Kurbin- Një ditë pasi u pengua të bëjë punën e tij dhe u kërcënua me armë në fytyrë gazetari Julian Shota shprehet i shqetësuar për atë që mund t’i ndodhë. Ai thotë se njeriu që e kërcënoi është lënë i lirë dhe pyet prokurorinë se kush do të mbajë përgjegjësi në rast se atij apo familjes së tij i ndodh diçka.
Shota thotë ndër të tjera se në momentin e shoqërimit Llesh Burakut i janë gjetur fotot të makinës së tij në celular, por pavarësisht kësaj autoritetet në Laç kanë vendosur ta lënë të lirë.
Miq e dashamirës që mu gjetët pranë në këto momente të vështira ju falenderoj nga zemra për përkrahjen dhe mbështetjen ndaj meje e familjes time, do të thotë shumë për mua...Për ata të sëmurët mendorë që krijojnë hamendësime se kjo ngjarje mund të jetë e sajuar dua ti shpjegoj disa gjera...
Un jam rritur në emigrim, kam ikur që 16 vjeç jashtë, e kam jetuar për shumë vite me dokumente të rregullta dhe me një punë të mirëpaguar...Jam një nga ata që kam djegur dokumentet dhe atë të ardhmen që synoni ju e familjarët tuaj për tu kthyer, për të punuar e investuar në vendlindjen time...pasi vetëm këtu më shijon buka e ajri më shumë dhe se kam në mend të lëviz më nga ky vend...
Kam punuar nga 2002 e deri më sot në mediat më prestigjioze në vend duke mos u bërë ushtar partish apo palë me abuzimet e të keqen...
Kam pasqyruar halle e probleme nga më të ndryshmet në kohë reale duke krijuar plot armiq e miq dhe s’besoj se ka njeri që i ka rënë telefonit tim apo të redaksisë ku unë punoj e unë të mos i jem gjetur pranë në çdo moment...
Për ata që jetojnë jashtë e na bëjnë moral e na mësojnë çështje jete e politike, çështje shteti e kush është e keqja apo e mira në këtë vend, do i ftoja të bënin atë që bëra unë e të kthehen të punojnë e të jetojnë në vendin tonë, me mua e me ne, ose ta mbyllin atë nevojtoren që kanë në vend të gojës e të mos shpifin e hamendësojnë ...
Pse nuk mora 129 apo 139 dhe telefonova shefin?
Unë shefin e njoh prej vitesh dhe ai i ka numrin tim të telefonit kjo qe dhe arsyeja dhe mendoj se sic jemi ne gazetarët të gatshëm në çdo orë e çdo kohë për këdo ashtu duhet të jetë dhe çdo punonjës policie qoftë ai dhe roje komisariati e ti përgjigjet çdo telefonate apo halli të kujtdo...Personi që mua më kërcënoi me armë të mbushur në fytyrë pasditen e djeshme është lënë i lirë pasi prokuroria e Kurbinit e mendoi këshu që zotëria të hetohet në gjendje të lirë pavarësisht se mua mu drejtua arma e mbushur në fytyrë dhe pavarësisht se fotot e makinës time ju gjetën në telefonin e zotërisë...
Në rrethe si Tirana, Fieri, Korca e Gjirokastra kur dikush ushtron dhunë psikologjike ndaj dikujt arrestohet e dënohet, ndërsa në rastin tim kjo nuk përbën krim por hetohet në gjendje të lirë...
Një pyetje kam për prokurorinë:
Nëse mua, familjes e të afërmve të mi i ndodh diçka kush përgjigjet për këte??Dhe njëhere ju falenderoj nga zemra ne emrin tim e te familjes time te gjithve ju qe mu gjetet krah e me inkurajoni... ju jeni ajo pjesa e mire e shoqerise dhe arsyeja pse e bej kte pune qe do vazhdoj ta bej deri ne fund!!!
Gazetari Julian Shota
Gazetari i Report Tv, Julian Shota u kërcënua me jetë dje në krye të detyrës. Gjithçka ndodhi pas shpërthimit të një tritoli në ambientet e një lokali në lagjen nr.4 në Laç. Shota, sëbashku me ekipin e xhirimit të Report Tv, mbërriti në vendin e ngjarjes për raportimin e asaj që kishte ndodhur. Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 01:30 të mëngjesit të kësaj të hëne. Tritoli ishte vendosur tek hyrja e lokalit në pronësi të Llesh Burakut, 53 vjeç, banues në Laç. Duke tentuar të pengojë punën e gazetarëve, fillimisht 53-vjeçari ka filmuar me telefon automjetin e gazetarit të Report Tv, Julian Shota, duke e kërcënuar se nëse transmeton ngjarjen në televizion do ketë punë me të. Sipas Burakut, as policia nuk do ta bënte publike ngjarjen.
Si të mos mjaftonte kjo, Llesh Buraku ka nxjerrë edhe një armë zjarri tip pistoletë, të cilën ia ka drejtuar gazetarit të Report Tv, Julian Shota, duke e kërcënuar me jetë. Në atë moment, siç rrëfen edhe vetë gazetari Shota, kanë ndërhyrë disa të afërm të 53-vjeçarit, duke i bllokuar krahun për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës. Nën kërcënimin e armës, Buraku ka kërkuar që t'i dorëzojnë edhe telefonat, por gazetari Shota dhe kolegët e tij kanë refuzuar ta bëjnë një gjë të tillë.
Julian Shota shoqërohej edhe nga babai i tij, Preng Shota, i cili punon si korrespondent për një tjetër televizion informativ, por nga këta të fundit ka munguar solidarizimi me ngjarjen e rëndë ku dy gazetarë, mes tyre edhe reporteri i tyre, rrezikuan jetën në përpjekje për të pasqyruar lajmin.
Të lumt, gazetar trim dhe i ndershëm.
Përgjigju