Plani ekstrem i PD, të hënën nis
mosbindja civile, bllokojnë rrugët

Plani ekstrem i PD, të hënën nis<br />mosbindja civile, bllokojnë rrugët
Kriza politike në Shqipëri pritet të përshkallëzohet javën që vjen. Në ditët e para të muajit të tretë të protestës me turne para Kryeministrisë, Partia Demokratike do të ekstremizojë aksionin politik, me qëllim krijimin e një qeverie teknike dhe shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare.

Vendimi është marrë dje gjatë një mbledhjeje të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, me krerët e degëve të Partisë Demokratike. Strategjia konsiston në kalimin nga protesta e përditshme para Kryeministrisë në demostrimin e formave të para të mosbindjes civile, me qëllim rritjen e presionit ndaj shumicës në pushtet për pranimin e kushteve, por edhe për rritjen e tensioneve politike në kuadër të nisjes së negociatave, tashmë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Brukselit.

Bllokimi i rrugëve
Partia Demokratike do të tentojë bllokimin e përkohshëm të akseve kombëtare në të gjithë vendin ditën që do të zbarkojnë në Tiranë negociatorët e Brukselit për zgjidhjen e krizës politike. Pikërisht, pasditen e të hënës së 24 prillit, kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, njëherësh nënkryetar i PPE, David McAllister do të vijë në Tiranë për zgjidhjen e krizës. Sipas informacioneve, njeriu i kancelares Angela Merkel do të shoqërohet nga raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckeshtein. Pjesë e këtij misioni pritet të jetë edhe eurodeputeti Eduard Kukan, por ky i fundit është ende i pakonfirmuar. Në këtë kuadër, bllokimi i rrugëve, që do të çojë në acarimin e qytetarëve, është një mesazh i qartë i Partisë Demokratike para negociatave.

Mbledhja
Kreu i Partisë Demokratike, dega Shkodër, Ramiz Çoba konfirmoi për Shqiptarja.com përshkallëzimin e protestës, duke kaluar në mosbindje civile. Pas mbledhjes, Çoba theksoi se, protesta në çadrën para Kryeministrisë do vijojë pa afat, por krahas çadrës, do të organizohen protesta paralele, për të kaluar në mosbindje civile. Në mbledhjen e djeshme të Bashës me kryetarët e degëve janë përcaktuar deri diku edhe format e mosbindjes civile. Burime pranë opozitës thanë se në mbledhje është vendosur që të bllokohen akset më të rëndësishme kombëtare në të gjithë vendin, si hapi i parë për të çuar vendin drejt paralizimit dhe destabilizimit.

Bllokimi
Fillimisht, trafiku në akset kombëtare do të bllokohet për një orë, por me kalimin e ditëve, rrugët do të bllokohen për një kohë më të gjatë. Prova e parë do të jetë ditën e hënë. Në këtë kuadër, krerët e degëve të Partisë Demokratike janë porositur nga Basha për të mobilizuar bazën e partisë, në funksion të zbatimit të planit të ri. Ndryshimi i strategjisë vjen në një kohë kur kriza politike ka marrë një tjetër rrjedhë, për shkak të mbarimit të afatit ligjor për regjistrimin e koalicioneve partiake në zgjedhjet e 18 Qershorit dhe në një kohë kur Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë gati të marrin pjesë të ndara në zgjedhje, pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike. Po ashtu, ndryshimi i planit vjen në një kohë kur çadra para Kryeministrisë nuk po dikton lëvizje të reja në kampin e mazhorancës.

Mbledhja me aleatët
Po gjatë ditës së djeshme, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me krerët e partive aleate, në kuadër të ndryshimit të planit të protestave kundër mazhorancës. Sipas burimeve, Basha i ka informuar krerët e partive aleate për aksionin e ri politik. Përpos protestës kombëtare që do të nisë PD ditën e hënë, në fokus të mbledhjes kanë qenë edhe përgatitjet për protestën që do të mbahet në Kavajë në datë 7 Maj, ditën e zgjedhjeve lokale. Për të përgatitur protestën e 7 majit, prej disa ditësh, më shumë se 10 deputetë janë zhvendosur në Kavajë. 

Protesta ditën që vijnë negociatorët e huaj për krizën politike
Opozita ka vendosur që të nisë protestën mbarë kombëtare ditën që në Shqipëri do të vijnë për të negociuar zgjidhjen e ngërçit, David McAllister.
 
Pikerisht pasditen e te hene 24 prillit, kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, njeriu i kancelares Angela Merkel dhe nënkryetar i PPE, David McAllister vjen në Tiranë.

Ndërsa më 25 prill do nisë diskutimet me palët. Sipas informacioneve, ai do të shoqërohet nga raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckeshtein dhe Eduard Kukan, ky i fundit është ende i pakonfirmuar.
 
Strategjia e PD për protestën në Kavajë
Përpos protestës kombëtare që do të nisë PD ditën e hënë, selia blu së bashku me opozitën e bashkuar janë duke përgatitur edhe protestën për në Kavajë në datë 7 Maj, ditën e zgjedhjeve lokale.
 
Sipas burime nga PD për të përgatitur protestën e 7 Majit prej disa ditësh më shumë se 10 deputetë janë nisur për në Kavajë
.
Regjistrimi i koalicioneve, Basha kërcënon KQZ
Kryetari i PD gjatë fjalës së tij në çadër ka kërcënuar KQZ që të mos e pranojë kërkesën e PS dhe LSI për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve, pasi në të kundërt do t'i dërgojë për ndjekje penale.
 
"Edhe sot u përpoqën që të shkelin ligjin. KQZ ka refuzuar pranimin e kërkesës dhe sot nuk ka koalicione zyrtare, por duhet ta hedhë atë kërkesë poshtë, pasi po nuk e hodhët jeni në kushtet e shpërdorimit të detyrës dhe do iu cojmë për ndjekje penale.
 
Nuk ka kompromis me ëndrrën e shqiptarëve, por një gatishmëri për dialog që i shërben zgjidhjes, ne vijmë me kërkesat e shqiptarëve, që përbëhen nga dy pjesë të lidhura
" deklaroi Basha. 

Kryetari Denar Biba tha se është e pamundur një vendimmarrje e tillë por sipas tij hapësira kohore deri me datën 29 prill kur duhet të regjistrohen listat e kandidatëve në zgjedhjeve është momenti fundor kur palët politike mund të bëjnë manovrat e tyre për këtë proces. 

Kushtet e PD, Basha: Pakt Kombëtar dhe qeveri teknike
Ndër të tjera Basha sot bëri thirrje për një pakt kombëtar, që sipas tij do të garnatojë zgjedhjet e lira, por gjithmonë përmes një qeverie teknike.
 
Kreu i PD Lulzim Basha nga çadra e protestës i ka dhënë përgjigjen skenarit që mund të ketë mazhoranca, për zgjedhje në 10 korrik, pas shpërndarjes së Parlamentit me moszgjedhjen e Presidentit.
 
"Në 24 orët e fundit pazari i peshkut që është qelbur nga koka, ka filluar manovrat. Pazari i peshkut mendon që tani që nuk po ia del dot, të negociojë një pazar politik që të mbajë në këmbë republikën e vjetër dhe kjo përbëhet nga platforma e parë; hajde të bëjmë edhe luftën kundër drogës dhe krimit dhe kushtet për zgjedhje, por hajde se i bën Ed Rama.
 
Pra njeriu përgjegjës për shndërrimin e Shqipërisë në Kolumbi, ky do besimin tonë që mund të luftojë drogën dhe krimin.
 
Së dyti, njeriu që solli kriminelët në pushtet kërkon të bëjë dekriminalizimin dhe së treti njeriu që shkatërroi 4 palë zgjedhje, thotë do të garantojë kushtet për zgjedhje të lira.
 
Por as të vetët nuk e besojnë. Rama nuk e ka dhe nuk do ta ketë kurrë besimin për të kryer këto detyra si kryeministër.
 
Rruga tjetër thotë hajde të bëjmë qeveri teknike dhe në zgjedhje për 10 korrikun. Pra qeveria teknike fasadë.
 
Që mos ketë 10 korrikun, po them meqë po qarkullojnë këtë idenë se do shpërndajnë parlamentin se nuk zgjidhet presidenti, do futemi në krizë kushtetuese, kushtetuta mbi të gjitha, 10 korriku, pra qeveri teknike, por a ka ajo kohën e mjaftueshme për të zbatuar mandatin e saj që shqiptarët të votojnë të lirë nga krimi dhe droga? Sigurisht që jo
", tha Basha.
 
Redaksia Online
dy.b/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg