Henri Haxhiraj, i arrestuar një ditë më parë në Lezhë, i akuzuar si pjesë e grupit që kishin ngritur një laborator për falsifikimin e dokumenteve, është vëllai i këngëtare së njohur, Sheila Haxhiraj.

34-vjeçari Haxhiraj u arrestua bashkë me tre persona të tjerë, Petref Musabelliun, Arjan Reugjatin dhe Erigesj Morigën, pas 3 muajsh hetime nga prokuroria. Ata kishin ngritur laboratorë në Lezhë, Tiranë e Elbasan për falsifikimin e dokumenteve të identifikimit me shtetësi të huaj, përkatësisht bullgarë dhe spanjollë, kundrejt një shume nga 500 euro deri në 300 mijë euro. Ndërkohë u shpallën në kërkim edhe dy persona të tjerë.

Rrjeti i falsifikatorëve, në shënjestër kishte klandestinët që kërkonin të kalonin nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së. Por hetimet provuan se nuk kanë munguar as shqiptarët që kanë kërkuar të kenë një identitet fals si shtetas të vendeve të BE.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa ambiente në Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, u sekuestruan pasaporta dhe karta identiteti bullgare, karta identiteti spanjolle, pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi italiane, fotokopje dokumentesh të huaja e shqiptare, pasaporta shqiptare, certifikata, 11 njësi kompjuterike, karta bankash, laptopë, USB që përmbanin të dhëna personale të disa shtetasve të huaj të mashtruar nga të arrestuarit.