Një sherr për motive të dobëta, ka degjeneruar në përdorim të thikës dhe në plagosjen e dy personave në Sarandë.

Burime për Report TV bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr.4 të qytetit, ku në konflikt ishin përfshirë disa persona.

Të plagosur mësohet se kanë mbetur shtetasit Enea Qorri dhe Arnest Gjonçaj, ndërkohë që Policia ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, si autorë të dyshuar të ngjarjes.

Mësohet se 27-vjeçari Gjonçaj, banues në fshatin Gjashtë, është i goditur me thikë pas shpine dhe është nisur me urgjencë drejt Tiranës. Fatmirësisht sipas Policisë, të dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Sarandës ka nisur hetimet për ngjarjen dhe po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të saj.

Njoftimi i Policisë:

Sarandë-Për motive të dobëta, dëmtuan me sende të forta dhe me mjet prerës, 2 shtetas, arrestohen 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1.

2 të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas njoftimit të marrë në orët e para të mëngjesit të sotëm, për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në lagjen “Baba Rexhep”, Sarandë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u arrestuan shtetasit M. H., 24 vjeç dhe Xh. S., 27 vjeç, si dhe u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi F. Gj..

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit A. Gj., M. H. dhe Xh. S. kanë shkuar në banesën e shtetasit B. Q., ku për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta (shkopinj) dhe me mjet prerës, shtetasit E. Q., B. Q. dhe A. Q.. Si pasojë janë dëmtuar shtetasit E. Q dhe A. Gj., të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Punohet për kapjen e shtetasit F. Gj., si dhe në drejtimin e Prokurorisë, punohet për të zbardhur dhe dokumentuar të gjitha rrethanat e këtij rasti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.