Një 49-vjeçar ka ndërruar jetë pasi u godit me thikë mbrëmjen e 23 shtatorit brenda një lokali në rrugën “Marko Boçari” në Tiranë. Viktima, Kreshnik Cara, u plagos në pjesën e barkut pas një konflikti me 50-vjeçarin Toni Nake.

Cara u transportua me urgjencë në spital, ku ui nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirugjikale, por nuk i mbijetoi dot plagëve, pasi ishte plagosur disa herë më thikë në zonën e barkut. 

Ndërkohë, policia ka arrestuar edhe autorin e dyshuar të plagosjes. Edhe pse iku nga vendi i ngjarjes, arratia e tij nuk zgjati shumë. Burime bëjnë me dije se edhe 50-vjeçari po dërgohet në spital, pasi edhe ai ka mbetur i lënduar.

"Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Marko Boçari” ishte dëmtuar me mjet prerës shtetasi K. C., 49 vjeç, shkuan në vendngjarje për të sqaruar autorësinë dhe rrethanat e rastit.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve të shpejta hetimore e operacionale, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi T. N., 50 vjeç.

Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se 50-vjeçari ka plagosur me mjet prerës 49-vjeçarin, pas një konflikti për motive të dobëta", njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë