Platforma ime si vijimësi e një reformë të nisur

Platforma ime si vijimësi e një reformë të nisur

Në përgjigje të interesit të komunitetit të kineastëve, por edhe të interesit publik po përpiqem të sjell informacionin e mëposhtëm lidhur me rikandidimin tim në postin e Kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Gjatë mandatit të parë, strategjia ime u bazua në pesë drejtime që kishin për qellim krijimin e një fryme të re në kinematografinë shqiptare: 

1.    Rritja e buxhetit.

2.    Rritja e prodhimit kinematografik.

3.    Dhënia e mundësive të financimit për brezin e ri.

4.    Rritja e bashkëprodhimeve me produksionet e huaja. 

5.    Rritja e pjesëmarrjes së kinematografisë shqiptare në aktivitete ndërkombëtare.
 

Gjatë këtyre viteve, pas një pune insistuese dhe falë mbështetjes së qeverisë, buxheti për kinematografinë u dyfishua. Kjo rritje 100% e buxhetit u shoqërua nga një tjetër rritje, që erdhi si rezultat i miradministrimit, uljes së kostove si dhe gjetjes se burimeve alternative te financimit. 

Kemi bërë një reformë të thellë për mënyrën e financimit të projekteve filmike në QKK, duke i bërë një analizë të detajuar preventivave të buxheteve. Rreth 40% e kostove të financimit për realizimin e filmave, më parë shkonte për të mbuluar anën teknike, e cila lidhej me formatin 35 mm (pelikul). Revolucioni dixhital në të gjithe boten mundësoi uljen e kostove në fushën e kinematografisë. Nga ky revolucion, të gjitha proceset teknologjike të prodhimit të filmit, kanë përfituar ulje të kostove të mjeteve teknike dhe proçeseve, të cilat më parë ishim të detyruar t’i siguronim nga burime ose shërbime të shtrenjta jashtë vendit. Kjo kosto e tepert prej rreth 40% u eleminua duke shkuar në favor të financimit të projekteve. 

Reforma parashikonte gjithashtu gjetjen e financimeve alternative dhe rritjen e bashkëprodhimeve nga të cilat mundësuam të siguronim një shtesë tjeter të buxhetit, të përafërt me rreth 60% të buxhetit fillestar. Pra me rritjen 100% të buxhetit + rreth 40% uljen e kostove për shkak të konvertimit të teknologjisë së xhirimit të filmave në formatin digjital + reth 60% të buxhetit të sigurara nga fondet alternative dhe bashkëprodhimet, bëmë të mundur një rritje prej gati 200% të buxhetit, duke mundësuar financimin e shumë projekteve si kurrë më parë në këtë institucion.

Pas këtyre viteve punë, rezultatet flasin vetë dhe mundësia më e mirë për të vlerësuar çfarë kemi bërë, është leximi i shifrave. 

Gjatë mandatit tim të parë janë financuar mbi 210 projekte, nga të cilët 12 filma të gjatë të karrierës, 14 filma të gjatë vepër e parë për kineastët e rinj, 15 filma të gjatë si bashkëprodhime në minorancë, 14 filma të gjatë independentë, 37 filma të shkurtër, 23 filma dokumentarë, 19 filma të animuar, 22 festivale filmi, 4 workshop-e, 10 trainime për kineastët e rinj dhe rreth 20 projekte të tjera me karakter promovues brenda dhe jashtë vendit. 

Vetëm në 4 vitet e fundit janë financuar më shumë se 1/3 e filmave të financuar gjatë 20 vjetëve të funksionimit të QKK-së: 

Janë financuar 183 filma në 17 vjet (1997 – 2014) ndërsa janë financuar 130 filma vetëm në 4 vjet (2015 - 2018). Gjatë 4 viteve të fundit (2015-2018) janë financuar 56 filma të gjatë, përkundrejt 34 filmave të gjatë të financuar në periudhën 17 vjeçare (1997 – 2014).

Rritja e prodhimit ishte një domosdoshmëri, sepse ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen e vetë industrisë kinematografike në vend dhe shoqërohet me rritjen e kapaciteteve, me rritjen e profesionalizmit, me rritjen e punësimit, me rritjen e investimeve të vendit dhe të huaja. Nga rritja e prodhimit u krijuan më shumë grupe pune, stafe profesionale që i përgjigjen kërkesave gjithnjë në rritje të projekteve të financuara. Ndërsa vetëm pak vite më parë ishte e vështirë të krijoje një grup xhirimi profesional, tashmë në treg operojnë dhjetëra grupe në harkun e vitit, që xhirojnë njëkohësisht si në rastin e fundvitit 2018, ku 5 grupe filmi xhironin paralelisht filmat e tyre të gjatë, të financuar nga QKK.

Politika e ndjekur gjatë këtij mandati nga QKK ka nxitur bashkëprodhimet me qëllim që një pjesë e buxhetit të filmave tanë të përballohet nga financimi i QKK-së dhe pjesa tjeter e buxhetit të mbulohet duke u mbështetur në pagesa dhe shërbime që ne i përfitojme nga bashkëprodhuesit e huaj. Gati të gjithë projektet e filmave të gjatë që financohen nga QKK, realizohen në bashkëprodhim me produksionet e huaja të cilat e dyfishojnë ose trefishojnë financimin primar të përfituar nga QKK.

Ndihmuam në evidentimin e një brezi të ri kineastësh, të cilëve ju hapën dyert për aplikime në të gjitha kategoritë. Pas gati dy dekadash të funksionimit të QKK-së, Shqipëria nuk arriti të krijonte një brez të ri kineastësh. Garancia profesionale dhe artistike që ofronin regjisorët e krijuar nga koha e ish-Kinostudios, u bë shkak për financimin vazhdimisht vetëm të kësaj kategorie, duke reduktuar në raste sporadike financimin për krijuesit e rinj. Ndërkohë prej vitesh ekzistonin në Shqipëri dy shkolla kinematografike, publike dhe private, nga të cilat çdo vit diplomoheshin krijues të rinj, të cilët e kishin gati të pamundur të përfshiheshin në sistemin e financimit, pa krijuar më parë në QKK skemat e reja të financimit, të cilat do të krijonin akses më të lehtë nëpërmjet financimeve më të ulëta se skemat tradicionale. Vetëm kështu mund të shmangej konkurimi i drejtpërdrejtë dhe i padrejtë i kineasteve të rinj me kineastët tanë profesionistë, ku gjithmone do të fitonin vetëm këta të fundit. Realizimi me sukses i projekteve me financim të vogël do të na jepte mundësinë të identifikonim midis tyre më të mirët, më të talentuarit, që do të konkurojnë për veprën e tyre të parë dhe më pas në garën e vështire me kineastet tanë më të mirë për tu mbështetur me buxhete që meriton kjo kategori. 

Një hap i rëndësishëm ishte krijimi i skemës për mbështetjen e bashkëprodhimeve në minorancë (minority coproductions). Prej vitesh filmat me autorë shqiptarë përfitonin financime nga skema e bashkëprodhimeve në minorancë të vendeve si Kosova, Maqedonia, Italia, Greqia, Franca, etj., të cilat e kishin implementuar prej vitesh këtë skemë gjerësisht. 

Financime të tilla të përfituara ndër vite, kishin akumuluar një bilanc negativ të Shqipërisë ndaj këtyre vendeve, të cilët për këtë arsye po rishikonin në politikat e tyre mos financimin në vazhdim të filmave tanë nga fondet e tyre. Kjo kërkonte ndryshimin e menjëhershëm të legjislacionit tonë, i cili deri në atë moment ishte kthyer në një pengesë për financimin e projekteve që vinin nga këto vende. Pas një pune burokratike 1 vjeçare mundesuam ndryshimin e ligjit dhe hapem dritën jeshile për këto lloj financimesh, që i kane sjellë praktikisht kinematografisë shqiptare shumë benefite.

Falë aplikimit të kësaj skeme qendrat e kinematografisë të Kosovës, Greqise dhe Maqedonisë së Veriut financojnë tashmë rregullisht projektet tona më të mira dhe kësaj liste së fundmi i janë shtuar edhe Kroacia, Serbia dhe Mali i zi, të cilat për herë të parë kanë mbështetur projekte shqiptare duke e zgjeruar harten e bashkëprodhimeve në minorancë. 

Ndonëse Shqipëria nuk është ende anëtare e bashkimit evropian, kinematografia shqiptare ka fituar qytetarine evropiane dhe përfiton mbështetje financiare si cdo kinematografi e vendeve anëtare. Kinematografia është e vetmja kategori e kulturës dhe e industrisë në Shqiperi e integruar plotesisht me sistemin evropian.
Që prej 2015, jemi bërë pjesë e Programit të Bashkimit Evropian për fushën audiovizive Creative Europe Sub - MEDIA Programme duke i krijuar mundësi ideale kineastëve tanë, që të përfitojnë financime extra për projektet e tyre sikur të ishin qytetarë evropiane. Në shërbim të informimit dhe ndihmës është krijuar Media Desk si strukturë pranë QKK që prej vitit 2015 dhe ne kemi përfituar tashmë financimet e para. 

U ngrit skemë e re për financim të projekteve në fazën e pas prodhimit (post-production). Tre projekte janë financuar nga kjo skemë që ka si qëllim dhënien e ndihmes për ata që xhirimet i mbyllin me financimet e tyre.

Kemi krijuar skemën që mbështet projektet ne fazat shume të rëndësishme të promocionit dhe shpërndarjes (distribucionit). 
Për herë të parë në vitin 2015 qkk krijon mundësinë e aplikimit online të projekteve kinematografike e cila sjell mjaft avantazhe direkte dhe indirekte si psh: mbrojtja e aplikantit dhe shmangia e manipulimit të dosjes, ambientimi i kineastëve me aplikimet e ngjashme në institucionet evropiane si psh: EURIMAGES, MEDIA DESK etj.

Në vitin 2016 është ndjekur një politikë e re lidhur me aplikimet e kineastëve shqiptarë në EURIMAGES duke përfituar të gjitha benefitet që vijnë nga aplikimi i kësaj politikë. Të vendosur në strategjinë për integrimin real të kinematografisë sonë me bashkëprodhuesit ndërkombëtare, aplikimi në EURIMAGES u bë i detyrueshëm. 

Avantazhet e kësaj strategjie ishin të shumëfishta: 
1) Konkurimi në EURIMAGES i jep mundësi autorëve dhe produksioneve shqiptare që përballen me nivelin e kolegëve evropianë. 
2) Sigurohet realizimi i bashkëprodhimeve reale, të cilat verifikohen nga një institucion i rëndësishëm sikundër është EURIMAGES. 
3) Krijohen premisat për të siguruar fond shtesë në prodhimin e filmit, nga EURIMAGES nëse projekti vlerësohet fitues. 
4) Çdo aplikues në EURIMAGES është i detyruar të përgatisë një dosje me dokumenta që i sjellin shumë përfitime projektit në fazat e mëvonshme. 
5) Në rast se fiton financimin, projekti çertifikohet kualitativisht nga enti më i rëndësishëm i filmit Evropian. 
6) Projektit i shtohen shancet të sigurojë më lehtë bashkëprodhues të tjerë. 
7) Maksimalizohen shancet për të siguruar distribucion ndërkombëtar. 
8) Siguron vëmendjen e selektorëve të gjithë festivaleve të rëndësishme. 
9) Siguron vëmendjen e jurive në festivale.
Deri më 2015, (pra për 6 vite anëtarësim) kishin aplikuar shumë pak projekte dhe ishin financuar vetëm tre (3) prej tyre nga EURIMAGES.  Vetëm gjatë tre viteve 2016-2018, duke aplikuar politikën e re, kanë aplikuar nëntë (9) projekte dhe janë financuar pesë (5) prej tyre, duke ndryshuar kështu totalisht opinionin rreth kinematografisë tonë në institucionin më të rëndësishëm evropian. 

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe është punuar shumë në drejtim të hartimit të projekteve dhe përfitimit nga fonde alternative. 
Eshtë aplikuar për herë të parë në fondet EU Interreg (IPA) dhe kemi fituar rreth 200 mije Euro me projektin “CIRCE” në partneritet me Italinë dhe Malin e Zi. Me një pjesë të këtyre fondeve do të implementohet projekti për digjitalizimin e kinemave në Vlorë dhe Gjirokastër. Së shpejti do të publikohet thirrja për “web series” që do të realizohet në kuadër të këtij projekti.

Pjesëmarrja e filmave shqiptarë në festivale ndërkombëtare. 
Është mundësuar prezantimi i kinematografisë shqiptare në aktivitetet më të rëndësishme të kinematografisë evropiane. Çdo vit QKK prezantohet me një stende të përbashkët me Qendrën e Kinematografisë së Kosovës në marketet më të rëndësishme ndërkombëtare të kinematografisë në Kane dhe Berlin. Marrja e një stende të përbashkët me Kosovën, pervec sinergjive natyrore që krijohen mes kinematografive tona, ka përgjysmuar kostot duke krijuar mundësi të mbështesim financiarisht prezencën e kineastëve shqiptarë në këto markete me projektet tona më të mira, me qëllim gjetjen e bashkëprodhuesve të huaj. 

Ndonëse investimi në kinematografi është një investim që shtrihet në kohë, rezultatet e para nuk kanë vonuar. Lista e filmave shqiptare që përzgjidhen në festivalet më të rëndësishme ndërkombetare është e gjatë sikundër edhe numri i çmimeve ndërkombëtare të fituara gjithashtu, por do të doja të ndalesha në pjesëmarrjen e filmave shqiptarë në Festivale të Kategorisë A.

Filmi artistik “Delegacioni”, me regji të Bujar Alimianit përzgjidhet midis mijëra filmave ndërkombëtarë në festivalin prestigjoz të kategorisë A, në Varshavë për të konkuruar midis 15 filmave të selektuar, duke fituar çmimin e madh të festivalit “GRAND PRIX”. Gjithashtu ky film fitoi edhe çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Trieste.

Filmi artistik “Streha mes reve”, me regji të Robert Budina përzgjidhet midis mijëra filmave ndërkombëtarë në festivalin prestigjoz të kategorisë A, në “Black Night Tallini Film Festival”. 

Filmi artistik “Dita zë fill”, i Gentian Kocit përzgjidhet midis 10 filmave më të mirë ballkanikë për të konkuruar në festivalin më të rëndësishëm ballkanik, Festivalin e Sarajevës, ku u vlerësua edhe me çmimin “Aktorja më e mirë protagoniste”.

U përpoqa të bëj më lart një përmbledhje të aktivitetit, sfidave dhe arritjeve gjatë këtyre viteve të mandatit tim, por sigurisht mbetet shumë për të thënë rreth punës që kemi bërë. Të gjitha këto do të ishin të pamundura për tu realizuar pa mbështetjen dhe koontributin e stafit të dedikuar dhe profesional të Qendrës Kombëtare të Kinematografise, anëtarëve të KMP-ve (bordit) që mbështetën politikën e QKK-së dhe ndanë me mua impenjimin për zgjedhjen e projekteve më të mira, producentëve dhe regjisorëve që me krijimet tyre, i dhane vlerë punës sonë, duke veçuar sidomos ata që na dhuruan suksese ndërkombëtare e që na mbushën me optimizëm dhe motivim në punën tonë, partnerëve tanë ndërkombëtarë, individe apo institucione, që ndihmuan në krijimin e mundësive për bashkëpunim, financim dhe promovim të kinematografisë sonë.

E kam përkufizuar kërkesën për mandatin tim të dytë si një mundësi për të vazhduar dhe përmbyllur reformen e sukseshme që kemi ndërmarrë në kinematografi.

Në mënyrë të përmbledhur kjo platformë do të fokusohet në argumentet e mëposhtme:

Dyfishimi i buxhetit të projekteve filmike.

Në punën e çdo kryetari duhet të ketë shumë prioritete, por buxheti është më i rëndësishmi. Pavarësisht se e kemi dyfishuar, përsëri buxheti mbetet i pamjaftueshëm krahasuar me potencialin tonë krijues dhe prodhues. 

Financimi i industrisë krijuese në përgjithesi dhe i kinematografisë në vecanti nuk duhet kuptuar thjesht si financim kulturor. Industria krijuese prej vitesh konsiderohet tashmë si një prej industrive më fitimprurëse në botë. Në këtë kuadër qëllimi i egzistencës së QKK-së nuk është sigurimi i financimit publik për realizimin e disa filmave. Kushdo që e trajton QKK-në thjesht si financuese të filmave ka interpretuar gabim arsyen e egzistences së saj. QKK sikundër të gjithë qëndrat homologe në Europë ka qëllim mbështetjen e industrisë kinematografike në vend.
Industria kinematografike midis të tjerave është një nga industritë me kapacitetin më të lartë të atraksionit ndaj investimeve të huaja.

Si në çdo industri, sa më shumë të investosh aq më shumë përfiton dhe mjafton të përmëndim disa nga përfitimet direkte të kësaj industrie:

- Projektet kinematografike shqiptare (filmat me metrazh të gjatë) në masen 70% sigurojnë dy ose tre Euro për cdo Euro të financuar nga QKK

- Nxitja e financimeve në sektorin audioviziv dhe të kinematografisë nga investitoret privatë të cilët cdo vit investojnë shifra marramëndëse në teknologji dhe infrastrukturë. Këto investime janë në proporcion të drejtë me investimin që shteti bën në këtë sektor.

- Punësimin sezonal të stafeve të filmit. Kemi cdo vit mbi një mijë të punësuar sezonalë në sektorin e filmit. Punonjësit e këtij sektori specifik janë një aset me vlerë të jashtëzakonshme jo vetëm në tregun lokal të punës por edhe në tregun ndërkombëtar, pasi vazhdimisht ata impenjohen në prodhime dhe bashkëprodhime ndërkombëtare. Angazhimi i vazhdueshem me punë i kësaj kategorie ndikon drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të tyre profesional. Sikundër profesionalizmi i pilotëve matet me orë fluturimi, profesionalizmi i stafeve matet me numrin e filmave që kanë realizuar.

- Kapacitet i lartë promovues i kinematografisë, që shkon në favor të promovimit të territorit, nxitjes së turizmit dhe krijimit të imazhit pozitiv për vendin.
Nisur nga këto parametra, përcaktimit të buxhetit për qendrat e kinematografisë i kushtohet në të gjithë botën një vëmëndje e vecantë. 
Nga eksperiencat më të mira ndërkombëtare vendimmarrja për buxhetin bazohet mbi dy kritere:

1) Në varësi të kapacitetit prodhues dhe indikatorëve të performancës.

2) Bazuar në numrin e popullsisë (per capita).

Kjo e dyta është kriteri që përdoret për financimet më minimale të mundëshme nga vendet më të varfëra. Nëse e marrim si referencë numrin e banorëve, sipas përllogaritjes që disa vende kanë aplikuar, çdo banori i takon të financojë minimumi me një (1) Euro në vit kinematografinë e vendit të tij, e barazvlershme kjo me koston e një kafeje ne vit.

Mbi këtë logjikë, dyfishimi apo tre fishimi i buxhetit edhe pse në dukje i vështirë, për mendimin tim, është një objektiv i realizueshëm në një periudhë disa vjeçare, duke siguruar një rritje graduale, por të vazhdueshme të buxhetit çdo vit.

Ky duhet të jetë prioriteti i QKK-së, i çdo Kryetari, i shoqatave të kineastëve dhe i gjithë komunitetit në vitet në vazhdim. Për këtë, shpresoj që shteti, Ministria e Kulturës, institucionet e lidhura direkt me vendimmarrjen për rritjen e buxhetit, si Komisioni i Medias dhe Ministria e Financave, do të jenë partnerët e natyrshëm të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe të Kryetarit të ardhshëm, në përpjekjet për të realizuar rritjen e buxhetit.  

Vazhdimi i fokusit mbi kineastët e rinj. 

QKK duhet të vazhdojë të ketë në fokus mbështetjen e kineastëve të rinj, duke filluar që nga studentët që kanë vendosur të zgjedhin të arsimohen në fushën e kinematografisë, ashtu edhe ata që kanë filluar të hedhin hapat e parë në këtë rrugëtim të gjatë, por edhe të vështirë. Kjo do të realizohet nëpërmjet hartimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me universitetet, por edhe duke u dhënë mbështetje kineastëve të rinj për trajnime, apo ndjekje të specializimeve jashtë vendit, sidomos studentëve të ekselencës. Gjithashtu do të aplikohen politika të veçanta për zhvillimin e internshipeve në të gjitha projektet filmike për të rinjtë që shprehin interes.

Aplikimi i politikave që synojnë rritjen e audiences, do të realizohet nëpërmjet vazhdimit të implementimit të nismës së Ministrisë së Kulturës “Edukimi përmes Kulturës”, ndërtimit të programeve në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit për implementimin e lëndës së kinematografisë në sistemin shkollor, identifikimi i partnerëve të tjerë për vazhdimin dhe implementimin të projektit për digjtalizimin e sallave të kinemave egzistuese në rrethe, nxitjes së krijimit të mini-qendrave ku projektohen filma dhe bëhen diskutime mbi analizën dhe gjuhën e filmit. 

Realizimi i projektit “Qendra Europiane e Filmit”, për të cilin kemi kohë që po punojmë, do të ndihmojë në promovimin e kinematografisë evropiane si formë edukimi për kineastët e rinj dhe njëkohësisht do ketë një sallë multifunksionale në shërbim të aktiviteteve të QKK. Financimi do sigurohet pjesërisht nga QKK dhe pjesërisht nga partnerët ndërkombëtarë.

Vitalizimi i industrisë kinematografike nën logon “Filming in Albania”. 

Me një varietet shumë të pasur gjeografik nga deti tek alpet brenda një territori shumë të vogël e bën Shqipërinë vendin ideal për xhirimin e filmave. Fusha, male, lumej, liqene, trashëgimi arkeologjike, kështjella, qytete mesjetare, mbetje industriale fabrikash dhe uzinash të trashëguara nga periudha komuniste, e gjithë kjo larmishmëri, e bën peisazhin tonë tepër të veçantë dhe të papërsëritshëm. Territori shqiptar ka edhe një avantazh tjetër të madh që e gjithë kjo pasuri shtrihet në distanca tepër të vogla, krahasuar me vende të tjera, gjë që kursen kohën dhe ul koston e transportit gjatë xhirimeve. Gjithashtu Shqipëria përveç peisazhit ofron edhe studio, ambjente, salla xhirimi, mjete teknike, kamera ndricim dhe staf profesional për t’iu përgjigjur interesit në rritje të filmbërësve të huaj që shprehin dëshirën për të xhiruar në vendin tonë.

Pikërisht për të gjitha këto arsye unë e kam prezantuar vendin tonë ndaj produksioneve të huaja, me slloganin “Shqipëria është një set filmi”.

Në katër vjecarin e ardhshëm ne do të realizojmë iniciativën për rimbursim të pjesshëm të investimeve të huaja në projektet kinematografike dhe audiovizuale, që kryejnë xhirimet e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë. Pa përjashtim të gjitha vendit e rajonit e kane realizuar dhe po përfitojnë nga aplikimi i kesaj politike.

