Benjamin Netanyahu, do të mbledhë mbrëmjen e kësaj të diele kabinetin e sigurisë për të diskutuar zbatimin e planit me 20 pika të presidentit amerikan Donald Trump për Rripin e Gazës.

Sipas medias izraelite Ynet, kabineti pritet të miratojë vendosjen e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza, si dhe dërgimin e rreth 4 mijë palestinezëve në Egjipt për t’u trajnuar si pjesë e forcave të reja policore. Për këtë të fundit nevojitet paraprakisht miratimi i shërbimit izraelit të sigurisë së brendshme, Shin Bet.

Ministrat pritet të japin gjithashtu dritën jeshile për hyrjen në territorin palestinez të materialeve dhe pajisjeve të nevojshme për projektet humanitare dhe infrastrukturore.

Sipas televizionit izraelit Channel 12, këto masa pasqyrojnë marrëveshjet e arritura gjatë një bisede telefonike mes Netanyahut dhe Jared Kushner, dhëndrit dhe të dërguarit të presidentit amerikan.

Mes projekteve që pritet të zbatohen është ndërtimi i banesave të përkohshme në Rafah, në jug të Rripit të Gazës, me financim nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjithashtu, parashikohet nisja e punës së Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, një organ i përbërë nga teknokratë palestinezë, që do të marrë përsipër administrimin e territorit në vend të Hamasit.

Mbledhja e kabinetit izraelit vjen një ditë përpara se i dërguari i Këshillit të Paqes, Nikollaj Mlladenov, të flasë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Mlladenov e ka paralajmëruar Netanyahun se Këshilli i Paqes mund të heqë dorë nga mandati për menaxhimin e rindërtimit të Gazës, nëse Izraeli nuk respekton angazhimet e marra në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit të tetorit 2025.


Lajmi kryesor:

Qeveri uniteti në Izrael? Netanyahu dhe rivali i tij Eisenkot nisin negociatat! Propozohet rotacion në postin e kryeministrit