Në miratimin që i bëri  programit qeverisës nëj muaj më parë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti paralajmëroi një lëvizje shumë të fortë, duke shprehur vendosmërinë e qeverisë së drejtuar nga ai për të paditur Serbinë në Gjykatën Europiane të Drejtësisë. Për herë të parë për këtë çështje ka folur edhe Kryeministri Rama. Në një intervistë për media në Serbi, Rama ka shprehur rezervat e tij ndaj planit të Kosovës.

Kryeministri shpreh se palët duhet të fokusohen tek e ardhmja për të zgjidhur njëherë e mirë problemet e së shkuarës.

Duke nënvizuar se megjithatë vendimi përfundimtar i takon klasës politike në Prishtinë dhe jo Tiranës zyrtare, Rama u shpreh se kjo do të ishte jo një iniciative që do të sillte rezultate.

“Së pari, kjo është një çështje shumë e komplikuar në aspektin e përmbajtjes ligjore. Së dyti, unë mendoj dhe e kam thënë publikisht, në bisedime dhe po jua them edhe juve, ne duhet të fokusohemi tek zgjidhja e këtij konflikti dhe tek e ardhmja. Dhe ne duhet të mendojmë më shumë se sa vite mund të vazhdojmë të humbim duke mos zgjidhur këtë konflikt. Nuk ka fitues pa zgjidhje. Gjenocid është një fjalë shumë mirë e përkufizuar në arkitekturën juridike të njerëzimit dhe mendoj se do të ishte jo një iniciative që do të sillte rezultate, që do të ndihmonte paqen dhe bashkëpunimin, por është një vendim i pavarur i tyre dhe jo i imi apo i shqiptarëve”, tha Rama.