QKK e ka propozuar draftin e këtij projekt vendimi në vitin 2018. Jemi në pritje të miratimit të këtij akti. Per fat të mirë bashkë me ne janë në pritje disa projekte ndërkombëtare që presin aprovimin e këtij vendimi për të filluar menjëherë xhirimin e filmave të tyre në territorin tonë.

Përmbushja e këtij objektivi do të shoqërohet gjithashtu me një fushatë agresive promovuese në të gjitha kanalet, mediumet dhe forumet ndërkombëtare për të tërhequr vëmendjen e investitorëve më të rëndësishëm ndërkombëtare, nga të cilët pritet të investojnë miliona euro që vitet e para të aplikimit të kësaj skeme. 

Duhet konsideruar efekti zinxhir pozitiv që këto produksione do të shkaktonin në ekonominë lokale të vendeve ku do të xhirohet, pasi kudo ku shkojnë ato gjenerojnë punësim, konsum dhe përfitime të tjera për shërbimet e ndryshme si ato restoratore, të hotelerisë, transporteve, etj.

Ne jemi të bindur që përfitimet nuk do të jenë vetëm financiare por edhe me një impakt të ndjeshëm në favor të promovimit turistik të vendit falë prezencës më të madhe të imazheve të territorit shqiptar në më shumë produksione të huaja.

Duke ndjekur një politikë të tillë mund të shpresojme që në të ardhmen e afërt, të vetëfinancohemi prej të ardhurave të siguruara nga atraksioni që do krijojmë ndaj kompanive të huaja të cilat do të vijnë në Shqipëri për realizimin e produksioneve të tyre. 

Bashkëpunimi rajonal. 

Gjithmonë kam besuar në domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe koordinimit rajonal, me qëllim koordinimin e të gjithë faktorëve në orientimin e politikave të industrisë krijuese audiovizive Ballkanike dhe bashkërendimin me politikat evropiane në këtë sektor të rëndësishëm.

Për këtë qëllim kemi ideuar dhe mbështetur krijimin e BALKAN FILM MARKET, i cili këtë vit do të mbajë edicionin e tretë të tij. Ky aktivitet e ka kthyer Shqipërinë në një ‘hub’ të rëndësishëm të kontaktit evropian me rajonin e Ballkanit, ndaj e shohim si një aktivitet të një rëndësie të veçantë.

BFM u ideua si një platformë e re për nxitjen e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit dhe synon të hedhë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të Fondit Kinematografik Ballkanik. Prej disa vitesh po punojmë për të krijuar një fond të përbashkët të vendeve Ballkanike nga njëra anë dhe Italisë nga ana tjetër. Ky fond i përbashkët do të vihet në dispozicion për financimin e projekteve të përbashkëta me Italinë dhe vendet e rajonit, duke cliruar kështu një pjesë të buxhetit tonë për projekte të tjera. 

Marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet homologe. 

Marrëveshja me Apulia Film Commission, ishte një marrëveshje e suksesshme katër vjeçare e cila tashmë duhet rinovuar. Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, tre produksione shqiptare përfituan  30 mijë Euro secili në kuadër të Projektit MEMORIA. Pra kemi të bëjmë me rreth 90 mijë Euro financime alternative të cilat së bashku me fondet e tjera alternative që kemi sigurar nga bashkëpunimi me partnerët tanë ndërkombëtare, u investuan për produksionet tona. 

Gjatë mandatit të dytë do të synohet fort drejt lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me disa vende që kanë treguar dhe dëshmuar interes për të ndërtuar më Shqipërinë raport të stabilizuar mbi bashkëprodhimin reciprok në kinematografi, si psh: me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Greqinë, dhe Izraelin. 

Gjithashtu, synojmë të konkretizohet brenda këtij viti marrëveshja me MIBACT dhe ANICA, dy entet më të rëndësishme italiane të kinematografisë, me të cilët jemi në tratativa për krijimin e buxhetit të përbashkët për financimin e zhvillimit të projekteve.  

