Lundrimi me shpejtësi me një mjet lundrues 'Jet Car', brenda zonës së dedikuar për pushuesit në Shëngjin i kushtoi shtrenjtë personit me inicialet D.M

Ai u kap nga Policia Kufitare pasi kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e personave që po bënin plazh dhe u ndëshkua me gjobë prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.

Policia  u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve lundruese të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë, duke theksuar se ndaj çdo shkeljeje që rrezikon pushuesit do të ketë reagim të menjëhershëm.

Njoftimi i Policisë 

"Shkeli perimetrin e sigurisë, lundroi me shpejtësi brenda zonës së dedikuar për pushuesit, Policia Kufitare e ndëshkon me masë administrative 500 000 lekë të rinj dhe bllokon mjetin lundrues.

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, gjatë monitorimit të zonës bregdetare, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Lezhë, kanë evidentuar një mjet lundrues që kishte hyrë dhe po lëvizte me shpejtësi brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e pushuesve që po bënin plazh.

Në vijim të veprimeve procedurale, drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi D. M., u ndëshkua me masë administrative 500 000 lekë të rinj, si dhe u bllokua mjeti lundrues.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe denoncimet e tyre, të cilat ndihmojnë në evidentimin dhe ndëshkimin në kohë të shkeljeve që rrezikojnë sigurinë e pushuesve. Çdo denoncim trajtohet me seriozitet dhe verifikohet menjëherë nga strukturat policore, në funksion të garantimit të sigurisë në hapësirat bregdetare.

Apelojmë për të gjithë drejtuesit e mjeteve lundruese dhe subjektet që operojnë me to të respektojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë. Reagimi do të jetë i menjëhershëm ndaj çdo shkelësi, me qëllim garantimin e jetës dhe sigurisë së pushuesve"

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:09
'Plazhet janë për familjet, jo për aventurierët', Lamallari pas gjobës 500 mijë lekëshe ndaj Jet Car-it në Shëngjin: Kush rrezikon pushuesit do të përballet me ligjin

1784724376_besfortlamallari.jpg

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj drejtuesve të mjeteve lundruese që rrezikojnë pushuesit, pasi një person u gjobit me 500 mijë lekë të reja dhe iu bllokua Jet Car në plazhin e Shëngjinit për shkelje të perimetrit të sigurisë.

“Plazhet tona janë për familjet dhe pushuesit, jo për aventurierët që luajnë me jetën e të tjerëve. Kush sfidon ligjin dhe vë në rrezik shëndetin dhe jetën e turistëve, do të përballet me pasojat pa asnjë tolerancë dhe vonesë”, u shpreh Lamallari.

Ai nënvizoi se institucionet do të vijojnë kontrollet intensive përgjatë gjithë sezonit turistik, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe sigurinë në të gjitha zonat bregdetare.

Ministri Lamallari shprehu gjithashtu mirënjohje për qytetarët që denoncojnë raste të tilla, si edhe për mediat që kontribuojnë në evidentimin e shkeljeve, duke theksuar se siguria e pushuesve është prioritet dhe nuk është objekt kompromisi.