TIRANE - Policia e kryeqytetit ka mundur të gjejë mbrëmjen e sotme motorin me të cilin dyshohet se Anglin Bejko ka lëvizur pasi ka plagosur 2 ditë më parë një 23 vjeçar pranë urës Vasil Shanto në Tiranë.

Djali i ambasadorit shqiptar Behar Bejko në Emiratet e Bashkuara Arabe, është autori i plagosjes së 27-vjeçarit Martin Nanaj mbrëmjen e 23 janarit, në zonën e “Vasil Shantos” në kryeqytet.

Aglind Bejko është shpallur në kërkim, ndërsa në orët e vona të mbrëmjes policia e kryeqytetit ka ndërmarrë një aksion- kontroll në zonën e Vasil Shantos për arrestimin e mundshëm të djalit të ambasadorit tonë në Dubai

Aglind Bejko 25 vjeç, djali i ambasadorit Behar Bejko qëlloi me dy plumba pistolete miniblow 27-vjeçarin Martin Nanaj nga Fieri, i cili u plagos në këmbën e majtë. Ngjarja, sipas policisë, ndodhi për motive të dobëta pas një grindje momentale: “Pse më pe?” mendohet se ka qenë shkaku i grindjes mes dy të rinjve.

Mbrëmjen e djeshme grupi hetimor bëri me dije për Shqiptarja.com dinamikën e ngjarjes: Nanaj ka qenë në shoqërinë e një personi tjetër dhe pasi kanë debatuar me Aglind Bejkon në një nga lokalet në zonën “Vasil Shanto”, kanë dalë jashtë dhe është qëlluar.

aglind bejko
(Foto, Aglind Bejko)

Ndërsa sot paradite policia solli një njoftim zyrtar ku raportonte se ndaj djaloshit nga Fieri me banim në Tiranë kishte nisur procedim penal.

"Filloi procedimi penal nga Seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit për kapjen e shtetasit Aglind Bejko 25 vjeç, lindur ne Fier dhe banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se më dy ditë më parë rreth ores 23:00 në rrugën “Mustafa Qosja”, përballe me hotel “DIPLOMAT 1”, pas nje grindje për motive të çastit ka plagosur rëndë me armë zjarri në këmbë shtetasin Martin Novruz Nonaj 27 vjeç. Po punohet për kapjen e autorit tashmë të identifikuar si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Nenet 88 & 278/2 te K.P", bëhet e ditur në njoftimin zyrtar të policisë.

NANAJ I PLAGOSUR NE SPITAL

Nanaj u dërgua në Spitalin Ushtarak dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale mjekët thanë se është jashtë rrezikut për jetën. Policia deklaroi mbrëmjen e 23 janarit se autori i kësaj plagosjeje ishte identifikuar, por për arsye hetimore nuk bëhej i ditur emri i tij. Djali i ambasadorit shqiptar Behar Bejko në Emirateve të Bashkuara Arabe, është shpallur në kërkim nga policia.

aglind bejko
(Foto, Aglind Bejko)

AGLIND BEJKO I ARRESTUAR DHE NE 2009

Aglind Bejko rezulton të jetë arrestuar edhe më parë në vitin 2009, ku u përfshi në një sherr mes të rinjsh po në të njëjtën zonë, te kryqëzimi i “Vasil Shantos”.  Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, Aglind Bejko u vu në pranga në atë kohë për “moskallëzim krimi”, ndërsa në sherr u përfshinë 7 të rinj.

Ngjarja e cila tronditi qytetarët të cilët ishin kalimtarë në rrugë, por edhe ata që ndodheshin brenda lokalit ku nisi grindja mes të rinjve, ndodhi akoma pa kaluar 24 orë nga atentati mafioz i cili i mori jetën Admirim Sakos pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës në rrugën “Nikolla Jorga” në kryeqytet.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)