Zhvillimi i skenareve dhe i projekteve, është një domosdoshmëri për prodhime kinematografike të sukesshme. Gjatë 20 viteve të funksionimit të QKK-së, është konstatuar problematika e konkurimit të projekteve që realisht nuk janë të zhvilluara mjaftueshëm për të përfituar financimin e fazës së xhirimeve. Kur projekti paraqitet në QKK, nënkuptohet që duhet të ketë arritur maturimin e nevojshëm për tranzicionin nga projekt në film.

Këto vitet e fundit, janë shtuar shumë workshop-et dhe aktivitetet ndërkombëtare që kanë si objekt të punës së tyre zhvillimin e skenarit dhe zhvillimin e projektit duke ofruar një zgjidhje optimale për këtë fazë shumë të rëndësishme. Disa nga kineastët tanë i kanë eksploruar këto mundësi duke dëshmuar interesin dhe vlerësimin e tyre për to. Nga ana tjetër ata kane demonstruar aftësinë e tyre për të prezantuar në këto aktivitete projekte të vlefshme dhe dinjitoze, që u kanë mundësuar atyre pjesëmarrjen në garën e fortë midis shumë projekteve të tjera ndërkombëtare. Zgjedhja e projekteve shqiptare në forume të tilla të rëndësishme është jo vetëm garanci për të përmirësuar e forcuar projektet tona, por njëkohësisht shërben edhe si promocioni më i mirë i kinematografisë sonë të re. Kineastët shqiptarë që arrijnë të kalojnë fazën e selektimit për të marrë pjesë në njërën ose disa prej këtyre aktiviteteve, dëshmojnë vlerën e projektit të tyre por njëkohësisht promovojnë që në këtë fazë fillestare projektin, duke krijuar të gjitha premisat për një vëmëndje ndaj tij në fazat e mëtejshme të bashkëprodhimit dhe distribucionit. QKK do të ndjekë me vëmendje ecurinë e projekteve që në këtë fazë dhe do të vlerësojë zhvillimin e kësaj trajektoreje ku projektet çertifikohen nga institucione të pavarura ndërkombëtare përpara se të paraqiten në QKK. 

Ne duhet të kultivojmë një qasje, e cila promovon dhe mbështet subjektet më të sukseshme sepse vetëm nëpërmjet sukseseve të projekteve tona ne mund të ndërtojmë reputacionin e vetë institucionit.

Akreditimi.  

Ka filluar puna dhe do të punohet në drejtim të akreditimit të shoqatave të kineastëve. Në diskutimet e deritanishme është propozuar mundësia e akreditimit për shoqatat dhe është gjetur mirëkuptim dhe disponibiliteti nga drejtuesit e tyre për të hyrë në një proces të tillë. Gjithashtu do të punohet edhe në drejtim të akreditimit të shtëpive filmike, të cilat janë baza e industrisë kinematografike. Do të gjejme forma të incentivimit në favor të shtëpive kinematografike më të mira dhe më të sukseshme, duke liberalizuar limitimin në numër projektesh që aplikohet aktualisht, për të ofruar mundësinë e mbulimit me punë gjatë harkut të vitit. Kjo do të mundësojë rritjen e investimeve teknike e infrastrukturore për shtëpitë filmike dhe punësimin e stafeve si në numër, ashtu edhe në kualitete profesionale, në mënyrë që të përballohet fluksi konstant i punës në harkun e vitit me më shumë projekte

Unë kam shumë besim se me këtë qasje dhe nëse e çojme më tej punën që kemi nisur, do arrijme të rikthejmë vemendjen e filmdashësve dhe publikut tek kinematografia shqiptare, që në fund të fundit mbetet një nga qëllimet tona primare, sigurisht në një përballje të vështirë dhe të pabarabartë me glogalizmin kulturor dhe ndikimin e fortë të industrisë kinematografike botërore. 

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, Dervishi: Sigurojmë standardet më të larta evropiane, sfidë zbatimi

Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, Dervishi: Sigurojmë standardet më të larta evropiane, sfidë zbatimi