Një pjesëtare e një ekipi speleologësh nga Polonia është shpëtuar pasi u aksidentua gjatë eksplorimit të një shpelle në masivin e Grykëve të Hapëta, pranë Majës Ismet Sali Bruça. Ajo pësoi thyerje në këmbë, duke bërë të nevojshëm organizimin e një operacioni të vështirë shpëtimi.

Sipas Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor, ekipet e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Shqipërisë mbërritën menjëherë në vendngjarje duke i dhënë të lënduarës ndihmën e parë.

Operacioni u koordinua nga ekipet e kërkim-shpëtimit të Valbonës dhe Qendrës, në bashkëpunim me Ushtrinë dhe AKMC-në. Për shkak të terrenit tepër të vështirë, u angazhua helikopteri i Ushtrisë, i cili transportoi nga Lugina e Valbonës edhe anëtarin e ekipit të kërkim-shpëtimit, Saimir Kalbaj. Me ndihmën e vinçit, u bë e mundur nxjerrja e të aksidentuarës me barrelë nga zona e aksidentit.

Operacioni përfundoi me sukses dhe e lënduara u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës për trajtim të mëtejshëm, thuhet në njoftimin e Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor për ngjarjen e ndodhur të hënën.