Një përleshje e dhunshme ka ndodhur mes të burgosurve shqiptarë dhe algjerianëve në burgun e Domokosit, në Greqi. Për shkaqe që ende nuk janë bërë të ditura, 6 prej tyre të moshave 26 deri në 41 vjeç, kanë mbetur te plagosur.

Sipas raportimeve të mediave greke, përleshja ka shpërthyer, në të njëjtin krah të institucionit ku më herët ishin shënuar edhe incidente të tjera. Të plagosurit u transportuan fillimisht në Qendrën Shëndetësore të Domokosit, ku katër prej tyre iu nënshtruan një transporti urgjent me ambulancat e EKAB-it drejt Spitalit të Përgjithshëm të Lamias.

Mes të plagosurve është edhe një sirian 29-vjeçar, i cili ka pësuar një dëmtim në kokë. Ai është dërguar menjëherë në sallën e operacionit dh sipas mjekëve gjendja e tij është veçanërisht e rëndë.  Një tjetër i burgosur gjithashtu ka pasur nevojë për ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale.

Katër të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore për dëmtime më të lehta dhe kanë mbetur nën kujdesin e mjekëve në spital. Ndërkohë autoritetet greke pritet të hetojnë shkaqet që çuan në përleshje dhe rrethanat e sakta të incidentit.