TIRANË- Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, mbrëmë u krye ekstradimi nga Roma, Itali, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar, Besnik Dilaver Sejdo, vjeç 41, lindur në Tiranë dhe banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me Vendimin Nr.353,  datë 01.04.2013, e ka dënuar  me 5 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të "Plagosjes së rëndë me dashje" dhe "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake", parashikuar nga nenet 88/2 dhe 278/2 të Kodit Penal.
I ekstraduari Besnik Sejdo në datën 20.08.2011, rreth orës 20:00, tek Rruga "Vangjel Noti" Tiranë, për motive të dobëta ka qëlluar me arme zjarri automatik, shtetasin Dritan Sh., duke e lënë fillimisht të plagosur rëndë dhe më pas ky shtetas ka gjetur vdekjen.  Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në Aeroportin Nënë Tereza në Rinas ky shtetas iu dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. /ATSH/