Një 38-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri pasditen e kësaj të enjteje në qytetin e Korçës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:15, në lagjen nr. 4, në zonën e unazës së qytetit.

Sipas informacioneve, i plagosuri është Dhimitër Shaka, ndërsa autor i ngjarjes është Nikolin Tarusha, tashmë i shpallur në kërkim. Dy personat mësohet se janë kushërinj dhe dyshohet se mes tyre ka pasur fillimisht një debat për motive të dobëta, i cili më pas ka degraduar në përdorimin e armës së zjarrit.

Shaka është qëlluar me një plumb në këmbë dhe është transportuar në Spitalin e Korçës, ku po merr ndihmë mjekësore. Policia konfirmon se 38-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 15:15, në lagjen nr. 4, dyshohet se shtetasi N. T. ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin Dh. Sh., 38 vjeç, për motive të dobëta.  

38-vjeçari po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën 

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për kapjen e autorit të dyshuar. 

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë