PJESA II/ Skafisti: Kelmend Balilin nuk e njoh, në Greqi më bënë presion që ta implikoja

Në pjesën e parë skafisti Petro Dalanaj tregoi për gazetarin Artan Hoxha përgatitjen dhe trafikimin e drogës, ndërsa në pjesën e dytë ai rrëfen momentin e arrestimit në Greqi, në një lokal në Patra së bashku me Kleanth Palajn dhe gjithcka që ndodhi më pas. Në momentin e marrjes në pyetje nga policia greke, ai akuzon se i është bërë presion që të implikonte në këtë cështje edhe Kelmend Balilin, pasi këmbëngulnin se ngarkesa ishte e tij, por Petro Dalanaj deklaron se nuk e njeh dhe se vetëm ka dëgjuar se punon si zyrtar te 'Patentat' (Drejtoria e Rrugëve). Në gjyq ishin 21 të pandehur, nga të cilët dy shqiptarët Petro Dalanaj dhe Kleanth Palajn. Njeriu i akuzuar si skafisti i Balilit, u dënua me 13 vite për dy akuza, por bëri vetëm 2 vite e 10 muaj, pasi gjatë kohës që qëndroi në qeli punoi dhe dënimi u konvertua duke bërë gjithsej vetëm 5.4 vite për t'u liruar nga autoritetet greke. Pas lirimit nga burgu në datë 4 mars, ai u kthye në Shqipëri, por pa u regjistruar në TIMS në doganën shqiptare. Prokuroria shqiptare nuk e di që ky person ndodhet brenda territorit.

Pjesa e pare e intervistës (lexo ketu)

Pjesa e dytë e intervistës së Petro Dalanajt

Në momentin kur shkuat në Athinë, ju morën në pyetje?
Po. Gjatë rrugës, para se të shkonim te zyrat, një nga ata policët që na kishin ndaluar, më tha që do të më çonte në një zyrë, por që nuk do të flisja fare. Unë nuk i ktheva përgjigje. Nuk dija se çfarë bëhej.

Më vonë, kur ka filluar hetuesia, për çfarë ju pyetën? Ju thanë se për çfarë akuzoheshit?
Atje më thanë që një shef i madh do të më pyeste në veçanti. Nuk e kisha fare idenë se çfarë bëhej atje sepse nuk kisha qenë ndonjëherë. Ai më pyeti se nga isha. I thashë që isha nga Saranda. Aty ishte edhe një person tjetër te porta, por që unë nuk e shikoja. Dhe ky shefi më pyeti dy herë se nga isha. I tha atij tjetrit që a e dëgjonte se çfarë po thosha unë. Më pyeti nëse e njihja një person me mbiemrin Balili. Unë i thashë qe nuk e kisha idenë se për kë po fliste. Më pyeti përsëri nëse e njihja dikë që quhej Kelmend Balili. I thashë që nuk e dija se kush ishte sepse nuk e njihja. Shefi më tha se Kelmend Balili ishte i zoti i mallit dhe se unë duhej ta njihja. Unë i thashë që nuk dija gjë dhe që nuk mund të flisja për diçka që nuk e dija. I thashë që njihja Spiro Girën, që ai m’i kishte dhënë lekët për të bërë atë punë. Më kërcënoi se do të dënohesha me burgim të përjetshëm, prandaj duhej të thosha të vërtetën. I thashë që e vërteta ime ishte ajo që unë njihja Spiro Girën dhe jo Kelmend Balilin. Ai këmbëngulte që unë të thosha se e njihja Kelmend Balilin. I kërkova që të më thoshte arsyen, përse unë duhej të thosha patjetër se e njihja. Më tha që malli ishte i Kelmend Balilit. I thashë që ai mund të thoshte çfarë të donte, por unë nuk e dija fare se i kujt ishte malli.

Ju treguan ndonjë fotografi të Kelmend Balilit, për të verifikuar nëse e njihnit apo jo?
Jo.

Gjatë kohës që ju morën në pyetje, kishit avokat?
Jo.

Përkthyes keni pasur?
Jo. Kërkova përkthyes, por nuk më sollën, meqë unë e di pak greqishten. Nuk më sollën përkthyes as në polici, as në gjykatë, as në gjyq.

Nga e dini greqishten?
E di greqishten sepse kam 58 vite që jetoj në Sarandë, kam një jetë këtu, nga televizori, nga shoqëria.

