Një nga të arrestuarit në procesin “Plumbi i Artë”, Asllan Plaku, u ankua gjatë seancës gjyqësore këtë të enjte, për transferimin e tij nga burgu i Durrësit, në atë të Burrelit.

Ky transferim, sipas të pandehurit, vështirëson ardhjen në çdo seancë, pasi janë dy orë rrugë.

“Më fusin në ato furgonët zhul. Javës tjetër më çojnë në Drenovë Dua të më transferojnë sërish aty ku kam qenë në Durrës”, u shpreh Asllan Plaku para togave të zeza.

Ai pretendoi se ende nuk ka dosjen, element ky që i vështirëson mbrojtjen, ndërsa shtoi se avokatin që i kanë caktuar, nuk e njeh.

Prokurori Behar Dibra dhe gjykata thanë se pretendimet e tij i dëgjojnë për herë të parë në sallë, dhe se ato do të verifikohen.

Pjesë nga diskutimet në seancën e Plumbit të Artë

Asllan Plaku: Ti marrësh të gjithë nga burgu, nëse ka ndonjë tendencë nga shefat e policisë. Nuk e di ça kanë, duan të arrijnë atë që duan, por me mua nuk ju ecën. Transferimi në Burrel vështirëson ardhjen time në çdo seancë, janë dy orë rrugë, më fusin në ato furgonët zhul, dua të ndjek çdo seancë. Ma kanë argumentuar lëvizjen sikur kam bërë kundërshtime. Do kem gjyqe, nëse vjen dokument nuk e firmos, nuk dua të më përfaqësojë asnjë avokat pa firmën time, kushti është që të më transferojnë sërish aty ku kam qenë në Durrës. Javës tjetër më çojnë në Drenovë. O prokuror e di se kush e bën dhe pse e bën, por nuk kanë me arrit gjë. Dua të kërkoj dëshmitarë, por nuk kam dosje, më vështirëson mbrojtjen, avokatin që më kanë caktuar nuk e njoh fare. Avokatët s’dua të më përfaqësojnë pa praninë time, nëse nuk më çojnë aty ku isha. Duan të marr në qafë njerëz pa lidhje. Dua të largohem dhe nuk dua të më përfaqësojë njeri pa praninë time, po më bini në qafë kot, s’më detyroni dot me zor.

Prokurori Behar Dibra: këto pretendime do i verifikojmë, tani vihemi në dijeni, nuk kemi qenë në dijeni. Do shohim arsyet e transferimit, nëse ka të bëjë me sjelljet tuaja, do verifikojmë pretendimet dhe do gjejmë zgjidhje. Drejtoria e Burgjeve është institucion më vete. Ti je këtu s’ke pse ikën, do bëhesh shkas për zvarritje e shtyrje gjykimi

Asllan Plaku: Këtë seancë po qëndroj, por nuk ndodh më

Gjykata: Do marrim masa dhe të shohim çdo mundësi tjetër, tani kur jemi në kushte kur nuk kemi asnjë informacion nuk vendosim asgjë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:37
'Plumbi i Artë'/ Krenar Guçe dëshmon në GJKKO: Disa prej të pandehurve i njoh nga detyra si OPGJ në Elbasan

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dëshmuar këtë të enjte në gjyqin për dosjen “Plumbi i Artë”, Krenar Guçe, zëvendësdrejtor për Krimet në Policinë e Elbasanit.

I thirrur për të dëshmuar sepse fotoja e tij ishte pjesë e bisedave të kriminelëve në aplikacionet e koduara, Guçe ka deklaruar se njeh disa prej të pandehurve të dosjes "Plumbi i Artë" "duke qenë se kam qenë OPGJ në Elbasan. Jam marrë në 2019-2021 me disa prej ngjarjeve kriminale që kanë ndodhur. I njoh për shkak të detyrës".

Pyetje, avokati i Fatos Gosës, Përparim Kulluri: Je thirrur për ngjarjen e 13.12.2019, ku është vrarë Andi Zylyfi dhe plagosur Ardit Uruçi! Jeni në dijeni të ngjarjes, e keni hetuar?

