Është ekstraduar nga Italia në Shqipëri Suled Elezi, i njohur ndryshe si anëtar i grupit të organizuar kriminal të Elvis Doçit alias Visi i Pojës. Elezi është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga GJKKO në kuadër të operacionit ‘Ura’ku u godit grupi i Visit të Pojës të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.

Ndaj Sueld Elezit, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.

Elezi akuzohet se në vitin 2020, në bashkëpunim me 2 të tjerë, ka trafikuar 2 kg Kokainë në Itali, ndërsa gjatë vitit 2021, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 932 kg Kokainë në Itali.

Ndërkohë është ekstraduar nga Shqipëria drejt Gjermanisë, Roy Garin 43 vjeç i akuzuar në shtetin gjerman për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Mashtrimi me shuma të mëdha”, në 33 raste.

Nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar është ekstraduar shqiptari Altin Shehu 34 vjeç, i akuzuar për vrasjen me thikë të një shoferi letonez më 12 gusht 2025.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë