TIRANE- Aktorë të njohur të skenës, Ndriçim Xhepa, Bujar Asqeriu, Anastas Kristofori e të tjerë, s’e kanë pasur të lehtë të pranojnë çdo lloj roli në këto vitet e fundit. Por Teatri Kombëtar ka nisur të funksionojë ndryshe nën drejtimin e Hervin Çulit. Ndryshimi ka nisur me faktin që ata luajnë për një regjisore shumë të re, siç është Sesilia Plasari. Kjo regjisore e talentuar do të ngjisë në skenën e Teatrit Kombëtar këtë fundjavë premierën “Liri në Bremen” me autor Rainer Werner Fassbinder.

Me këtë rast, drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, bëri dje një takim me median që mbulon kulturën, duke krijuar lirshmëri në pyetje-përgjigje në një ftesë për çaj. Në praninë e protagonistëve të shfaqjes, Çuli ka prezantuar, por edhe “testuar” përmes një bisede miqësore ecurinë dhe suksesin e premierave të reja në Teatrin Kombëtar. I bindur se për suksesin e çdo premiere të dhënë ka luajtur rol tradita e re e përzgjedhjes së premierave duke iu nënshtruar “Audicioneve” dhe “Netëve të Leximit”, Çuli ka deklaruar programin e shfaqjeve të Teatrit Kombëtar.