Pjesa shqiptare e liqenit të Ohrit
drejt mbrojtjes nga UNESCO

Pjesa shqiptare e liqenit të Ohrit<br />drejt mbrojtjes nga UNESCO
Pjesa maqedonase e liqenit të Ohrit është shpallur si trashëgimi natyrore që në vitin 1979. Shqipëria do të mund ta ketë gati dosjen në mesin e vitit 2017.

Shqipëria ka rreth 16.61% të territorit të saj, zona të mbrojtura. Një shifër e cila është ndjeshëm më e lartë se ajo e vendeve të rajonit.

Aktualisht janë duke u përgatitur ndryshimet në ligjin për mbrojtjen e këtyre zonave dhe ku për herë të parë futet parimi “dëmtuesi paguan”.

Për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, synohet që sipërfaqja e mbrojtur të arrijë në 18%. Kjo do të rrisë biodiversitetin, por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave ku ato bëjnë pjesë, duke i ndihmuar të dalin nga varfëria.

Deri në vitin 2020 është miratuar një sistem përfaqësues i zonave të mbrojtura, baza e të cilit përbëhet kryesisht nga 15 parqe kombëtare, disa rezervate natyrore të menaxhuara e peizazhe të mbrojtura, në të cilat strehohen vlerat më të mëdha natyrore dhe biodiversitetit në vend.

Përveç kategorive kryesore, përfshihet edhe ajo e Parqeve Natyrore Rajonale, që janë nën menaxhimin e pushtetit vendor.
Në total, numërohen 798 zona të mbrojtura, me sipërfaqe prej rreth 460,060 m².
 
Procesi
Procesi i nominimit të zonës së liqenit të Ohrit, si trashëgimi botërore e UNESCO-s për vlerat natyrore dhe kulturore, ka nisur që në vitin 2012. Ishte Ministria e Mjedisit ajo që hodhi idenë. Pjesa maqedonase e këtij liqeni ku ndodhen edhe dy të tretat e sipërfaqes, në fakt është pjesë e kësaj trashëgime që në vitin 1979.

Është një ndër liqenet më të vjetër në botë me një vlerë të lartë të biodiversitetit. Tashmë ka ardhur koha që pjesa shqiptare të jetë pjesë e kësaj trashëgimie. Në këtë kontekst, edhe bashkëpunimi ndërkufitar mes dy vendeve merr një rëndësi më të madhe.

Projekti është miratuar nga Komisioni Europian, si pjesë e fondeve IPA. Në total bëhet fjalë për një fond prej rreth 2 mln euro, ku 1.7 mln euro është kontribut i KE-së dhe pjesa tjetër, e qeverisë shqiptare
(240,000). Ky fond shërben për nominimin, si dhe për përgatitjen e dosjes që do të shqyrtohet nga UNESCO e që do të mund të jetë gati nga mesi i vitit 2017.
Pjesë përbërëse e projektit është edhe hartimi i një plani financimi për këtë zonë, pasi nuk është e mjaftueshme vetëm shpallja. Ky është një detyrim që duhet të bëhet për njohjen e zonës nga UNESCO, si dhe për përdorimin e qëndrueshëm të territorit e mbrojtjen e elementeve natyrore dhe kulturore.

Është e nevojshme që të hartohet një dokument bazë, që është plani i menaxhimit të zonës, për të cilin në një fazë të dytë do të vijohet me zbatimin.

Deri në janar të vitit 2017, do të duhet të ketë përfunduar drafti i parë i planit të menaxhimit. Edhe në këtë rast do të ndiqet procesi i konsultimit dhe duke qenë se kemi të bëjmë me një pasuri natyrore, por do të diskutohet edhe me palën maqedonase. I gjithë procesi do të kërkojë katër deri në pesë muaj kohë për të përmbyllur konsultimet dhe komentet. E në mesin e vitit 2017 dosja do të duhet të jetë gati për t’u paraqitur në UNESCO.

Dosja, së bashku me planin e menaxhimit dhe kërkesën, do të mund të shqyrtohet nga UNESCO. Më pas ekspertët e saj do të vijnë për të verifikuar në terren të gjithë situatën. Ekspertët do t’i përkasin fushës së kulturës e natyrës, që do të shohin me hollësi të gjithë terrenin.

Në fazën e parë parashikohet të jepen rekomandime dhe përfundime nga Komisioni Vlerësues. Nëse ato janë pozitive, atëherë do të mund të kemi njohjen e zonës.

Por, duke do të jetë vetëm një e treta e liqenit të Ohrit që do të bëjë pjesë në trashëgiminë botërore. Harta do të zgjerohet edhe pak më tej, për shkak të veçantive natyrore dhe kulturore, në burimet e Drilonit, si dhe në Lin.
Po sa rëndësi merr përfshirja në këtë listë? Çfarë do të thotë për komunitetin?

Përfitimet janë të shumta, por ato duhet të orientohen në drejtimin e duhur, pasi duhet të këtë ndërthurje jo vetëm natyrore, por edhe kulturore e promovim. Turizmi i qëndrueshëm do të mund të jetë një vlerë e shtuar për një zonë e cila do të promovohet si një pasuri ndërkombëtare, do të bëhet e dallueshme për të tjerët dhe do të jetë një ‘markë’.
Deri në fund të zbatimit të tij, projekti do të synojë të arrijë të realizojë këtë element.

Pushteti vendor, gjithashtu do të ketë rol të rëndësishëm, pasi do të duhet të garantojë vijueshmërinë e këtij projekti. Bashkisë do t’i krijohet mundësia që të fitojë financime edhe përmes projekteve të ndryshme që do të vijnë nga donatorët e huaj.

Megjithatë, është ende herët për të folur për një shifër të përafërt të asaj se cili do të jetë përfitimi ekonomik që do të vijë nga përfshirja e kësaj zone në listën e UNESCO-s. Plani i menaxhimit, i cili është drejt përfundimit, do të japë një vlerësim të përafërt ekonomik.

Një tjetër element për të cilin po punohet është edhe hartimi i planit të menaxhimit vendor për mbetjet në zonën e liqenit të Ohrit, që do të jetë ndihmesë për bashkinë. Përmes këtij dokumenti do të mund të nisë zbatimi i disa projekteve pilotë prioritarë, që do të sjellin në vëmendje rëndësinë e reduktimit të ndotjes dhe menaxhimin më të mirë të mjedisit.

Komponenti i fundit, por jo më pak i rëndësishmi, ka të bëjë me ndërtimin e kapaciteteve në nivel qendror dhe vendor për trajnimin e administratës që i përket këtij sektori.

Ne besojmë se projekti për përfshirjen e rajonit të Ohrit në këtë pasuri botërore do të mund të përfundojë deri në 2018-n.
Nominimi dhe miratimi është ndër projektet prioritare që ka Ministria e Mjedisit, pasi synohet që të mos krijohen vonesa në marrjen e statusit.

Ky projekt që mbështetet në masën më të madhe nga Komisioni Europian, ka edhe një qëllim tjetër, atë të ndërveprimit kufitar. Do të krijohet një organizëm (komitet menaxhimi) i cili do të veprojë në të dy vendet dhe do të koordinojë veprimet e përvojat. Ky menaxhim do të shërbejë edhe në të ardhmen për të ndihmuar në tërheqjen e fondeve përmes aplikimit të projekteve, pasi ka më shumë garanci.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Iu gjet 16 kg kokainë në makinë, arrestohet 29-vjeçari shqiptar në Itali

Iu gjet 16 kg kokainë në makinë, arrestohet 29-vjeçari shqiptar në Itali