ditë më parë ai u la i lirë.

Nuk dimë nëse është bërë për të lehtësuar pozitat e pronalrit të lokalit, por policia e Kurbinit thotë se në momentin që kanë shkuar në vendin ku ndodhi kërcënimi nuk kanë gjetur armë zjarri, apo ndonjë send tjetër të kundraligjshëm.

“Rreth orës 15:00, është paraqitur pranë Komisariatit të Policisë Kurbin shtetasi J.Sh. i cili ka kallëzuar se rreth orës 07:00, ka shkuar për të pasqyruar ngjarjen e ndodhur në lokalin ku i është vendosur lëndë eksplozive, dhe është kërcënuar me armë zjarri nga pronari u lokalit, për moslejimin e filmimit të vendngjarjes. Me marrjen e informacionit nga njoftimi i shtetasit J.Sh. tek Policia e Lezhës rreth orës 09:00, është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke kryer të gjitha veprimet hetimore konform rregullave. Nga kontrollet e ushtruara në ambientet në pronësi të shtetasit Ll.B., nuk është konstatuar asnjë armë zjarri apo send tjetër i kundraligjshëm”

Kujtojmë që Llesh Buraku është një personazh i njohur për policinë. Tre vite më parë ai u arrestua pasi dhunoi një inspektor të Inspektoratit të Shëndetit Publik, gjatë inspektimit në lokalin e tij. Për dhunën e ushtruar nga një punonjësi të shtetit që po ushtronte detyrën, Buraku u "dënua" nga Gjykata vetëm me një gjobë prej 150 000 lekë të reja.

Kjo ngjarje vjen vetëm pak ditë pas sulmit me armë zjarri ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala, në të cilën ndodheshin edhe dy vajzat e saj të mitura.