Atentati i 18 janarit 2022 ndaj biznesmenit Lulzim Masha do të kryhej si karrem për t’i vrarë të birin në varrimin e të atit. Këtë skenë të denjë për filma e ka rrëfyer në seancën e kësaj të marte në GJKKO, Henrik Hoxhaj, i pandehur në kuadër të dosjes së bujshme “Plumbi i Artë

Hoxhaj tha se fillimisht Nuredin Dumani, i pajtuar nga një tjetër personazh i botës së krimit Eldi Dizdar, i kishte ofruar 150 mijë euro për vrasjen e djalit të Lulzim Mashës, por kur nuk po e gjenin u shtuan edhe 100 mijë euro për vrasjen e biznesmenit.

Sipas tij, porosia ishte dhënë në Kosovë, konkretisht në Gjilan, ku Dumani qëndronte në atë periudhë. Hoxha tha se motivi lidhej me një konflikt mes familjes Masha dhe familjes Dizdari, pas prishjes së fejesës së vajzës së Lulzim Mashës me një nga vëllezërit Dizdari, ku pretendohej se nuk ishin kthyer para apo prona që Dizdarët i kishin regjistruar në emër të tyre.

“Për Lulzim Mashën, porosinë për këtë rast, Nuredini ma ka dhënë në Kosovë, në Gjilan atje rrinte. Porosia fillimisht ishte për djalin e Lulzim Mashës, por nuk e gjetëm. Nuredini më tha se vajza e Lulzim Mashës kishte qenë e fejuar me një nga vëllezërit Dizdari dhe pas ndarjes, këta Mashat nuk i kishin kthyer disa para apo prona që Dizdarët kishin kaluar në emër të tyre.", tha ai.

Ai deklaroi se pasi nuk arritën të gjenin djalin, grupi vendosi të vriste babanë, me qëllim që djali të kthehej nga jashtë vendit dhe në varrim ta ekzekutonin. Atentati ndaj Lulzim Mashës u krye më 18 janar 2022, teksa ai po lëvizte me automjetin e tij tip “Mercedes Benz ML”, në zonën e Kodrave të Liqenit Artificial. Në afërsi të nënkalimit të Liqenit të Thatë, ndaj tij u qëllua me armë zjarri, por dy nga tre plumbat goditën automjetin dhe ai i mbijetoi sulmit.

Hoxha deklaroi se arma për atentatin ishte siguruar nga Aleksandër Baho, i njohur si “sakati”, dhe se gjatë momentit të sulmit arma i ishte bllokuar Skerdi Tases, i cili do të kryente ekzekutimin. Ai shtoi se kishte kryer prova me armën dy ditë përpara atentatit dhe se gjatë ngjarjes ndiqte komunikimet policore përmes radios.

"Armën për ngjarjen na e dha “sakati”, Nuredini na lidhi me të, kjo arme u përdor, por i ngeci për dreq Skerdit atë ditë, unë kisha berë dhe prova 2 ditë para kisha qëlluar. Nuk po gjenim të birin dhe menduam të godisnim të atin që të vinte ky nga jashtë, kështu i bënim ne këto punë. Kur bëmë ngjarjen ndaj Lulzim Mashës, unë dëgjoja çdo gjë në radio, se kisha radio policie. Skerdi doli huq dhe i ngeci arma, në radio jepeshin përshkrimet e tij , me këtë bluzë kaq i gjatë etj.”, u shpreh Hoxhaj.

Në seancë, Henrik  Hoxhaj foli edhe për plane të tjera kriminale, duke deklaruar se Dumani i kishte kërkuar të ekzekutonte Elton Kilën, i njohur si “Oti”, pasi dyshohej se strehonte Talo Çelën. Plani nuk u realizua pasi Kila përfundoi në burg.

Procesi gjyqësor për dosjen “Plumbi i Artë” vijon prej afro dy vitesh në Gjykatën e Posaçme ndërsa në ketë proces Spak u ka dhënë statusin e bashkëpunëtorit  tre të pandehurve Nuredin Dumani, Skerdi Tase dhe Erjon Alibej. Henrik Hoxha e humbi statusin pasi SPAK vërtetoi se nuk i tregoi të gjitha  vrasjet që ka bërë, disa edhe me Nuredin Dumanin. Gjithashtu Hoxha fshehu disa sekrete të porositësve apo ngjarjeve kriminale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:23
Do ekzekutonin 'Otin'/ Henrik Hoxhaj tregon mesazhin nga Nuredin Dumani: Mora dy doktorë se u plagos, nuk e di si erdhi policia

1770116202_aaas.jpg

Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj

Henrik Hoxhaj, i pandehur si pjesë e dosjes “Plumbi i artë”, ka dhënë dëshmi në Gjykatën e Posaçme. Hoxha ka zbuluar disa detaje të reja mbi ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura në vend.

