Axios raporton për atë se çfarë i ka thënë një zyrtar i lartë amerikan në lidhje me propzimin. Disa shpjegime të pikave kryesore të planit agjencia i shpjegon si më poshtë:  

Pse ka rëndësi: Ukraina dhe mbështetësit e saj do ta shihnin këtë si një lëshim të madh ndaj Rusisë. Sipas zyrtarit amerikan, Shtëpia e Bardhë mendon se Ukraina ka gjasa t’i humbasë ato territore gjithsesi nëse lufta vazhdon, “prandaj është në interesin e Ukrainës të arrijë një marrëveshje tani”.

Për ta shpjeguar: Dy çështjet më të vështira në bisedimet për Ukrainën deri tani kanë qenë se kush do të kontrollojë cilin territor pasi lufta të përfundojë dhe si mund të sigurohet Ukraina që Rusia të mos e rifillojë luftën më vonë.

  • Plani me 28 pika i Trump parashikon që Rusia të marrë kontroll të plotë de facto të Luhanskut dhe Donetskut (së bashku të quajtura Donbas), pavarësisht se Ukraina kontrollon ende rreth 14.5% të territorit atje, sipas analizës së fundit nga Instituti për Studimin e Luftës.
  • Edhe pse do të ishin nën kontroll rus, zonat në Donbas nga të cilat Ukraina do të tërhiqej do të konsideroheshin zona të demilitarizuara, ku Rusia nuk do të lejohej të vendoste trupa.
  • Në dy rajone të tjera të shkatërruara nga lufta, Kherson dhe Zaporizhzhia, vijat aktuale të kontrollit kryesisht do të ngrinin në vend, me Rusinë që do të kthente një pjesë të territorit, në varësi të negociatave.

Mes rreshtave: Sipas planit të Trump, SHBA dhe vende të tjera do të njihnin Krimenë dhe Donbasin si territore ligjërisht ruse, por Ukraina nuk do të kërkohej ta bënte këtë.

  • Një zyrtar ukrainas pohoi se plani përfshinte gjithashtu kufizime për madhësinë e ushtrisë ukrainase dhe armëve të saj me rreze të gjatë, në këmbim të garancive të sigurisë nga SHBA.
  • Zyrtari ukrainas konfirmoi gjithashtu se plani i SHBA përfshin koncesione territoriale të Ukrainës në Donbas.
  • Nuk është e qartë se çfarë përfshijnë garancitë e sigurisë amerikane përtej një premtimi për të mbrojtur kundër agresionit të mëtejshëm rus.

Intriga: Sipas dy burimeve me njohuri të drejtpërdrejta, Katari dhe Turqia janë të përfshira në hartimin e planit të ri të Trump dhe në mbështetjen e përpjekjeve të ndërmjetësimit të SHBA.

  • “Ndërmjetësimi i Katarit dhe Turqisë ndihmoi në përfundimin e luftës në Gaza dhe mund të ndihmojë në përfundimin e luftës në Ukrainë,” tha njëri prej burimeve.
  • Një zyrtar i lartë katarias mori pjesë në bisedimet midis të dërguarit të Trump, Steve Witkoff, dhe këshilltarit të sigurisë kombëtare të Zelenskyt, Rustem Umerov, fundjavën e kaluar, thanë burimet.

Prapaskenat: Një burim me njohuri të drejtpërdrejta tha se Umerov ishte i autorizuar nga Zelensky të negocionte me Witkoff, dhe shumë prej komenteve të tij u përfshinë në tekstin e planit me 28 pika.

  • Burimi pretendoi se u arritën shumë mirëkuptime gjatë bisedimeve me Umerov.
  • Një zyrtar ukrainas konfirmoi se Zelensky e dërgoi Umerov-in të njoftohej për planin amerikan, por tha se ishte një informim verbal dhe Umerov nuk mori një propozim me shkrim nga Witkoff.
  • Zyrtari ukrainas mohoi se këshilltari i Zelenskyt kishte pranuar kushtet e planit gjatë takimit dhe pretendoi se Ukraina kundërshton shumë prej pikave.
  • Para takimit me Umerov, Witkoff zhvilloi diskutime të gjera mbi planin me të dërguarin rus Kirill Dmitriev.
  • Disa detaje të planit të Trump u raportuan fillimisht nga Financial Times.

Pika e tensionit: Si pjesë e mbështetjes turke për nismën paqësore të Trump, Witkoff kishte planifikuar të vizitonte Ankaranë të mërkurën dhe të mbante një takim trepalësh me Zelenskyn dhe ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan, tha një zyrtar amerikan.

  • Zyrtari amerikan pretendoi se takimi u shty kur u bë e qartë se Zelensky po tërhiqej nga mirëkuptimet e arritura me Umerov dhe nuk ishte i interesuar të diskutonte planin e Trump. Në vend të kësaj, Zelensky po udhëtonte për në Ankara me një plan tjetër të hartuar me partnerët evropianë, të cilin Rusia nuk do ta pranonte kurrë, tha zyrtari amerikan.
  • Një zyrtar ukrainas tha se takimi u shty sepse Zelensky kërkoi që plani të diskutohej në një format më të gjerë, duke përfshirë vendet evropiane.
  • Një zyrtar i dytë amerikan tha se një skandal i brendshëm politik në Ukrainë që përfshin hetime për korrupsion kundër disa prej këshilltarëve më të afërt të Zelenskyt ishte një arsye tjetër për shtyrjen e takimit.
  • Zyrtari tha se Trump i kishte dhënë autorizim Witkoff-it të përpiqej të arrinte një marrëveshje me Zelenskyn në Turqi dhe mbështeti vendimin për të anuluar takimin me presidentin ukrainas.

Çfarë pritet të ndodhë: “Tani do të presim. Topi është në fushën e Zelenskyt,” tha zyrtari amerikan. Ai pretendoi se Zelensky mund të vijë në Uashington për të diskutuar planin e ri amerikan, nëse dëshiron.

//Axios