Keni qenë emigrant?
Kam qenë emigrant në Patra, në vitet 1991-1993. Pastaj u ktheva në Shqipëri dhe nuk kam shkuar më në Greqi.

Gjatë kohës që u morët në pyetje, për kë kanë këmbëngulur autoritetet greke? Të kanë nxjerrë përgjime që ju keni komunikuar me personat që kishin porositur ngarkesën?
Jo, as edhe një lloj përgjimi nuk më kanë sjellë, asnjë gjë vërteton që unë kam diskutuar apo kam biseduar. Asnjë gjë nga këto. Thjesht më kanë pyetur. Në polici kanë insistuar për Kelmend Balilin, kurse në hetuesi thjesht më kanë pyetur se çfarë kisha bërë dhe si e kisha bërë punën dhe me kë e kisha bërë. Ndërsa në polici insistuan shumë për Kelmend Balilin, më kanë bërë presion. Më kërcënuan se do të dënohesha shumë, nëse nuk tregoja për Kelmend Balilin.

Përse kanë këmbëngulur te Kelmend Balili?
Nuk e di.

Sipas tyre, ata thoshin që ai ishte pronari i kanabisit, i skafit?
Nuk e di.

Ku këmbëngulnin ata?
Nuk e di. Nuk mund të them një gjë që nuk e di.

Gjatë kohës që ju morën në hetim, bashkë me ju u kap edhe djali nga Borshi, Kleanthi.
Po.

Për Kleanthin, çfarë thatë. Përse ishte me ju?
Kleanthin unë e mora thjesht si një ndihmës, t’i hidhte benzinë skafit, të më ndihmonte meqë edhe ai ishte peshkatar, kur unë duhej të pushoja pak, sepse nuk është rrugë që mund të ndalosh. Deti është i rrezikshëm.

Çfarë u the për Kleanthin, që dinte gjë për ngarkesën?
Unë nuk i thashë Kleanthit që do të merrnim hashash, i kisha thënë që do të punonim me cigare të paligjshme, do të bënim transport.

Në momentin kur ju arrestuan në Patra, kishit telefon me vete?
Po.

Një telefon apo më shumë?
Kam pasur një telefon.

Ka qenë me numër grek apo shqiptar?
Një telefon me numër grek. Numrin që vura në telefon, edhe aparatin e telefonit, ma ka dhënë Spiro Gira.

Sa kohë e keni përdorur atë telefon?
Vetëm ato 2-3 ditë.

E mbani mend numrin?
Jo, nuk e mbaj mend.

Autoritetet greke thonë që ju keni komunikuar, me atë telefon, me Jorgo Alifandiun.
Po.

Thonë po ashtu që keni komunikuar edhe me Klemend Balilin.
Në momentin që unë e njoh zërin e Spiro Girës, kur e njoh zërin, kur kam komunikuar në telefon që në Sarandë, me Kelmend Balilin është e pamundur.

Me sa kujtoni, me kë keni komunikuar me atë telefon?
Vetëm me Spiro Girën, dhe me Alipandiun. Me këta të dy e kisha punën unë. D.m.th. me Spiron nga Saranda, që më thoshte: “ec avash-avash ... ik ... të presin ... çfarë problemi që të kesh do të të respektojë Jorgo kur të shkosh atje ... vetëm se duhet ta çosh atje ... mos u mërzit”, gjëra të tilla.

U arrestua nga policia atëherë Spiro Gira?
Nuk e di. Me ne nuk ka qenë sepse ai ishte në Shqipëri.

Është i lirë? Dini gjë se ku është?
Nuk di gjë.

E keni takuar më?
Jo.

Është interesuar për ju?
Jo, asnjë lidhje.

Sigurisht që në momentin e parë, autoritetet greke, përveç ngarkesës që kishin kapur, janë interesuar që të zbulojnë se kush kanë qenë drejtuesit e këtij grupi. Juve si ju kanë thënë, për cilin person shqiptar apo grek këmbëngulnin ata që ishte drejtuesi i organizatës?
Sipas fjalëve të ashpra që më thoshin mua, më thoshin që duhej të firmosja për Kelmend Balilin sepse sipas tyre, ai ishte organizatori i asaj. Unë i kam kundërshtuar sepse nuk e njihja atë person. Nuk e njoh. Nuk e di që të jetë ai. Nuk e kam parë ndonjëherë. Unë kam biseduar vetëm me Spiron për këtë çështje.

