Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj drejtuesve të mjeteve lundruese që rrezikojnë pushuesit, pasi një person u gjobit me 500 mijë lekë të reja dhe iu bllokua Jet Car në plazhin e Shëngjinit për shkelje të perimetrit të sigurisë.
“Plazhet tona janë për familjet dhe pushuesit, jo për aventurierët që luajnë me jetën e të tjerëve. Kush sfidon ligjin dhe vë në rrezik shëndetin dhe jetën e turistëve, do të përballet me pasojat pa asnjë tolerancë dhe vonesë”, u shpreh Lamallari.
Ai nënvizoi se institucionet do të vijojnë kontrollet intensive përgjatë gjithë sezonit turistik, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe sigurinë në të gjitha zonat bregdetare.
Ministri Lamallari shprehu gjithashtu mirënjohje për qytetarët që denoncojnë raste të tilla, si edhe për mediat që kontribuojnë në evidentimin e shkeljeve, duke theksuar se siguria e pushuesve është prioritet dhe nuk është objekt kompromisi.
Lajmi kryesor:
Hyri me Jet Car mes pushuesve në Shëngjin, drejtuesi gjobitet me 500 mijë lekë dhe i bllokohet mjeti lundrues (VIDEO)











