PEQIN- Dy ditë pas plagosjes me plumb qorr të punonjësit të burgut, Idajet Paja, është arrestuar autori i dytë i kësaj ngjarjeje e ndërsa është shpallur në kërkim i treti.
Burime zyrtare i thanë Shqiptarja.com se në pranga ka rënë I. S., 34 vjeç, banues në Peqin, si dhe u shpall në kërkim 34-vjeçari E. K..
Sipas uniformave blu, tre të rinjtë kanë qenë nën efektin e alkoolit dhe kanë qëlluar në ajër me kallashnikov, në drejtime të ndryshme dhe si pasojë e të shtënave njëra prej predhave ka renë në gjendje të lirë, duke lënduar punonjësin.
Njoftimi i plotë i policisë
"Arrestohet autori i dytë i ngjarjes ku u lëndua lehtë nga një plumb qorr, një punonjës i IEVP Peqin, si dhe shpallet në kërkim autori i tretë. Menjëherë pas ngjarjes, në kohë rekord, Policia arrestoi një nga autorët, gjeti dhe sekuestroi në automjetin e shtetasit të arrestuar edhe armën me të cilën këta shtetas kishin qëlluar në ajër.
Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 28.04.2020, në Peqin, ku u lëndua lehtë nga një plumb qorr një punonjës i IEVP Peqin dhe u arrestua në flagrancë shtetasi G. K., 35 vjeç, banues në Peqin, si rezultat i punës profesionale dhe hetimore të bërë nga grupi i posaçëm hetimor i DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje.
Si rezultat i kësaj pune u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dytë të kësaj ngjarjeje, konkretisht shtetasi I. S., 34 vjeç, banues në Peqin, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. K., 34 vjeç, dhe vijon puna intensive për kapjen e tij. Shtetasit G. K., I. S. dhe E. K., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nën efektin e alkoolit dyshohet se kanë qëlluar në ajër me armë zjarri kallashnikov, në drejtime të ndryshme dhe si pasojë e të shtënave dyshohet se njëra prej predhave ka renë në gjendje të lirë, duke lënduar lehtë punonjësin e Policisë së Burgut Peqin.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan për veprimet e mëtejshme.
Komente








