Anëtarja e PL-së në Këshillin Bashkiak të Durrësit, Anisa Ibraj, përmes një deklaratë nga selia e Partisë së Lirisë, ka hedhur akuza ndaj Bashkisë Durrës se ka vijuar pagesat ndaj inceneratorit të Tiranës.
Sipas Ibrajt, Bashkia Durrës ka nënshkruar një marrëveshje të re që parashikon 7.2 milionë euro të tjera për depozitimin e mbetjeve urbane në landfillin e Sharrës.
Sipas saj, ky shërbim nuk nuk përfshin as procesin e incenerimit.
‘Ne kërkojmë pezullimin e marrëveshjes, hetim të plotë të përgjegjësve dhe transparencë për çdo qindarkë të taksave të qytetarëve të Durrësit’, tha ajo.
Deklarata e plotë:
Partia e Lirisë denoncon publikisht vendimin e Bashkisë Durrës për të vijuar pagesat ndaj kompanisë, e cila ndodhet nën sekuestro nga SPAK për aferën e inceneratorit të Tiranës.
Në kundërshtim me çdo parim të transparencës dhe përgjegjshmërisë publike, Bashkia Durrës ka nënshkruar një marrëveshje të re që parashikon 7.2 milionë euro të tjera për depozitimin e mbetjeve urbane në landfillin e Sharrës, një shërbim që nuk përfshin as procesin e incenerimit.
Tarifa prej 29 euro për ton është cilësuar nga SPAK dhe KLSH si abuzive, por sërish, bashkia zgjedh të mbyllë sytë dhe të vazhdojë një kontratë që dëmton qytetarët e Durrësit.
Ndërkohë, mbi 10 milionë euro në vit nga buxheti bashkiak shkojnë për menaxhimin e mbetjeve, një sektor që vazhdon të jetë i pasigurt, pa standarde dhe me dyshime të thella për korrupsion.
Ky vendim është fyerje për qytetarët dhe një akt i pastër abuzimi me fondet publike, që duhet ndalur menjëherë.
Ne kërkojmë pezullimin e marrëveshjes, hetim të plotë të përgjegjësve dhe transparencë për çdo qindarkë të taksave të qytetarëve të Durrësit.
Si anëtare e Këshillit Bashkiak e Partisë së Lirise ne Bashkinë Durrës jam këtu në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe nuk mund të lejojmë që të vazhdojë një mashtrim i tillë me paratë publike qe ne fakt duhet te ishin investuar ne pastrim konkret të qytetit te Durrësit!
Komente









