Prokurorët e SPAK nuk do të mund të hetojnë më kolegët e tyre apo gjyqtarët e GJKKO për çdo vepër penale, nëse drafti i ri i ndryshimeve në Kodin e Procedurave Penale do të miratohet.

Në fund të nenit 75/a të Kodit aktual që përcakton të gjitha kompetencat e GJKKO, rrjedhimisht edhe të SPAK, shtohet një paragraf i ri që sanksionon se në Gjykatën e Posaçme mund të gjykohen prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO vetëm për veprat penale që kanë të bëjnë me terrorizmin apo bandat e armatosura, korrupsionin në çdo fushë, përfitimin e paligjshëm apo mosdeklarimin e pasurisë, si dhe çdo vepër që lidhet me krimin e organizuar.

“GJKKO nuk është kompetente për të gjykuar akuzat ndaj gjyqtarit të GJKKO ose prokurorit të Prokurorisë së Posaçme, kur ato lidhen me veprat e ndryshme nga ato të parashikuara në shkronjat “a” dhe “b” të këtij neni. Këto raste janë në kompetencë të gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, dhe gjejnë zbatim rregullat e këtij Kodi mbi kompetencën tokësore”, thuhet në paragrafin që propozohet të shtohet në Kodin e Procedurës Penale.

Në të gjitha rastet e tjera gjyqtarët e GJKKO dhe prokurorët e SPAK do të hetohen nga prokuroritë e zakonshme dhe do të gjykohen në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm.


Lajmi kryesor:

Kodi i Procedurës Penale ndryshon në 105 nene/ Asnjë masë arrest me burg për dënimet nën 5 vite, përjashtohen gratë shtatzënë e nënat me fëmijë nën 6 vjeç! Seancat mund të transmetohen live