Plas në PD, kundër Bashës: Të
hyjmë në zgjedhje, stop bojkotit

Plas në PD, kundër Bashës: Të<br />hyjmë në zgjedhje, stop bojkotit
TIRANE-Lulzim Basha sot deklaroi sërish refuzimin për t’u regjistruar në KQZ për zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit.

Kryedemokrati jo vetëm që kërcënoi që më 18 Qershor zgjedhje nuk do të ketë, por as shtet pasi sic shprehet ai, shqiptarët do të marrin në dorë fatet e vendit.
Duket se deklarata e tij nuk është mikpritur nga disa figura me emër të Partisë Demokratike.

E para që ka reaguar me një shkrim të gjatë ka qenë Majlinda Bregu e cila cilëson se një bojkot i tillë mbi të cilin u deklarua sot Basha nuk ka ndodhur as në vitin 1997.
Kurse Jozefina Topalli shprehet se ka mbi 1 muaj që kërkon me insistim mbledhjen e grupit parlamentar, duke nënkuptuar se ky nuk është qëndrimi zyrtar i partisë, porse këto vendime janë marrë nga vetë lidershipi dhe disa njerëz përreth tij.

Kurse Eduart Selami, një prej themeluesve të PD-së, aktualisht demokrat në këtë parti tha se, Basha po dëmton seriozisht vendin me bojkotin ndaj zgjedhjeve.

Majlinda Bregu
Deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu pozicionohet kundër vendimit të Lulzim Bashës për të bojkotuar zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. 

Përmes një statusi në Facebook, Bregu thekson se edhe partnerët ndërkombëtarë kërkojnë futjen e PD-së në zgjedhje dhe miratimin e ligjeve të reformës në drejtësi. 

Bregu sjell në vëmendje se PD nuk bojkoti zgjedhjet as në vitin e trazirave, 1997.

"Partia Demokratike ka lindur si Parti me vokacion perëndimor. Nuk iu largua zgjedhjeve as në 1997, pasi u largua e dhunuar nga pushteti i bandave të armatosura madje mori pjesë në zgjedhje edhe në zonat ku kandidatët e saj nuk futeshin dot fizikisht! 

Kam heshtur këto kohë publikisht dhe jam përpjekur me mish e me shpirt ta ndihmoj PD-në dhe Lulzim Bashën duke u përpjekur t'i bind miqtë tanë të PPE të na vijnë sërish në ndihmë. Por sot nuk mund të hesht më sepse edhe vetë ata që kurrë s'na kanë lënë vetëm më parë, që nga Presidenti Daul e deri tek i fundit në PPE, më përsërisin prej disa ditësh: "Na vjen keq po mesa duket nuk ju ndihmojmë dot më, sepse ju nuk doni të ndihmoni veten!"

Ata duan që PD të hyjë në zgjedhje! Ata duan që ne të jemi në parlament! Ata duan që të kthehemi menjëherë në Kuvend dhe të votojmë të gjitha ato që duhen për zgjedhjet e për reformën në drejtësi!

Dhe une jam e bindur që Shqipëria bëhet më europiane me zgjedhje të lira e të ndershme dhe jo me rrëmujë të cilën s'na e ka borxh asnjë qytetar i këtij vendi!",
shkruan Bregu. 

"Bojkoti u vendos pa debat në PD"
Sipas Bregut, vendimi i Partisë Demokratike për të bojkotuar zgjedhjet u vendos pa debat në forumet drejtuese.

Sipas saj, PD anashkaloi konsultat edhe kur refuzoi paketën e zv/presidentit të PPE, David McAllister, për zgjidhjen ngërçit politik.

"Zgjedhja për të bojkotuar parlamentin u bë pa i lënë kohë një debati real. Megjithatë e kam përkrahur edhe cadrën edhe protestën civile të qytetarëve si formën më demokratike për të kthyer vëmendjen e të gjithëve tek ceshtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kam kërkuar disa herë edhe në takimet me kryetarin e Partisë mbledhjen e grupit parlamentar demokrat.

Vendimmarrjen e një grupimi politik e di institucion po aq të rëndësishëm sa dhe vendimin e gjithkujt për të dëgjuar ndërgjegjen e tij.

Po aq, forumet e partisë i di si institucione vendimarrëse e jo vetëm pika të statutit. Vendimi për të mos u futur në zgjedhje u mor pa lejuar asnjë debat
real. Edhe vendimi për ta refuzuar paketën e kompromisit që propozuan miqtë tanë të Partive Popullore Evropiane, u mor pa u konsultuar me askënd
".

"Refuzimi i paketës së McAllister, fitoi Rama"
Po sipas Bregut, refuzimi që Basha i bëri paketës së të besuarit të Angela Merkel, nxori të fituar kryeministrin Edi Rama. 

"Kam kërkuar tek miqtë tanë të Partive Popullore ndihmë për të mos lejuar që Edi Rama të shpallet si engjëll e hero i reformës në drejtësi. Por me pranimin e kompromisit të ofruar nga David McAllister dhe Knut Flekenstein ai vrau më shumë se dy zogj me nje gur të vetëm! Edhe PD-në e nxorri refuzuese në sytë e miqve tanë të PPE-së, pasi s'ka lënë gje pa manipuluar për ta nxjerrë fajtore në sytë e gjithë botës; edhe Ilir Metën e hoqi qafe duke i hequr të fajshmëve stolin ku mendonin se do të ngjiteshin për të dalë mbi PS-në", thekson Bregu. 

Shënimi i plotë në Facebook nga Majlinda Bregu
"Dua të ndaj sot shqetësimin tim të thellë me të gjithë miqtë dhe mbështetësit e Partisë Demokratike! Orët e mundësisë për të ndaluar futjen në një rrugë që kurrë s'ka qenë rruga e partisë sonë, po mbarojnë! U bë qëkur s'mbahet mend që grupi parlamentar i PD-së nuk mblidhet për të dëgjuar dhe për t'u dëgjuar nga kryetari i partisë.

Zgjedhja për të bojkotuar parlamentin u bë pa i lënë kohë një debati real. Megjithatë e kam përkrahur edhe cadrën edhe protestën civile të qytetarëve si formën më demokratike për të kthyer vëmendjen e të gjithëve tek ceshtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kam kërkuar disa herë edhe në takimet me kryetarin e Partisë mbledhjen e grupit parlamentar demokrat.

Vendimmarrjen e një grupimi politik e di institucion po aq të rëndësishëm sa dhe vendimin e gjithkujt për të dëgjuar ndërgjegjen e tij.

Po aq, forumet e partisë i di si institucione vendimarrëse e jo vetëm pika të statutit. Vendimi për të mos u futur në zgjedhje u mor pa lejuar asnjë debat
real. Edhe vendimi për ta refuzuar paketën e kompromisit që propozuan miqtë tanë të Partive Popullore Evropiane, u mor pa u konsultuar me askënd.

Ndërkohë maxhoranca vazhdon fare e patrazuar rrugën e saj të kapjes përfundimtare të të gjithë pushteteve dhe duket se nuk e ka hic për gajle ta kapë edhe parlamentin e ta bojatisë të tërin mavi. Shpresa e madhe e disa të fajshmëve se martesa e interesit të Edi Ramës me Ilir Metën do përfundonte me divorc dhe nga divorci do rrëzohej qeveria, u tret si flluskë sapuni. 

Kam kërkuar tek miqtë tanë të Partive Popullore ndihmë për të mos lejuar që Edi Rama të shpallet si engjëll e hero i reformës në drejtësi. Por me pranimin e kompromisit të ofruar nga David McAllister dhe Knut Flekenstein ai vrau më shumë se dy zogj me nje gur të vetëm! Edhe PD-në e nxorri refuzuese në sytë e miqve tanë të PPE-së, pasi s'ka lënë gje pa manipuluar për ta nxjerrë fajtore në sytë e gjithë botës; edhe Ilir Metën e hoqi qafe duke i hequr të fajshmëve stolin ku mendonin se do të ngjiteshin për të dalë mbi PS-në. 

Dhe ja ku jemi sot. Edi Rama del na jep orë e minuta në dispozicion për një kompromis, në çartje për tu dukur si engjëll që lutet për paqe, ndërkohë që e dinë mirë edhe socialistët se sa i dëshiruar është për zgjedhje me kundërshtar.

Unë nuk besoj se Edi Rama që bën sot e gjithë ditën të përvëluarin për dialog e për zgjidhje, ka ndonjë ëndërr tjetër veç asaj që tani të bëhet dhe mbret!

Po PD-ja ku ishte dhe ku është në gjithë këtë mjegull? Pa një debat minimal dhe pa as më të voglën shenjë reflektimi në këtë situatë kaq të rrezikshme për të ardhmen e saj?!

Partia Demokratike ka lindur si Parti me vokacion perëndimor. Nuk iu largua zgjedhjeve as në 1997, pasi u largua e dhunuar nga pushteti i bandave të armatosura madje mori pjesë në zgjedhje edhe në zonat ku kandidatët e saj nuk futeshin dot fizikisht! 

Partia Demokratike nuk u pajtua asnjë sekondë, as me bojkotin antieuropian të Edi Ramës dhe as me bllokimet skandaloze të rrugëve në emër të votës së lirë!

Dhe ju siguroj të gjithë ne që e kemi quajtur antieuropian e antikombëtar Edi Ramën e kemi besuar se i tillë vetëm ai mund të ishte. Një arsye më shumë kjo për të mos rënë dakord sot me veprime e bllokime si ato të Edi Ramës dje.

E di që zeri im sot mund të duket një zë në shkretetirë, por shpresoj të mos mbetet kështu.

Kam heshtur këto kohë publikisht dhe jam përpjekur me mish e me shpirt ta ndihmoj PD-në dhe Lulzim Bashën duke u përpjekur t'i bind miqtë tanë të PPE të na vijnë sërish në ndihmë. Por sot nuk mund të hesht më sepse edhe vetë ata që kurrë s'na kanë lënë vetëm më parë, që nga Presidenti Daul e deri tek i fundit në PPE, më përsërisin prej disa ditësh: "Na vjen keq po mesa duket nuk ju ndihmojmë dot më, sepse ju nuk doni të ndihmoni veten!"

Ata duan që PD të hyjë në zgjedhje! Ata duan që ne të jemi në parlament! Ata duan që të kthehemi menjëherë në Kuvend dhe të votojmë të gjitha ato që duhen për zgjedhjet e për reformën në drejtësi!

Dhe une jam e bindur që Shqipëria bëhet më europiane me zgjedhje të lira e të ndershme dhe jo me rrëmujë të cilën s'na e ka borxh asnjë qytetar i këtij vendi!

Nuk dua që asnjë të na kthejë shpinën publikisht nësë ne nuk kthehemi në rrugën e përbashkët të familjes së djathtë evropiane! Po më shumë se për ata, ne sot duhet të mos e pranojmë më tutje në heshtje opsionin e transformimit të PD-së nga një alternativë reale e kësaj maxhorance të frikshme, në justifikimin e saj më fantastik pë cdo paudhësi më të madhe!


Eduart Selami: Vendimi i Bashës me çadrën e bojkotin dëmton vendin
Deputet i PD, por dhe një nga themeluesit e kësaj partie ka dalë hapur kundër vendimit të kryetarit të PD për protesta dhe bojkot të zgjedhjeve. Selami 

Sipas Selami, vendimi i PD për të mos marrë pjesë në zgjedhje është i dëmshëm për partinë dhe për vendin, ndërsa thekson se Basha  e përdori çadrën për të anashkaluar institucionet.

Kam vënë re që z.Basha e përdori çadrën jo më për një protestë paqësore, por fatkeqësisht për të anashkaluar institucionet dhe më keq akoma për të bojkotuar parlamentin në një moment shumë të rëndësishëm siç është reforma në drejtësi që ishte e lidhur me rrugën integruese të Shqipërisë në Europë dhe në mënyrë të paprecedentë për të bllokuar dhe mos marrë pjesë në zgjedhje e cila është mjaft e dëmshme për Shqipërinë, për Partinë Demokratike dhe për çështjen shqiptare”, ishte deklarata që Selami bëri në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Edhe Topalli kundër Bashës: Kam disa javë që kërkoj mbledhjen e grupit
Pas Majlinda Bregut, edhe ish-numri dy i Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, kërkon reflektimin e Partisë Demokratike, pas paralajmërimeve për të bojkotuar zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. 

Topalli u shpreh përmes një reagimi për Shqiptarja.com se ka tre javë që kërkon të mblidhet grupi parlamentar demokrat për të diskutuar mbi këtë çështje.
 
"Prej disa javësh kërkoj mbledhjen e Grupit Parlamentar për të diskutuar mbi këto çështje. Por nuk kam marrë asnjë përgjigje", u shpreh Topalli për Shqiptarja.com. 