Ai tha se Nuredin Dumani i kishte kërkuar kërkuar që të vriste Elton Kilën, i njohur si "Oti", pasi kishte informacione se strehonte Talo Çelën. Ekzektuimi nuk u krye pasi Kila përfundoi në burg.

"Pas ngjarjes komunikova në telefon me Nuredinin. Unë u ndjeva pak në siklet, por nuk tha gjë që nuk u ekzekutua objektivi. Me Nuredinin kemi folur për çështjen e “Otit”. Herën e dytë e kam pritur në Kukës, shkova me një BMW me qira. Dërgoja dikë që të merrte makinën me qira. U takuam në Kukës dhe vajtëm në Fier, shkuam te shtëpia e Altin Kule, një shoku im, nuk jetonte njeri, ishte bosh. I thashë atij më duhen çelësat dhe kaq. Nuredini ishte në kërkim asokohe. Oti Kilën e njihja më përpara. Ne do merrnim masat për ta ekzekutuar, pastaj qëlloi që ai ra në burg për punën e motorit dhe u la ai muhabet. Nuredini kishte informacion se Oti strehonte Talo Çelën.", deklaroi ai.

Hoxhaj theksoi se ishte në Elbasan ditën që u arrestua dhe Nuredin Dumani po e priste në Peqin.

"Unë e kam parë disa herë te biznesi i tij, shiste makina në Elbasan, diku në Bradashesh. Skerdi Tasen nuk e përfshimë fare. Nuredini më kërkoi të mos i tregoja Skerdit vendndodhjen e tij sepse ishte në kërkim. Unë shkova te biznesi i Otit, nuk e pashë aty dhe ika. Kur nuk po e gjenim dot, u kthyem në Fier me Nuredinin. Unë pata një Benz, e mora me qira në Fier. Nuredini pati një BMW X5, e pata marrë unë në Kamëz, në Tiranë. E mora te Aleksandër Baho “Sakati”. Makinën e mora me Skerdin. Skerdi rastisi, nuk e mora kastile. Unë nuk pata armë, armët ishin te “makina e punës”, aty duheshin armët. Armët i pati provuar Nuredini, bëmë qitje andej urës së Semanit. Unë nuk kam pasur lidhje me njeri në Elbasan. Unë isha në Elbasan ditën që u arrestuam, ndërsa Nuredini ishte në Peqin po më priste mua", tregoi Hoxhaj.

Hoxhaj dëshmoi se Nuredini i dërgoi mesazh ku thuhej; “O kusho hajde se më vranë”. Ai e mori Nuredinin dhe e dërgoi në Fier, ku më pas mori edhe dy doktorë që ta operonin.

"Sa kaloj unë në Cerrik, më ndaluan disa punonjës policie në Cërrik. I dhashë 20 mijë lekë dhe më lanë të ikja. Pastaj më shkruan Nuredini, më thotë “O kusho hajde se më vranë”. Shkova atje, e marr Nuredinin , “Liliputin” e ngre e hipi mbrapa te makina ime. Mora dhe dy armët. Më tha me ço në Durrës. Nuk e çoja dot, dhe e mora në Fier. E çova të shtëpia ku rrinte ai. Mora në telefon një të njohurin tim Bledin. I thashë më duhen dy doktorë. I tregova armën dhe i thashë do vini se s’bën te shtëpia. E pashë Nuredinin i ishte nxirë buza. Më thanë do i ketë shkuar plumbi në stomak. Në sallë nuk e fusim dot, i detyrova ta zgjidhnin aty ta shpëtonin atë palaçon.", vazhdoi Hoxhaj.

Henrik Hoxhaj shtoi se nuk e kishte kuptuar se si policia mbërriti aty dhe i arrestoi.

"Pastaj erdhi policia aty, nuk e di se si. Unë Nuredinin e kam mbajtur dhe në mes të Tiranës. Pastaj Nuredini na shiti të gjithëve. Ne kemi vrarë 100 si puna e Nuredinit. Kur e pyeta Nuredinin për ngjarjen, me tha mua ishin 4 veta, 3 me maska , shoferi pa maskë ishte Talo Çela. Unë nuk e besova, por kështu më tha.", përfundoi ai.

Ndaj biznesmenit Elton Kila në vitin 2018 ishte organizuar një atentat me të dyshuar si urdhërues Suel Çelën dhe vrasës Nuredin Dumanin. Atentati dështoi dhe rrugës për të ekzekutuar urdhrin, mbeti i plagosur Nuredin Dumani.

Kila në dëshminë e dhënë më parë në GJKKO, tregoi se nuk ka asnjë njohje me Dumanin ndërsa shtoi se nuk e besonte se ai ishte shënjestër e një atentati. Në atë kohë, Kila tha se iku jashtë shteti në Gjermani dhe më pas u rikthye përsëri në Shqipëri.