Kryeministri Edi Rama inspektoi ditën e sotme punimet në kantierin e hapur në Vlorë për zgjatimin e lungomares. Kreu i qeverisë tha se do të jetë një plazh i ri natyral përgjatë buzës së detit, një plazh urban me rërë mbi shëtitore, dy pishina publike, një olimplike e një për fëmijë dhe parkim e shërbime të klasit të parë për vlonjatët e për turistët. "Do të jetë plazhi më i bukur i Vlorës" tha Rama. Në një moment kritikoi edhe kryebashkiakun Dritan Leli për mbylljen dhe rregullimin e disa gropave në shëtitore.

Edi Rama: Ato rregullimet atje mos prisni...se nuk ka sens
Dritan Leli: Tani, janë tenderuar...
Edi Rama: Dy metra gropa janë aty, rregulloji vetë, nuk ka tani pastaj, ajo bëhet, ç'tenderuar, ajo bëhet për dy minuta. Rrinë e bëhen gangrenë atje

Ndërkohë që Edi Rama ka bërë një sqarime dhe për "benzinaton" në Lungomare "Sikundër e kam denoncuar publikisht, "Benzinatua" u ndalua nga Gjykata e Lartë të shpronësohej, me një nga vendimet më skandaloze të historisë së shpifur të Drejtësisë së Vjetër! Kështu "benzinatua" mbeti aty si një çiban dhe arkitekti i famshëm belg i Lungomares, Xavier de Geyter, konceptoi një objekt - skulpturë urbane (strehën e zezë në formë kryqi), duke ia përshtatur estetikisht atij segmenti të shëtitores.

Objekti tanimë është realizuar si një vlerë e shtuar, duke e "ambalazhuar" me sukses peshqeshin e mbetur aty nga Gjykata e Lartë. Palma e vetme që u hoq gjatë punimeve, për të cilën vunë kujën ata që na u kthyen nga sharësit e paepur të Lungomares kur ndërtohej, në mbrojtësit e flaktë të ekologjisë vlonjate, do të zëvendësohet padyshim.

Kështu që fjalët mbrapsht atyre për sot dhe nesër si gjithnjë për çdo punë që bëj unë, "benzinatua" do të kalojë nga fletët e Librit të Sharjeve në albumin e ndërhyrjeve urbane, që kanë ndryshuar e do të ndryshojnë më tutje faqen e qyteteve tona, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm ekonomik e turistik të vendit" tha ai.


Lajmi kryesor:

Gara për aeroportin e Vlorës, Balluku: Rinis pas hapjes nga COVID-i, zhbllokohet në qershor, ka interes të madh (VIDEO)