Ndërkohë, deputetja demokrate nuk ka marrë pjesë në tubimet e fundit të opozitës. Bllokimi i rrugëve nga PD, të hënën e kaluar nuk pati si protagoniste Topallin e cila sqaroi për mediat se ka kërkuar opozitë në fortë në Kuvend.

Reagimi i parë nga PD kundër Bregut e Selamit, Ristani: Kërcitjet e fundit
Pas deklaratave të Majlinda Bregut, Eduard Selamit dhe Jozefina Topallit kundër bojkotimit të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit, ka ardhur reagimi i parë nga PD. 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani ka thumbuar në rrjetin social kolegët e tij, duke i cilësuar deklaratat si "kërcitjet e fundit". 

ristani
(Postimi i Ristanit në Facebook)

“Këto janë kërcitjet e fundit. Mesa duket shtrëngata po mbaron dhe kohe e bukur do agojë”, citohet në postimin e Ristanit.

Më herët, Majlinda Bregu dhe Eduard Selami kritikuan hapur Bashën sa i takon bojkotit të zgjedhjeve, duke pohuar se partnerët ndërkombëtarë dhe vetë miqtë e PD, PPE, kërkojnë pjesëmarrjen në zgjedhje dhe miratimin e ligjit të Vettingut.

Edhe Jozefina Topalli shprehu rezerva për këtë vendim, duke deklaruar se ka disa javë që kërkon mbledhjen e grupit parlamentar për të analizuar pikërisht këtë çështje. Topalli ka disa ditë që nuk ndjek protestën e PD te çadra përpara Kryeministrisë, ndërsa një javë më parë refuzoi të bëhej pjesë e tubimit të opozitës për të bllokuar akset rrugore. 

Basha sqaron Bregun e Selamin: Në zgjedhje, koalicioni i drogës
Kreu i PD Lulzim Basha ka reaguar në rrjetet sociale për regjistrimin në zgjedhjet e 18 qershorit te koalicionit të majtë. Reagimi i Bashës vjen pas kritikave në adresë të tij nga deputetët Eduard Selami dhe Majlinda Bregu.

Basha sqaron se në zgjedhje është regjistruar vetëm koalicioni i drogës i kryesuar nga Rama, ndërsa mjaft parti mbetën jashtë procesit. 

“Madje edhe koalicioni nuk është i plotë, pasi disa bishta mbetën rrugës, në pazare e sipër.

Tani, ky subjekt i vetëm po përpiqet t’i hedhë hi syve shqiptarëve dhe të huajve duke u shtirur sikur janë 17 subjekte.

Por është një dhe vetëm një: koalicioni i turpit, koalicioni i vjedhjes, koalicioni i abuzimit, koalicioni i drogës dhe i krimit me në krye Edi Ramën dhe mercenarët e tij”
, shkruan ai.

Postimi i Bashës në rrjetin social:
E vërteta e thjeshtë është se për votime është regjistruar vetëm një subjekt zgjedhor: koalicioni i 2015-­ës që është ende në pushtet. Madje edhe koalicioni nuk është i plotë, pasi disa bishta mbetën rrugës, në pazare e sipër.

Tani, ky subjekt i vetëm po përpiqet t’i hedhë hi syve shqiptarëve dhe të huajve duke u shtirur sikur janë 17 subjekte.

Por është një dhe vetëm një: koalicioni i turpit, koalicioni i vjedhjes, koalicioni i abuzimit, koalicioni i drogës dhe i krimit me në krye Edi Ramën dhe mercenarët e tij. Por shqiptarët nuk mashtrohen. Monizëm në Shqipëri nuk ka për të pasur më, me asnjë çmim, në asnjë formë.

Sot nuk mund të përsëritet dot më skema e Ramiz Alisë, që pretendoi zgjedhje “pluraliste” me Partinë e Punës, Frontin Demokratik e Bashkimin e Grave, deri sa studentët, intelektualët dhe qytetarët e Lëvizjes së Dhjetorit e ndalën maskaradën e tij.

Shqiptarët e kanë lënë pas diktaturën dhe do dinë të mbrojnë pluralizmin dhe të drejtën e tyre për votë të lirë.


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, kanosi dhe i kërkoi 200 mijë € ish-deputetit Vladimir Kosta, arrestohet 24 vjeçari

Tiranë, kanosi dhe i kërkoi 200 mijë € ish-deputetit Vladimir Kosta, arrestohet 24 vjeçari