Krenar Guçe: Kam qenë OPGJ që kam kryer veprime të ndryshme proceduriale. Me sa kujtoj, unë e kam referuar në prokurori. Ato që kam bërë i kam hedhur në procesverbal dhe akte proceduriale. Mbaj mend që i kam pyetur familjarët, por i keni në formular, nuk mbaj mend me emra konkretë. Ka kaluar kohë e gjatë, nuk më kujtohen me emra. Kam bërë procesverbal të këqyrjes së kamerave në Rinas me iniciativë hetimore. Indicia ka qenë si pasojë e rrjedhës natyrale të hetimit. Ne kemi qenë një grup hetimor, drejtuesit më kanë kërkuar të shkoj në Rinas të bëj një veprim hetimor, Arian Muça, Leonard Palushi dhe Alban Çela. Më dhanë orientim, do shkosh dhe do bësh këqyrjen e kamerave për ardhjen e një personi nga jashtë në Shqipëri, Hajdar Bako. Rezultoi që ka ardhur në mëngjes në Rinas, ka marrë një dhomë në hotel deri pasdite, ka ardhur një person që e ka shoqëruar po në Rinas drejt aeroportit. Takimi është bërë në Rinas. Personi është identifikuar. Mbi bazën e një rrjedhe hetimore dhe informacioneve operative ngrihen dyshime dhe bëhen verifikime. Për të shkuar tek Hajdar Bako ka qenë informacion operativ. Specifikisht s’më kujtohet, eprorët më kanë marrë në zyrë dhe ma kanë thënë dhe kërkuar veprimin. Mos gaboj, Palushi ka kryer veprime hetimore, por nuk kujtohet çfarë. Jam takuar me këdo familjar që ka pasur interes për hetimin, nuk më kujtohet, janë rreth 7 vite. Erion Alibej e kam emër të dëgjuar për shkak të hetimeve, e kam takuar për shkak të hetimeve. Disa herë e kam takuar, kur është paraqitur në DVP dhe në banesën e tij kur kemi kryer veprime hetimore. Nuk më ka paguar asnjëherë, absolutisht asnjë dhuratë. Dumani ka rezultuar autor në vrasjen e Bujar Çelës. Jam marrë personalisht me ngjarjen. Nuk kam pasur kurrë telefon të enkriptuar. Talo Çelën e njoh për shkak të hetimeve që kam kryer, takuar asnjëherë. Unë personalisht nuk kam bërë kontrolle banese të Talo Çelës. Fatos Gosën e kam dëgjuar, nuk e kam takuar, s’kam qenë në banesën e tij. Kam bërë kërkesa për marrje tabulatesh, por s’më kujtohet konkretisht për kë. Dashnor Dumanin e kam emër të dëgjuar, me sa më kujtohet është marrë një herë si person i pyetur për këtë vrasje. Nuk më kujtohet sa pas ngjarjes. Talo Çelën e ka kërkuar gjithë Policia e Shtetit, punojmë mbi plane masash, organizimi, jo personalisht. Nuk kemi pasur autor konkret për këtë ngjarje. Me Erion Alibejn jam takuar, me sa kujtohem edhe me kolegë të tjerë, por në hetuesi mund të kem qenë dhe i vetëm. Në banesën e tij kam qenë me kolegë të Policisë Elbasan, mos gaboj edhe Leonard Palushi, Alban Çela s’më kujtohet, as Arian Muça. Takimi i parë me Erion Alibej, mos gaboj, ka qenë në Drejtori. Me sa di, ka pasur një çështje tjetër që ka qenë në kërkim Alibej, ka qenë përpara ngjarjes. Nuk më kujtohet nëse e dija që ishte në kërkim në momentin kur e kam takuar. Në 2022, me sa mbaj mend, jam thirrur në SPAK dhe kam dhënë deklarime. Hotel “Jurgen” ka qëndruar Bako në Rinas. Kur kam shkuar, kam bërë këqyrjen e kamerave. Me shtetasin tjetër, me sa kujtohem, e ka marrë me automjetin e tij, e ka çuar në aeroport, kanë parkuar mjetin dhe janë futur brenda aeroportit. Ka qenë një djalë rreth 35 vjeç, zeshkan, pak i bëshëm. Kemi identifikuar mjetin, ka rezultuar se personi ka qenë ai që kam shënuar në procesverbal që ka takuar. Personi që kam identifikuar ka qenë Armis Stafa. Hetimi ka rrjedhë logjike, kur verifikohet targa, hapet sistemi, në pronësi të kujt është, më pas bëhen këqyrjet specifike. I kam bërë këto veprime dhe kemi nxjerrë përfundimet hetimore. Veprimet konkrete nuk më kujtohen. Veprime për këtë takim dhe pse ka ndodhur, nuk më kujtohen konkretisht. Shikojini veprimet hetimore në dosje, procesverbalet, si bëja i vetëm veprimet, por si grup hetimor.