Dorian Vangjeli, 24 vjeçari që mbeti i plagosur në dorë pak ditë më parë në zonën e Yzberishtit, rrëfen për “Shqiptarja.com” të gjithë atë se çfarë ndodhi mbrëmjen e 25 Shtatorit. Vangjeli thekson se nuk ka asnjë lidhje me autorët dhe nuk i njeh ata. Ndërkohë, vetëm një ditë pas ngjarjes, policia arrestoi 24 vjeçarin Iljaz Avdillari, e ndërsa shpallën në kërkim kushëririn e tij, Fatmir Avdillari i njohur me nofkën “Xubi”.
Intervista për Shqiptarja.com
Dorian, ju jeni personi që mbetët i lënduar pak dtë më parë në zonën e Yzberishtit. A mund të na thoni çfarë ka ndodhur? Sipas policisë dyshohej se ju kishit sende të jashtëligjshme me vete. Si qëndron e vërteta?
Unë isha bashkë me vëllain. Kisha shkuar për mik tek tezja dhe po ktheheshim. Duke mos i njohur rrugët mirë në atë zonë, hyra në një rrugë që në fund ishte e bllokuar. Kur po kthehesha pas me makinë, papritmas na dalin tre persona. Nuk i njihja.
Sa na erdhën te makina ime, më drejtuan armën dhe më thanë: “Ku po shkon”? I trembur, i kapa armën dhe e shtyva jashtë makine. Në atë moment i jap gaz makinës, arma u shkrep dhe nuk ka pasur të shtëna të tjera. Pas kësaj qëndrova tek karburanti aty pranë dhe lajmëruam policinë. Ishte edhe një qytetare që lajmëroi policinë. Me vete nuk kishim asnjë send të jashtëligjshëm.
Çfarë ndodhi më tej?
Shkuam në rajonin numër 6. Na morën në pyetje bashkë me vëllain e na lanë të lirë.
Çfarë deklaruat?
Gjithçka po ju them ju, kam thënë edhe në polici.
Policia ka shpallur në kërkim një person me shumë rrezikshmëri dhe një e ka arrestuar. I njihni?
Nuk njoh asnjë nga ata persona. Unë jetoj jashtë vendit dhe zonën ku po kaloja nuk e njoh. Për më tepër zona ishte pa drita dhe nuk shihja asnjë rrugë dalëse.