Një gjyqtar nuk vihet në provë për pavarësinë e tij vetëm kur përballë ka pushtetin politik, një interes të fuqishëm apo një presion të jashtëm. Ndonjëherë, prova më e vështirë e pavarësisë është përballja me vetë institucionin ku ushtron funksionin.
Pikërisht këtë parim kushtetues ka vënë në provë konflikti ndërmjet Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Një konflikt që nuk lindi as nga gjyqtarët, as nga ndonjë sjellje abuzive individuale e avokatëve, por nga një vendimmarrje administrative e gjykatës, e kundërshtuar nga avokatët dhe gazetarët për cenimin e të drejtave të mbrojtjes, publicitetit të gjykimit dhe kompetencave të trupave gjykuese.
Pra, në origjinë të konfliktit nuk qëndrojnë gjyqtarët, por administrimi i gjykatës.
Në vend që konflikti të mbetej ndërmjet organit administrativ që nxori aktin dhe subjekteve që kundërshtuan ligjshmërinë e tij, ai u zhvendos në sallën e gjyqit. Gjyqtarët filluan të vendosin gjoba ndaj avokatëve që zbatonin vendimin e bojkotit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Kështu, një konflikt administrativ po shndërrohet në një përballje ndërmjet gjyqtarëve dhe avokatëve.
Por gjyqtarët nuk janë palë në këtë konflikt dhe nuk duhet të bëhen të tillë.
Sigurisht, gjykata ka detyrimin të garantojë zhvillimin e procesit dhe të parandalojë pengesat e pajustifikuara. Por këtë detyrim duhet ta ushtrojë duke vlerësuar individualisht rrethanat e çdo procesi dhe sjelljen e çdo mbrojtësi. Kompetenca për të vendosur një gjobë procedurale nuk është “kamzhik” institucional. Ajo shërben për të vlerësuar një sjellje konkrete, në një proces konkret, mbi shkaqe konkrete.
Seria e gjobave me shuma dhe arsyetime të njëjta ngre një shqetësim serioz: a po vlerësohet sjellja individuale e avokatit, apo autoriteti gjyqësor po përdoret për t'iu kundërpërgjigjur vendimit të Dhomës së Avokatisë?
Gjyqtari nuk ka detyrimin të solidarizohet me administratën e gjykatës, të mbrojë prestigjin e saj apo të disiplinojë profesionin e avokatit. Ai ka detyrimin të zbatojë ligjin, edhe kur kjo nënkupton mospajtim me drejtuesit e gjykatës, edhe kur nënkupton të vendosë ndryshe nga kolegët.
Pikërisht këtu provohet pavarësia.
Ky konflikt ka thelluar edhe krizën e mirëbesimit ndërmjet institucioneve dhe aktorëve që duhet të garantojnë drejtësinë. Gjykata, avokatia dhe media nuk kanë të njëjtat funksione apo kompetenca, por secila, brenda rolit të vet, i shërben një garancie themelore të shtetit të së drejtës: ushtrimit të drejtësisë nën kontrollin e ligjit dhe të publikut.
Avokati nuk është vartës i gjykatës. Gazetari nuk është vartës i administratës së saj. Gjyqtari nuk është vartës i drejtuesve administrativë të institucionit. Secili ushtron një funksion të pavarur që duhet respektuar.
Respekti nuk nënkupton konformizëm, as mungesë kontrolli. Por kontrolli nuk mund të shndërrohet në armiqësi institucionale dhe kompetencat ligjore nuk mund të përdoren për të disiplinuar apo nënshtruar një profesion kushtetues. Shteti i së drejtës kërkon respekt për kompetencat e secilit, mirëbesim në ushtrimin e tyre dhe kontroll të ligjshëm kur ato kapërcehen. Në të kundërt, institucionet fillojnë të mbrojnë ose të luftojnë njëri-tjetrin, në vend që të mbrojnë ligjin.
Përmes kësaj sjelljeje sanksionuese ndaj aktorëve që kontribuojnë në realizimin e drejtësisë, vihet në dyshim vetë paanshmëria e drejtësisë. Një gjykatë nuk bëhet më e fortë kur gjyqtarët mbajnë të njëjtin qëndrim, por kur secili është i lirë të vendosë sipas ligjit dhe bindjes së tij profesionale. Autoriteti i vendimit gjyqësor nuk buron nga uniformiteti i vendimeve apo nga “muskujt” institucionalë, por nga pavarësia, cilësia dhe ligjshmëria e ushtrimit të funksionit.
Ndaj, çështja nuk është sa gjoba janë vendosur, sa të rënda janë ato apo kush do të tërhiqet i pari, por nëse gjyqtari ka ruajtur pavarësinë e tij nga konflikti institucional apo ka përdorur funksionin kushtetues për të nënshtruar e disiplinuar profesionin e avokatit.
Një gjyqtar që ndien detyrimin të mbrojë institucionin ku punon rrezikon të mos jetë më arbitër, por palë.
Gjyqtari nuk është aty për të mbrojtur gjykatën nga ligji.
Është aty për të mbrojtur ligjin, edhe nga vetë gjykata.









Komente
Komento