“Askush nuk është mbi ligjin” ishte premtimi themelor mbi të cilin u ndërtua Reforma në Drejtësi. Prej më shumë se një dekade, ky slogan është përsëritur pa pushim.
Pas tre vitesh përballje personale direkte me sistemin e drejtësisë dhe nga ajo që shoh e dëgjoj çdo herë ne salla gjykatash pyetja që lind nuk është më retorike: Vërtet askush nuk është mbi ligjin?
Sepse në praktikë ndodh të:
– Regjistrohen procedime penale në kundërshtim me nenin 329/c të Kodit të Procedurës Penale (kur një çështje është pushuar, rihapja e saj bëhet vetëm me miratim gjykate)
– Kryhen hetime për muaj apo vite pa u regjistruar personi si “nën hetim”, duke i hequr atij çdo garanci procedurale.
– Përdoren kallëzime FAKE si bazë për procedime penale, pa verifikim të identitetit dhe përgjegjësisë së kallëzuesit.
– Injorohen afatet ligjore 15 ditore për t’u përgjigjur kërkesave të mbrojtjes, duke i kthyer ato në formalitet pa efekt real.
– Sekuestrohen pajisje personale pa autorizim gjyqësor, në kundërshtim me ligjin.
– Ekzaminohen të dhëna digjitale në shkelje të hapur të Konventës së Budapestit dhe standardeve ndërkombëtare për provat elektronike pa njoftuar personin e interesuar dhe pa prezencë të mbrojtësit ligjor.
– Jepen vendime më të rënda në apel edhe kur prokurori nuk ka bërë ankimim, duke cenuar parimin e sigurisë juridike.
Këto nuk janë çështje thjesht procedurale. Janë shkelje të përditshme.
Problemi nuk është vetëm që ligji shkelet.
Problemi është që për këto shkelje askush nuk mban përgjegjësi.
Kur shkelja e ligjit nuk pasohet nga mbajtje përgjegjësie, atëherë ligji pushon së qeni kufi. Çdokush që vepron pa mbajtur përgjegjësi, në fakt, është mbi ligjin.
Kjo është dilema reale që duhet të diskutojmë sot: a është ndërtuar një sistem drejtësie që garanton barazi para ligjit, apo një sistem ku disa hallka të tij nuk i nënshtrohen më vetë atij?
Shteti i së drejtës nuk matet me slogane. Matet me kufijtë që ligji vendos dhe me gatishmërinë për t’i zbatuar ata nga kushdo dhe ndaj kujtdo.
Komente