Sa kohë keni jetuar në Sarandë?
Babai im ka qenë ushtarak. Sot kam 58 vite që jetoj në Sarandë. Dhe e njoh qytetin e Sarandës dhe banorët shumë mirë.

Çfarë familjeje keni? Keni fëmijë?
Kam dy djem.

Kelmend Balilin, e njihni personalisht? E keni takuar? Keni dëgjuar?
Për Kelmendin di që është zyrtar, atje ku nxirren patentat. Nuk e di se si quhet ajo ndërmarrja.

Drejtoria e transportit.
Por që të merret me këto gjëra, është ...

Ju vetë, personalisht, e keni kontaktuar më përpara?
Jo, jo.

Keni njohje me të afërm të tij, me vëllezërit?
Jo, jo. Nuk kam. Me sa di unë, ai nuk është sarandjot. Di që ka qenë në një institucion, zyrtar, dhe e njoh si fytyrë, si njeri nga larg.

Autoritetet greke, në dosjen e hetimit që kanë, deklarojnë se ju keni përdorur numrin grek të celularit: 6971713667. E kujtoni ta keni pasur këtë numër?
Nuk e mbaj mend.

Dhe me këtë numër, ju keni komunikuar me një numër shumë të ngjashëm në fakt, duket që janë numra në seri, 6971713683, numër të cilin, autoritetet greke pretendojnë se e përdorte, deri në mbrëmjen e datës 7 maj, Kelmend Balili.
Nuk e di. Nuk e mbaj mend numrin.

Gjatë kohës që ju kanë marrë në pyetje, në Greqi, sigurisht edhe gjatë kohës që gjyqit, ju keni kontaktuar edhe me persona të tjerë që janë arrestuar në lidhje me këtë çështje.
Po.

Çfarë ju kanë thënë? E njihnin ata Kelmend Balilin? Cili ishte qëndrimi që kishin ata?
Kur shkuam në gjyq, ata thjesht e përmendën si emër.

Kush e ka përmendur?
Gjyqtari. Prokurori dhe gjyqtari.

Nëse ju kujtohet, sa të pandehur keni qenë në gjyq?
Kemi qenë 21 veta.

21 veta?
Po, 2 shqiptarë dhe 19 grekë.

Gjatë dëshmive, nuk është përmendur?
Jo. Nga neve që ishim atje të akuzuar, asnjëri nuk e njihte. Unë ata të tjerët nuk i njihja, nuk kisha asnjë lidhje me ata. Nuk i njihja fare. Unë njihja vetëm Spiro Girën dhe Jorgo Alipandiun. Vetëm ata të dy. Vetëm me Alipandiun më prezantoi Spiro Giroja.

Sa kohë ka zgjatur gjyqi në Greqi?
Janë bërë rreth 13 seanca, rreth një muaj.

Në çfarë viti u zhvillua gjyqi?
Ne jemi arrestuar në maj të vitit 2016 dhe në nëntor të vitit 2017, sepse neve na mbaronte afati, është bërë gjyqi.

Gjyqi u zhvillua në Athinë apo në Patra?
Në Athinë.

Gjatë gjykimit, çfarë vendimi u dha për ju?
Unë jam dënuar me 13 vite.

Me çfarë akuze?
Transport i paligjshëm dhe organizatë kriminale.

Po Kleanthi?
Edhe Kleanthi të njëjtën akuzë kishte.

Dhe sa u dënua?
Kleanthi u dënua me 3 vite.

Dhe sa vite burg bëri?
Bëri 1 vit e gjysmë, d.m.th. të nesërmen doli nga burgu.

Po ju, sa burg bëtë?
Unë, kam bërë burg 2 vite e 10 muaj dhe 2 vite e 6 muaj i kam bërë punë, që konvertohet me burg.

Pra e gjithsej 5 vite e 4 muaj.
Po.

Me sa kujtoni, personat e tjerë që kanë qenë në gjyq, çfarë dënimi kanë marrë?
3 grekë janë dënuar me nga 19 vite, unë Petro jam dënuar 13 vite, Kleanthi 3 vite dhe doli të nesërmen pas gjyqit, 16 të tjerë janë dënuar me detyrim paraqitjeje. D.m.th. kanë dalë nga gjyqi, disa ishin brenda dhe u liruan që të gjithë.

