Kryeministri britanik Rishi Sunak prezantoi një ditë më parë projektligjin për dëbimin e emigrantëve, por Agjencia e Kombeve të Bashkuara thotë se ky projeligj i propozuar nga qeveria britanike është shumë shqetësues dhe shkel të drejtat e njeriut.

Përfaqësuesja e UNHCR-së në Mbretërinë e Bashkuar, Vicky Tennant, i tha BBC-së se ky ligj do të bllokonte edhe qëndrimin e atyre emigrantëve që kanë një arsye të vërtetë për të emigruar. Sipas saj, kjo masë do të shkelte ligjin ndërkombëtar dhe nuk është e nevojshme për të ndaluar kalimet në kanalin e La Mansh.

"Ne jemi shumë të shqetësuar. Kjo në fakt po mbyll qasjen në azil në MB për njerëzit që vijnë në mënyrë të parregullt. Ne besojmë se është një shkelje e qartë e Konventës së Refugjatëve dhe mbani mend se edhe njerëzit me pretendime shumë bindëse thjesht nuk do të kenë mundësinë t'i parashtrojnë ato."

Konventa për Refugjatët, e rënë dakord për herë të parë në 1951, është një traktat shumëpalësh që përcakton se kush kualifikohet si refugjat dhe detyrimet e shteteve nënshkruese për t'i mbrojtur ata.

Zonja Tennant tha se Mbretëria e Bashkuar ka një "traditë të gjatë humanitare" dhe se çështjet me migracionin mund të trajtohen me kontrolle të duhura dhe një sistem të administruar më mirë.

"Vëreni sistemin e azilit të funksionojë," tha ajo. "Bëni një proces të drejtë, efikas dhe më të shpejtë të procesit të azilit.

"Nëse njerëzit nuk kanë të drejtë për azil, kthejini ata në vendet e tyre dhe nëse kanë, atëherë lejojini të integrohen dhe ta çojnë këtë proces shumë më shpejt."

Sipas projekligjit të të qeverisë britanike, personave që hyjnë në mënyrë të paligjshme në vend nuk do t’u lejohet të bëjnë kërkesë për azil dhe do të dëbohen në vendet e tyre apo në të ashtuquajturat vende të treta të sigurta.

Sunak, e ka përcaktuar si një prej pesë përparësive të tij ndalimin e anijeve, pasi numri i emigrantëve që mbërritën në bregun jugor të Anglisë kapërceu në mbi 45 mijë vitin e kaluar. Kushdo që zbulohet se ka hyrë ilegalisht në vend do të bllokohet gjithashtu për nënshtetësisë britanike në të ardhmen.

Kryeministri Rishi Sunak ka thënë se ai është "i gatshëm për luftë" për të sjellë ligjin dhe për të kapërcyer çdo sfidë ligjore. Por, laburistët kanë thënë se planet rrezikojnë të "përkeqësojnë kaosin".