Gjykata e Beratit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 45-vjeçarin Zamir Skënderi që plagosi policin Arsen Toska.
Skënderi ka mbërritur në ambientet e gjykatës nën masa të rrepta sigurie, ndërkohë që seanca e sotme u krye me dyer të mbyllura.
Prokurorja e çështjes ka kërkuar që masa e arrestit në burg të caktohet për veprat penale "Vrasja me dashje e Punonjësve të Policisë së shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj", dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve.
Avokati mbrojtës i Skënderit ka shpjeguar se autori ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën efektin e drogës. Vetë 45-vjeçari ka shprehur pendesë duke deklaruar se "nuk mban mend se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur."
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 18 majit në dalje të fshatit Kutalli të bashkisë Dimal. Zamir Skënderi kërkohej nga Kuçova, por arrestimi i tij u bë në Fier dhe duhej transportuar.
Gjatë lëvizjes me automjetin e policisë në aksin Fier–Kutalli, 45-vjeçari i ka marrë armën e shërbimit në brez efektivit të policisë që e shoqëronte, Arsen Toska, 20 vjeç, në pjesën e pasme të mjetit dhe ka qëlluar 1 herë në drejtim të tij, duke e lënë të plagosur në kofshë, plumbi i së cilës ka dalë në anën tjetër.
Mes policit dhe të arrestuarit nuk ka pasur asnjë përleshje, pasi veprimi i Skënderit ka qenë i menjëhershëm.
Pas ngjarjes, ai ka tentuar të arratiset, por është neutralizuar dhe arrestuar nga efektivët që ndodheshin në mjetin tjetër të policisë.
Komente