Gjatë procesit, është dhënë vendim për Kelmend Balilin? 
Nuk mbaj mend që të jetë dhënë vendim për të.

Kur është lexuar vendimi nga gjykata, dhe besoj se aty janë përmendur emrat një e nga një, ka pasur vendim për Balilin?
Jo.

E kanë dënuar në mungesë?
Jo, as për Balilin, as për Aleksandër Potin, që ishte i akuzuar edhe ai.

Edhe Aleksandër Poti ka qenë i akuzuar?
Po.

Për çfarë ka qenë i akuzuar Aleksandër Poti?
Për të njëjtën çështje.

Ai është kapur në Greqi, ka qenë me juve në burg?
Jo. Ai ka qenë në Greqi dhe ka ikur. Ka ardhur në aeroport ditën që na kanë arrestuar ne, dhe ka ikur.

Gjatë kohës që jeni marrë në hetim, ju është premtuar nga autoritetet greke që, nëse ju tregonit të vërtetën, tregonit se kush ishte pronari i vërtetë i ngarkesës, që e gjitha ajo ishte e organizuar nga Kelmend Balili, a ju është ofruar ndonjë favor, d.m.th. liri, nëse ju tregonit që ai person ishte njeriu që ishte përfshirë në këtë çështje?
Po. Në polici, po. Nuk më kanë detyruar, por më kanë folur ashpër, më kanë thënë që të flisja për Kelmend Balilin. Kurse unë u kam thënë që atë person nuk e njihja. Unë njihja Spiro Girën. Atë njihja, që më kishte paguar. Nuk më kanë detyruar, por më kanë thënë që do të dënohesha shumë.

Gjatë procesit në gjyq, prokurori ka nxjerrë prova, dëshmitarët kanë folur për përfshirjen e Kelmend Balilit?
Asnjë. Asnjë dëshmi. Në 13 seanca gjyqi që janë zhvilluar, asnjë dëshmi nuk ka pasur për Kelmend Balilin. Asnjë fakt.

Kur është lexuar vendimi, nuk e mbani mend që të jetë shprehur edhe dënimi për Kelmend Balilin?
Jo, jo. Nuk është dënuar.

Gjatë kohës që keni qenë në burg, sigurisht që keni kontaktuar me shqiptarë e grekë.
Po, patjetër.

Ke marrë vesh se kush është ky person?
Po, nga televizioni kam dëgjuar shumë gjëra. Edhe kur flisja në telefon me familjen, më kanë thënë që ishte folur në parlament për mua, për Kelmend Balilin. I kam pyetur se kush i bënte këto dhe më thanë që i bënin partitë në funksion.

Ju kanë bërë presion, ose ju kanë kërcënuar juve apo familjen tuaj që, nëse ju tregoni ose përmendi Kelmend Balilin, mund të kishit pasoja?
Jo, jo. Asnjë problem. As me familjen, as me të afërmit, as me fëmijët, asnjë problem nuk kemi pasur.

Gjatë hetimit të bërë nga autoritetet greke, një pjesë e dosjes tashmë ka ardhur në prokurorinë shqiptare, paraqiten disa përgjime, dhe ato tashmë janë si prova të një procesi, ku këmbëngulet që ju keni komunikuar me Kelmend Balilin, kryesisht për mënyrën sesi do ta merrnit ngarkesën në Sarandë rreth datës 5 maj 2016, dhe pastaj për mënyrën sesi do të bëhej zbarkimi në Zaqitho. Personi që përdor numrin me 683 në fund, kush është?
Personi që më ka marrë mua në telefon, ka qenë Spiro Gira.

Jeni i sigurt, për këtë?                      
Po, po.

Pse?
Sepse ia njoh zërin. Unë numrin nuk e mbaj mend sepse numrin ma dha kur do të hipja në mjet. Kur ika më dhanë një numër telefoni, një kartë me numër telefoni. E vura në telefon dhe flisja.

Jorgo Alepandi, e njihte Spiro Girën?
Po.

Po Jorgo, ka folur ndonjëherë për Kelmend Balilin?
S’e kam dëgjuar ndonjëherë.

Nga momenti që dolët, pra që u liruat, si u kthyet në Shqipëri? Ju nuk kishit dokumente identifikimi.
Autoritetet e burgut më dhanë një certifikatë lirimi, emrin tim të saktë, dhe me atë u ktheva. Është si dokument zyrtar.

Si u kthyet?
I hipa autobusit, erdha në Gumenicë. Nga Gumenica prapë me autobus deri në kufi. Pastaj kalova, në Qafë-Botë.

Keni kaluar nëpërmjet pikës doganore, apo në kufirin e gjelbër?
Kalova nga pika doganore e grekut sepse nuk kisha pasaportë. Pasaportën kur ma morën, nuk ma kthyen më. Pastaj kalova nga pika doganore, por jo nga dogana shqiptare.

Pra te dogana greke e ke regjistruar me emër që po del nga territori grek?
Po.

Te dogana shqiptare je regjistruar me emër që po hyn në Shqipëri?
Jo. Nuk jam regjistruar sepse do të kisha probleme nga televizionet, nga çështja, nga të gjitha ato që kisha dëgjuar.

Para se të bënit këtë rrugën me skaf për në Zaqitho, keni bërë më përpara tentativa të tjera?
Jo. Nuk e kam bërë ndonjëherë. Nuk e kisha tentuar. Unë atë e bëra thjesht sepse kisha një kredi që më rëndonte.

Për çfarë e kishit marrë kredinë?
Kisha bërë një dyqan dhe kisha marrë një kredi në bankë. Dyqani nuk po ecte mirë dhe kredinë isha i detyruar që ta shlyeja. Kjo është historia.

Ju thatë që në datën 4 keni dalë nga burgu në Greqi. Në çfarë date jeni kthyer në Shqipëri? 
Në datën 6. Në datën 5 kam qëndruar në Patra. Në datën 6 në drekë kam ardhur në Sarandë.

Tani çfarë do të bëni?
Tani do të vazhdoj jetën e përditshme. Kam varkën e peshkimit.

Në Greqi do ta apeloni vendimin që është dhënë nga autoritetet greke?
Patjetër. Kur të dalë, sepse vonon shumë Apeli në Greqi, gjyqi i dytë.

Gjatë kohës që ishit në burg atje, kishte shqiptarë të tjerë, të dënuar për trafik të narkotikëve?
Po. Shumë.

Si ishte trajtimi në burg?
Normal, pa asnjë problem.

Gjatë kohës që keni qenë në burg, keni thënë që jeni marrë edhe me punë. Konkretisht çfarë keni bërë?
Kam punuar rrobaqepës.

Sa kohë?
2 vite e 4 muaj.

Kërkuat vetë apo jua ofruan?
Në momentin që më çuan në burgun e Patrës, procedura është që të bëjnë analizat se mos ke ndonjë sëmundje, dhe pas 2-3 muajve aplikon për punë, duke shkruar se çfarë profesioni ke. Fati im që kam punuar rrobaqepës shumë vite më parë dhe meqë atje kishte organikë, u futa në rrobaqepësi.

Dhe çfarë qepnit?
Rregulloja rrobat e të burgosurve.

Policia e burgut ndërkohë nuk të krijonte probleme?
Jo, jo, asnjë problem.

Kjo punë paguhej?
Jo. Puna nuk paguhej, por çdo ditë që shkoja në punë, më shtohej një ditë nga burgu.

Gjatë kohës që ju ishit në burg, sigurisht që familja juaj ka pasur probleme.
Po, serioze.

Nëse do t’ju jepej një mundësi tjetër, do ta provonit prapë?
Jo. Është vetëvrasje. Është shumë e vështirë.

Pasi jeni kthyer në Sarandë, sigurisht që jeni njohur me atë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri. Çështja për të cilën ju jeni dënuar në Greqi, është duke u gjykuar në Shqipëri. 
Po, kam dëgjuar nga televizori, kur isha në Greqi, për Kelmend Balilin që është vetëdorëzuar. Kaq di, nuk di gjë tjetër. Kam pyetur shokët e miqtë që kam, dhe kaq di.

Nga momenti që keni ardhur në Shqipëri, ju ka ardhur dikush nga autoritetet shqiptare?
Jo, deri më sot, jo. Unë faktikisht mendoja se do të vinte ndonjë njeri, ose edhe mund të vijë, që të më bëjë ndonjë pyetje. Nuk e di. Unë nuk kam asnjë problem. Letrat janë se çfarë kam thënë.

Deri tani nuk ka ardhur njeri?
Deri tani jo.

Faleminderit!
Ju lutem! Faleminderit edhe juve!

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë